Të dëmtuar nga tërmeti, familjes me bindje të djathta, i hiqet ndihma ekonomike. Këlliçi: Durim deri më 25 prill

Një familje me shtatë anëtarë në Kus, Kashar qëndron brenda një banese gati të rrënuar.

Pas tërmetit të Nëntorit 2019, familja u vendos përkohësisht në çadër pasi shtëpia u vlerësua “e pabanueshme” nga inspektorët. Kanë kaluar 16 muaj që familja pret rindërtimin dhe ndihmë konkrete në përballimin e fatkeqësisë. Pas një qëndrimi të gjatë në çadër, kjo familje u rikthye në banesën e saj ende të dëmtuar.

Kryefamiljari e ka fizikisht të pamundur të punojë. dhe si të mos mjaftonin sëmundja dhe fatkeqësia natyrore, atij i kanë hequr ndihmën ekonomike, çka i ka zhytur në borxhe dhe mjerim.

Për të biseduar me zonjën e shtëpisë, shkoi Belind Këlliçi, kandidat për deputet i PD në këtë zonë të Tiranës. Këlliçi u njoh nga afër me situatën tejet të rënduar dhe u ndal të pyeste për arsyet e heqjes së ndihmës ekonomike, përgjigja e së cilës ishte shkurt “ngjyrimi”, si referencë për bindjet politike. “Nuk hyn ngjyrimi këtu, hyn mjerimi”, u shpreh Këlliçi.

Pa ndihmë në të holla, ushqime dhe veshmbathje, e përjashtuar nga ndihma ekonomike, kjo familje rrezikon edhe gjobë për lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

“Këta nuk janë njerëz, nuk janë qeveri”, shprehu revoltën e tij Këlliçi, i cili kërkoi durim edhe pak ditë derisa shqiptarët, sipas tij, të zgjedhin më 25 prill një qeveri normale me një kryeministër normal.

Procesi i rindërtimit le shumë dritëhije në trajtimin e qytetarëve të prekur nga tërmeti. Sukses ose dështim, këtë e vendos sovrani më 25 prill.

Exit mobile version