Do të hiqet taksa absurde e transferimit të pronës

Lulzim Basha bashkëbisedoi dje me qytetarët e Vlorës mbi planin e tij ekonomik që ul taksat e sjell më shumë para në xhepat e shqiptarëve, më shumë mundësi për investime e vende të reja pune. Basha foli para qytetarëve të Vlorës për planin e tij ekonomik që do të nxjerrë Shqipërinë nga kriza dhe do të hapë vendet e punës. Basha the se plani i tij është i njëjti me planin që zbatohet në Gjermani dhe në SHBA, që ndez motorët e ekonomisë. Basha u shpreh se ai nuk do të ketë prioritete të gabuara, por vetëm interesat e njerëzve.
“Vendet e punës do të hapen, studentët do t’i garantojmë universitetin me tarifa të përballueshme dhe stazhe pune, pensionet do të rriten sepse ne kemi një plan dhe jo premtime.
Një plan ekonomik të hartuar nga ekspertët më të mirë shqiptarë, me ndihmën më të mirë europiane dhe ju e patë se këtu ishte Falenski, këshilltari i grupit parlamentar të CDU të Angela Merkel. Një plan ekonomik të ngjashëm me ato që kanë nxjerrë vende nga krizat. Një plan ekonomik të ngjashëm që po aplikon sot Presidenti Trump në SHBA, me ulje taksash, me ndihmë për sipërmarrjen për të krijuar vende pune, me ndihmën për investimin në infrastrukturë. Këto janë prioritetet. Palmat dhe lungomaret janë turpi dhe treguesi kur mendon vetëm për veten tënde, tekat dhe xhepat e tu. 4 vite nuk e mbaroi dot. Për 2 vjet, mora përsipër dhe u dhashë shqiptarëve Rrugën e Kombit. Nuk ka pasur plan për ju, por vetëm për veten e tij dhe një grusht pushtetarësh, oligarkësh dhe kriminelësh”, tha Basha.
Kryedemokrati tha se taksat do të ulen duke rritur paratë në xhepat e shqiptarëve. Do të ketë më shumë vende pune, pensione të larta, ndihmë ekonomike më të madhe, stazhe për të rinjtë, para në dorë për fermerët. Ai tha se investitorët amerikanë dhe europianë presin këtë plan të zbatohet në Shqipëri.
“Duhet një plan i zbatueshëm për Shqipërinë si ky që kam unë dhe ju lus ta merrni dhe ta shfletoni sepse në këtë plan janë zgjidhjet e vërteta që rrisin ekonominë sipas një modeli që ka funksionuar dhe funksionon në Amerikë, në Europë. Si ndodh kjo?! Me uljen e taksave, me bërjen konkurruese të ekonomisë, me çmimin e energjisë dhe naftës konkurrues, me rritjen e konsumit. Por si do të rritet konsumi kur paratë e pensionistëve i bën palma dhe ato më pas thahen?! Ky plan ekonomik bën rishpërndarjen e parave dhe i kthen paratë te njerëzit, konsumatorët, te pensionistët.
Ky është plani ekonomik me të cilin ne do e nxjerrim Shqipërinë nga kriza, me të cilin ne do të rrisim punësimin, do të sigurojmë që industritë e zhvilluara të investojnë në Shqipëri. Kam takuar disa investitorë të rëndësishëm në SHBA gjatë vizitës 2 ditore atje dhe të gjithë presin me padurim që, a do jetë në gjendje Shqipëria të plotësojë këtë plan. Me uljen e taksave dhe TVSH-së, menjëherë nis injektimi i miliona eurove që sot zhduken në xhepat e qeverisë së korruptuar të Edi Ramës. Këto para do të jenë në xhepat tuaj. 400 milionë euro më shumë për të shpenzuar çdo vit vetëm me uljen e TVSH-së”, tha Basha.
Nga Vlora Basha tha se, do të hiqet taksa mbi shitblerjen e pronës, e cila ka bllokuar tregun dhe do të ketë vetëm një taksë simbolike. Po ashtu, TVSH-ja për paktetat turistike që sjellin turistë të huaj, do të hiqet.
“Nuk do të ketë më taksë transferimi prone dhe shitblerja e pronës do të ketë një tarifë fikse prej 300 mijë lekësh të vjetra dhe qëllimi do të jetë që të qarkullojë prona që njerëzit të shesin e të blejnë. Ne do të heqim TVSH-në për paketat që marrin turistë të huaj për të ardhur këtu”, tha Basha.
Basha u shpreh nga Vlora se do të anulohet edhe moratoriumi i gjuetisë, i cili ka nxitur informalitetin dhe ka penalizuar turizmin. Do të ndalojmë drogën, do të luftojmë krimin, do të lejojmë gjuetinë e ligjshme, tha Basha.
Nga Vlora, kreu i Partisë Demokratike ka ndezur dritën jeshile për gjuetarët në mbarë vendin, duke premtuar se do të anulojë moratoriumin e qeverisë Rama nëse fiton zgjedhjet.

