Rusia ia doli mbanë me sukses në sfidën e saj të paimagjinueshme duke mundur Spanjën pas ekzekutimit të penalltive, duke eliminuar “Furitë e Kuqe” nga Botërori. Në përfundim të ndeshjes, Fedor Smolov, ekzekutuesi i 11-metërshit të parë për Rusinë, e komentoi kështu fitoren e përfaqësueses së tij.
“Është e vështirë të besoj që ja dolëm vërtetë, jemi shumë të lumtur. Të gjithë thonin se ishin gati të vdisnin në fushë dhe është ajo që bëmë. Pavarësisht se jo të gjithë mundën të aktivizohen, çdo njëri prej nesh ka dhënë më shumë se 100% të mundësive dhe tani ndodhemi në çerekfinale. Faleminderit të gjithë atyre që na kanë mbështetur”, deklaroi Smolov.
Heroi rus, Akinfeev: “E kuptuan të gjithë se luajmë futboll!”
Vazhdojnë surprizat në këtë Kupë Bote “Rusi 2018”. Rusia ka eliminuar me penallti Spanjën, një prej favoriteve kryesore për fitimin e trofeut të turneut. Në përfundim të ndeshjes që u vendos pas ekzekutimit të penalltive, portieri veteran i Rusisë, protagonist kryesor me dy 11-metërshat e pritur prej tij, vendimtar duke hipnotizuar Koke dhe Aspas, komentoi fitoren dhe s’kualifikimin historik të “Furive të Kuqe”.
“Jemi shumë të lumtur, por edhe shumë të lodhur, sepse, sikurse e patë, gjatë pjesës së dytë dhe në shtesa u mbrojtëm shumë, duke ia dalë mbanë me sukses. Duhet të jem i sinqertë, shpresonim te penalltitë, sepse është gjithmonë e vështirë të luash kundër Spanjës. Dhe kështu ndodhi. Po luajmë një kampionat fantastik dhe besoj se janë përfshirë në këtë atmosferë jo vetëm tifozët rusë. Të gjithë e kanë kuptuar tani se Rusia është një vend ku futbollistët dinë të luajnë futboll, duan të luajnë futboll dhe se është një komb në gjëndje për të festuar”, komentoi Akinfeev.