Ky vit që rrëzoi ‘mitin’ e të pathyeshmëve. Të shumëkërkuar nga drejtësia, të transformuar në pamje për të mos rënë në sy, ata sërish përfunduan në prangat e autoriteteve, por jo të atyre shqiptare. Pas hekurave i çuan të huajt!
Leonard Duka
Arratia e Leonard Dukës, kreut të klanit ‘Duka’, të vetëquajtur dhe si ‘Princ Damiani’, një ndër autorët e përfshirë në vrasjen e ish-policit Santiago Malko në gusht të vitit 2019, është arrestuar në një provincë të Brukselit në Belgjikë. I shumëkërkuari ndërkombëtar u kap ditën e 14 shkurtit, ditë kur të dashuruarit festojnë, nën shoqërinë e një vajze. Atij iu gjetën armë dhe para. Vendndodhja e tij u zbulua nga Fast Albania, që informuan më pas Fast Belgjikë, grupi që bëri dhe arrestimin. Leonard Duka njihej dhe si një kundërshtar i betuar i Ervis Martinajt. Ata kanë qenë ortakë dhe miq mjaft të mirë, që u kris kur në lojë u fut një shumë e majmë parash prej 800 mijë eurosh. Ishte biznesi i lojërave të fatit ai që Duka e Martinajn themeluan bashkë, por shumë shpejt nisën përplasjet për këtë aktivitet, përplasje që përshkallëzuan dhe në eliminim të personave më të afërt të njëri-tjetrit. Dukajt vranë Santiago Malkon, të besuarin e Martinajt, ngjarje për të cilën ndodhet pas hekurave Blendi Teta. Ndërsa Ervis Martinaj, një nga bosët më të mëdhenj të lojërave të fatit në Shqipëri, rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të vitit 2022.
Lulzim Berisha
Lulzim Berisha, ish-kreu i bandës së Durrësit u vendos në pranga më 14 dhjetor 2023 teksa fshihej në Alicante të Spanjës, në kuadër të operacionit “Sant Joan”. Berisha kishte bërë disa ndryshime në pamjen e jashtme. Ai mbante kapele dhe syze optike, kishte lënë edhe mjekër e kishte mbushur të dy krahët plot me tatuazhe duke u bërë thuajse i paevidentueshëm, por as kjo metodë s’e shmangu dot prangosjen. Në Spanjë qarkullonte me letra bullgare. Lulzim Berisha u arrestua për herë të parë në 6 prill 2006 derisa në 16 janar 2012. Ai u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda për pesë vrasje dhe disa atentate. Por, Gjykata e Lartë, në vitin 2014, rrëzoi dënimin me burgim të përjetshëm dhe vendosi të lërë në fuqi 25 vjet burg për ish-kreun e bandës së Durrësit. Berisha u lirua me kusht nga burgu në 5 dhjetor të vitit 2016, 5 vite para se t’i përfundonte afati për shkak se vuante nga një sëmundje. Më 7 dhjetor 2021, Gjykata e Lartë vendosi rikthimin në burg të Lulzim Berishës, por ai tashmë ishte zhdukur. I penduari i drejtësisë, Luftar Reçi pretendon se Berisha është personi që ka urdhëruar vrasjen e Klodian Saliut.