Ku e ka by pass-in e Fierit? Lungomarja për fitimet e Ramës

Basha akuzoi të majtën se ndaloi gjuetinë për të mos zbuluar plantacionet me kanabis.
Basha: “Dua ta mbyll me një premtim për një degë të veçantë të turizmit që ka të bëjë me gjuetinë. Gjuetia në asnjë vend nuk ndalohet, por normohet dhe kontrollohet, ndalimi i gjuetisë ka pasur një qëllim, të hiqte sytë dhe veshët e gjuetarëve nga mbushja e maleve, kodrave dhe pyjeve të Shqipërisë me hashash. Unë i kam dhënë fjalën Kryesisë Kombëtare të Shoqatës së Gjuetarëve dhe dua këtu nga Vlora ta përsëris për cilindo se do të anulohet moratoriumi për gjuetinë.
Ne do të normojmë sigurisht me norma europiane që kanë ekzistuar dhe më përpara dhe që do të zbatohen në mënyrë rigoroze gjuetinë jo vetëm për shqiptarët, por edhe si një degë të fuqishme të zhvillimit të turizmit. Sot policë të korruptuar marrin mijëra euro dhe vijnë gjuetarët nga Italia, e dini ju dhe vrasin pa asnjë kriter.
Kjo do të marrë fund. Moratoriumi do të anulohet, gjuetia do të lejohet përsëri e normuar. Gjuetarët shqiptarë së bashku me policinë shqiptare, së bashku me të gjithë ata që përdorin habitatet e egra të vendit, të gjithë do të jemi bashkë për të ndaluar më të keqen e këtij vendi që është droga dhe krimi i lidhur me drogën.
Prej tre vitesh, gjuetarët kanë ndaluar aktivitetin e tyre. Qeveria procedoi fillimisht me moratoriumin 2-vjeçar dhe pas skadimit të afatit të tij më 15 mars 2016, Këshilli i Ministrave vendosi ta shtynte edhe me 5 vite të tjera, deri më 2021.
Shoqata e Gjuetarëve të Shqipërisë e ka kundërshtuar vazhdimisht ligjin përmes protestave.
Basha tha se me programin e PD e planin e tij ekonomik do të marrë fund emigrimi masiv, por dhe do të ketë frymëmarrje për fermerët dhe bizneset.
Lulzim Basha: “E di që s’merr vesh fare nga ekonomia, e kuptoj që kjo ka lidhje me injorancën. I shite sapunin për djathë qytetarëve. Është koha të dalësh para shqiptarëve në debat dhe t’u tregosh. E vetmja zgjidhje është plani im ekonomik, Republika e re që po vjen. Plan ekonomik që është i ngjashëm me atë të Trump.
Ka frikë të përballet me të vërtetën dhe mendon se do ta çojë fushatën me gënjeshtra. Ka timonin pa motor, timon lodër që të luajë në kurrizin tuaj”.
Basha akuzon Ramën se nuk ka plan për Vlorën, por plan për interesat e tij, madje dhe Lungomarja sipas Bashës ka qëllim rritjen e përfitimeve të tij.
Lulzim Basha: “Ku e ka by pass-in e Fierit? Nuk ka plan për Vlorën, por plan për veten e tij, Lungomarja është plan për përfitimet e tij. Kush do të sillte më shumë turistë?
Rruga nga Rinasi në Vlorë apo Lungomarja? Së pari, duhet ngritur by pass-i pastaj aeroporti i jugut dhe përmirësimi i Portit të Vlorës. Zerimi i TVSH për paketat turistike për turistë jashtë vendit. Investime në infrastrukturë që ndihmojnë Vlorën. Investime në bujqësi. Bujqësia e Vlorës është lënë në mëshirë të fatit, do të subvencionojmë fermerët”.

Artikulli paraprakPërgatitet vjedhja me blerjen e energjisë
Artikulli tjetërA po kurdis Rama manipulimin e votave në Fier për të nxjerrë deputet Ruçin?