Të gjitha rrugët e “rilindjes” të çojnë në Surrel, Qukës-Qafë Plloçë gropë e “zezë”, kërkohen 56.7 milionë euro shtesë

Ndërtimi i 40 kilometrave në segmentin Qukës Qafë-Plloçë që lidh zonën malore të rajonit Juglindor me një rrugë të re, pritet të shtrihet në dy dekada dhe gati me dyfishim të kostove.

Një analizë e posaçme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) për ecurinë e punimeve në këtë aks referon se duhen së paku 56.7 milionë euro shtesë për financimin e punimeve deri në përfundimin e plotë. Për rrjedhojë afatet për përfundimin e aksit janë shtyrë për në vitin 2023.

Rruga, e cila nisi që në vitin 2009 dhe me rishikimin e projektit duhet të përfundonte në vitin 2019, duket se nuk përfundon së paku edhe për dy vite të tjera.

Ministria e Infrastrukturës përllogariti se, financimi në segmentin e parë kërkon 20,5 milionë euro shtesë, në segmentin e dytë 24.6 mln euro shtesë, shërbimet e këshillimit kërkojnë 1,5 mln euro, fondi emergjencave 5,1 mln euro, punime shtesë në hyrje 5 milionë euro (totali 56.7 mln euro).

Përveç kostove shtesë që rezultuan nga gabimet në projektim e gjithë rruga është një projekt pa fisibilitet. Një inxhinier i njohur i fushës që nuk pranoi të indentifikohet me emër tha se, rruga e re Qukës -Qafë -Plloçë është një projekt i gabuar dhe me kosto të larta si në drejtim dhe në mirëmbajtje. Ai tha se ndërtimi i këtij aksi nuk ishte pjesë e prioriteteve kombëtare të infrastrukturës rrugore.

Ai tha se do të duhen më shumë se 200 milionë euro për ndërtimin e një traseje krejt të re, e cila nuk është as dy kilometër më e shkurtër se aksi ekzistues rreth 43 kilometra. Rruga e re kalon në një lartësi që arrin deri në 1300 metra mbi nivelin e detit dhe e bën të pamundur mirëmbajtjen e saj për periudhën e dimrit. Ky është investim kryekëput gabim, tha eksperti, pasi rruga e re kalon në një terren më të vështirë se aktualja dhe për më tepër, ka të njëjtën gjatësi sa ajo aktuale.

Deri në fund të vitit 2020, Ministria e Infrastrukturës raportoi se kanë përfunduar 68 % të punimeve, por në fakt ka mbetur pa u ndërtuar pjesa më e vështirë e veprave të artit ura dhe tunele, duke bërë që deri në vitin 2023 të amortizohet edhe pjesa e përfunduar e punimeve dhe përfundimi i saj të kërkojë fonde të vazhdueshme. Një histori e ngjashme është edhe në aksin Kardhiq- Delvinë, ku kostot shtese po rriten vit pas viti përtej çdo parashikimi.

Segmenti i ri do të ketë gjatësi prej 43 km. w

Rruga në 10 km e para kalon përgjatë lumit Shkumbin dhe me pas vazhdon në malësinë e Mokrës, zonë e cila njihet për si një zone me male të larta dhe të thepisura dhe për shkak te saj do të ndërtohen një numër i madh muresh mbajtës dhe pritës, me shume se 20 (njëzet) ura dhe viadukte si dhe një tunel 375 m i gjatë.

Rruga do te ketë gjerësi prej 12 m, nga te cilat 2 korsi me gjerësi 3.75 m secila (7.5 m total), 2 bankina te asfaltuara me gjerësi 1.5 m secila dhe 2 bankina të pa asfaltuara me gjerësi 1 m secila.

Projekti është ndarë ne 3 seksione ndërtimi, nga te cilat 2 seksionet e para do te financohen nga Banka islamike për Zhvillim (IDB) dhe seksioni i tretë do të financohet nga Fondi Saudit për Zhvillim (SFD)./Monitor/

Exit mobile version