Të gjithë në garë…

Hamit TAKA

Siç shihet në Partinë Demokratike, ish-ët e mercenarë, të vjetër e rishtarë, idealistë e pragmatistë, nostalgjikë e rishtarë interesaxhinj, gjysmë të majtë e gjysmë të djathtë, toskë e gegë, myslimanë e të krishterë, shqiptarë dhe evgjitë, të gjithë duket se janë në garë. Po përse? Për skërmoqjen e saj, për fshirjen e të djathtës nga spektri politik. Kujt i shërben kjo? S’ka nevojë për përgjigje… Të përmendja PS e Ramën, LSI e Monikën, Nexhmijen e pinjollët e bllokmenëve, Sorosin e Mjaftin, do të ishte e papërfillshme në krahasim me atë që i kërcënohet Shqipërisë: destabilizim, përçarje, çrrënjosje e demokracisë, monizëm, diktaturë, larg Europës, larg Amerikës, rikthim në epokën e xhaxhit. Edhe kundërshtarët më të mëdhenj të saj, me pak mend në kokë, nuk do ta pranonin këtë gjëmë.
Pra, shkurt, brenda Partisë Demokratike po luhet një dramë. Të gjithë ish-ët pretendojnë për kryetarë. Secili prej tyre përpiqet të gjejë domenet e mbështetjes së vet, u bën thirrje për bashkim rreth tij dhe të kundërshtojnë të kandiduarit realisht në garë e të vetëshpallurit si kandidatë, të nënshkruajnë peticione me firma reale e virtuale, si thonë barinjtë, një nga dhija e dy nga vija, duke përfshirë edhe të vdekur, si dhe persona, të cilët s’kanë qenë kurrë as votues të PD-së. U bëjnë thirrje tipave karrieristë të vënë mureve të rrjeteve sociale Decibao maoiste e fletërrufe enveriste. Bile edhe Facebook është kthyer në një arenë luftërash politike, ku armët janë fjalët, llogoret janë portalet, ushtarët janë komentarët, komandantët janë gazetarët, gjeneralët janë pronarët e mediave (rrogapaguesit) dhe shefat supremë, liderët e partive e qeverive. E keqja është se ushtarët nuk i njohin mercenarët e paguar dhe shkojnë pas tyre si të verbërit. Mercenarët sulmojnë nga pozicione të fshehura, e shumta, gjysmë të fshehura, por kurrë ballas, përveç disave që e kanë marrë në ballë. Në Shqipërinë tonë të pasur e të bukur ka kudo e gjithmonë dy palë kundërshtarë, gati armiqësorë. Kjo dramë tregon edhe një herë se ne shqiptarët jemi totalisht të indoktrinuar dhe aspak të dekomunistizuar. Demokracia nuk ekziston pa larë gjakun nga llumrat. Ndodh si ajo gruaja që lan lëveret dhe hedh ujin e pastër mbi ata të turbullt, në vend që ta derdhë ujin e fëlliqur nga ena, pastaj të hedhë në të ujin e pastër.
Po të flasësh me anëtarë e përkrahës të thjeshtë të PD-së, ata të përgjigjen menjëherë: injoranca, mo, ç’e pyet! Sigurisht ky është një gjykim i thjeshtë e sipërfaqësor dhe duket se nuk mund të prekë ish-ët me diploma universitare e me ligjërime të gjata në podiume e tribuna, por injoranca nuk varet nga numri i librave që ke lexuar. Injoranti në thelb është individi i mbyllur në vetvete, që nuk është i hapur ndaj të tjerëve dhe nuk i dëgjon idetë dhe mendimet e të tjerëve, nuk pranon pikëpamje të ndryshme nga ato të tij. Pra, injoron botën që e rrethon, do të evidentohet para të gjithëve dhe përpiqet të shikojë me ligësi edhe defektet më të vogla të të tjerëve… “Injorantët e zgjuar” janë rreziku i vërtetë i natyrës humane, thotë Shopenhauer. Ata të thonë kështu thotë X-i e kështu thotë Y-i, për shembull, Frojdi, Platoni, Regani etj.
