Komisioni Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës një vit më parë për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të shtetit.
Kurti tha se javën e kaluar BE-ja miratoi Planin e Rritjes ekonomike – në vlerë prej 6 miliardë eurosh – për Ballkanin Perëndimor, i cili një ndër synimet ka edhe përshpejtimin e anëtarësimit të rajonit në bllok.
“Masat, që janë në fuqi ndaj Kosovës, bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE, sidomos edhe në Planin e Rritjes dhe qëllimin e tij. Në anën tjetër po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialogut të reformave me BE-në. Në këtë kontekst, kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen”, tha Kurti gjatë mbledhjes së Këshillit ministror për integrim evropian më 2 maj.
Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.
Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit).
Pas masave ndëshkuese, Kosova mbeti jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik të vitit të kaluar, në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh.
Në fund të prillit, disa burime diplomatike në BE i thanë Radios Evropa e Lirë se shumica e shteteve dërguese të bllokut janë në favor të heqjes të të gjitha masave ndaj Kosovës, ndërsa një numër më i vogël i shteteve do që heqja e tyre të bëhet në mënyrë graduale.
Kundër heqjes së masave, sipas këtyre burimeve, nuk është shprehur asnjë vend anëtar i BE-së.
Gjatë mbledhjes së Këshillit ministror, Kurti foli edhe për aspiratat e Kosovës që të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.
Ai tha se Prishtina është e gatshme që të marrë statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat për anëtarësim në bllok.
“Besojmë që anëtarësimi në BE duhet të jetë i bazuar në meritokraci. Si demokracia më e avancuar në rajon ne jemi të gatshëm t’iu përgjigjemi mijëra pyetjeve teknike që vijnë nga Komisioni Evropian. Krahasuar me rajonin, Kosova është jo vetëm e gatshme për statusin kandidat, por edhe për të hapur negociatat dhe kapitujt e shumtë drejtë anëtarësimit. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është zgjedhje strategjike. Ne kemi bërë zgjedhje, andaj Agjenda e Reformave Evropiane në Qeverinë tonë, që nga fillimi i mandatit, është trajtuar me shumë seriozitet”, ka deklaruar Kurti.
Më 15 dhjetor 2022, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bllok./REL