Behar Bajri
Behar Bajri, një nga ‘kokat’ e fisit Bajri u vu në pranga në Francë më 5 shtator. Ai u lokalizua në një lagje në Strasburg, ku jetonte së bashku me familjen. Të dhënat e grumbulluara dhe kartela e kuqe iu dorëzuan autoriteteve franceze që e arrestuan në një lokal. Bajri u ekstradua në Shqipëri nën masa të rrepta sigurie, me një fluturim të drejtpërdrejtë nga Franca në Aeroportin e Rinasit. Hetimet ndaj Bajrit dhe 14 të tjerëve të implikuar në dosjen “Metamorfoza” nisën që në vitin 2019, pas zbërthimit të rrjeteve “Sky” dhe “EnkroChat” nga vendet partnere, të cilat sollën në vendin tonë gjetjet e tyre. Në këto komunikime, dilte se biznesmeni Pëllumb Gjoka pasi e liroi nga burgu nëpërmjet rryshfetit që i dha prokurorit Xhevahir Lita i kërkoi Behar Bajrit të vriste Keanth Musabelliun. Më pas Bajri shkëmbeu objektivin me Ervis Martinajn dhe për llogari të tij vrau Gjon Boriçin. Emri i tij del edhe si porositës i vrasjes së Ibrahim Licit, Dorian Dulit dhe Genc Tafilit, krime të cilat nuk ndodhën. Behar Bajri është konsideruar si një nga personazhet më të rrezikshme të botës së krimit në Shqipëri. Ai gjithashtu akuzohet se ka vrarë në gjumë partneren e tij 15-vjeçare, Fabiola Bajri dhe shtetasin Arben Tuzi, ngjarje këto të vitit 2002.
Gramoz (Dritan) Rexhepi
Gramoz (Dritan) Rexhepi u arrestua në një operacion ndërkombëtar të Policisë Turke dhe asaj italiane, i fshehur në një resort vilash luksoze në Stamboll, ku jetonte me partneren e fëmijët e tij. Dritani, dikur një djalë i thjeshtë nga Vlora, me ambicien për të vazhduar studimet për Drejtësi, u bë një nga 10 më të kërkuarit nga Interpoli dhe fitoi reputacionin e tij si “mjeshtri i arratisjeve”. Ai kërkohet në Shqipëri për një ngjarje të rëndë që ndodhi në fillimin e vitit 2020, kur zhdukja e Jan Prengës zbuloi për publikun e gjerë edhe egërsinë e kartelit të parë shqiptar, “Los Blankos”. 1998, Dritan Rexhepi akuzohet për vrasjen e dy Policëve, Arben Keqi dhe Durim Kasmi, ngjarje e ndodhur në vitin 1998. Në vitin 2009 emri i tij u shfaq në mediat italiane pasi ia doli që të arratiset nga burgu i sigurisë së lartë, në Pavia, bashkë me dy shqiptarë të tjerë. 29 maj 2011, Dritan Rexhepi mori pjesë në vjedhjen e Bankës në Barcelonë. Kur shkoi në Ekuador, Rexhepi arriti të hyjë në grupin e trafikantit më të rëndësishëm në vend, Cesar Emilio Montenegro Castillo, i quajtur ‘Don Monti’, i cili nga ana e tij është në lidhje biznesi me kartelin kolumbian të Norte del Valles dhe me mbretin e padiskutueshëm të drogës, Joaquin ‘El Chapo’ Guzman.
Gëzim Çela
Gëzim Çela, i konsideruar si “baroni i drogës” nga Fushë-Kuqja e Kurbinit është konsideruar, i cili prej vitesh rezulton i shumëkërkuar për drejtësinë shqiptare e jo vetëm, u prangos në Kosovë. Në momentin e arrestimit 55-vjeçari ishte në shoqërinë e dy femrave nga Shqipëria. Ai qarkullonte me identitet të ndryshuar si Bekim Bajraktari, Çela shfaqet më ndryshe dhe në pamjen e tij, ku dyshohet se ka kryer ndërhyrje estetike, në mënyrë që të mos identifikohej. Çela ka qenë pjesë e forcave speciale dhe ka nisur aktivitetin e tij kriminal që në vitin 1998 në Itali, vend ku ka një dënim në mungesë prej 20 vitesh. Gëzim Çela përdorte vilën e tij në Fushë Kuqe për trafik droge, aty ku policia ka gjetur shumë herë drogë. Ai ishte pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, i cili trafikonte droga të forta nga Turqia drejt Europës Perëndimore, duke përdorur edhe territorin e Shqipërisë. Kur droga mbërrinte në Shqipëri, ajo dërgohej në vilën e Gëzim Celës në Fushë Kuqe, nga ku shpërndahej për në vendet perëndimore. Çela u shpall në kërkim si kreu i këtij rrjeti të trafikut të drogës, por u kap vetëm këtë vit në Kosovë./ZËRI.al