Mirëpo, po të meditosh pak, ta thotë mendja, se mos edhe këtu në Shqipërinë tonë po realizohet programi i Katovicës. Në artikullin studimor të Luthans, Peterson, dhe Ibrayeva (1998) me titull “Fuqia e ‘pjesës së errët’ të lidershipit në vendet ish-komuniste”, autorët, pasi janë ndalur në tiparet kryesore të lidershipit në vendet e ish-kampit socialist, kanë analizuar nga burojnë këto tipare. Sipas tyre, ish-nomenklatura komuniste vazhdon të drejtojë vendet ish-komuniste në Evropën postkomuniste. Është pikërisht ish-elita komuniste që u shfaq dhe vazhdon të shfaqet me prioritete evropiane dhe demokratike, por që në thelb ka pasur dhe vazhdon të ketë vetëm një qëllim, mbajtjen e kontrollit mbi pushtetin dhe zgjidhjen me kujdes të njerëzve që aderojnë në të. Sipas këtyre studiuesve, një ndër mënyrat më të mira për të mbajtur këtë kontroll ka qenë përfitimi dhe fuqizimi ekonomik sidomos nëpërmjet privatizimeve.
Ky fenomen njihet si kalimi natyral nga nomenklatura komuniste në atë kapitaliste. Edhe në çastet që flasim, pothuaj në të gjitha vendet e ish-kampit socialist, anëtarët e nomenklaturës së vjetër komuniste kanë privilegjet më të mëdha dhe oportunitet më të mëdha si kundrejt pushtetit ekonomik edhe ndaj atij politik. Edhe rastet apo shembujt nga Shqipëria janë evidentim i kësaj teze.
Sipas të njëjtëve studiues, dikush që aspiron të bëjë karrierë politike apo të fuqizohet ekonomikisht, por që nuk i takon nomenklaturës komuniste dhe nuk ka ide të përbashkëta me të apo pasardhësit e saj, nuk do të mund të “hyjë” në këtë grup apo të mund “të çajë” grupin. Studiuesit citojnë raste të tilla që edhe kur dikush, jo nga nomenklatura komuniste, ka mundur të pentrojë në jetën politike apo legjislative, ai apo ajo është përjashtuar apo refuzuar në rastin më të parë nga e ashtuquajtura nomenklatura kapitaliste. Kjo sipas studiuesve ka bërë që vetëm ish-nomenklatura komuniste të ketë akses të plotë në çdo hap politik, përfitim ekonomik dhe pushtet ligjor. Fakti që sot e kësaj dite në Shqipëri ligji i lustracionit kurrë s’e gjeti dritën jeshile, është një ndër mijëra faktet që vërtetojnë se edhe nëse s’ka pasur një vendim në Katovicë, ka patur një post – Katovicë të heshtur, por me vizione të përcaktuara fare qartë. Mbase ky program luhet dhe bëhen përpjekje të realizohet edhe në gjirin e PD-së, pasi kuptohet se PD, nisur nga përbërja e saj, sado heterogjene, është pengesa kryesore për realizimin e Katovicës. Zoti na ruajt! Po kush është regjisori i dramës në gjirin e PD-së? Po ta shikosh nga brenda skenarin, duket se është një ekip regjisorësh, por nga jashtë ngjan se duhet të jetë një mbiregjisor. Ama edhe një vëzhgues i thjeshtë nuk e ka të vështirë të kuptojë se duhet një ndërhyrje kirurgjikale apo terapi për shpëtimin dhe shëndoshjen e organizmit të PD-së. Kjo ndërhyrje mund të ndodhë nga brenda, për shembull nga ish-kryetari emblematik i saj, doktor Berisha dhe elita e vërtetë intelektuale, që nuk i mungojnë PD dhe të djathtës shqiptare. Por mund të ndodhë edhe nga miqtë e vërtetë të Shqipërisë e PD-së, si amerikanët e Presidentit Trump dhe e djathta dominuese në BE.

Artikulli paraprakLiverpooli kërkon Aubameyang
Artikulli tjetërKyle Walker drejt Manchester Cityt