Të ikur apo të shpëtuar?!

Nga Elona CASLLI

Muaj më parë në një aeroport në Vienë, teksa prisja avionin për t’u kthyer në Shqipëri, takohem me një vajzë shqiptare që jetonte në Amerikë. Në bisedë e sipër më rrëfen se ndihej mirë atje. Kish një punë, një shtëpi e shumë gjëra të tjera por….. Fjalia e saj mbaronte gjithmonë me një por….

Në fund të çdo rrëfimi mbetej gjithmonë një por…

Dhe pas kësaj lidhëze gjendej gjithmonë fjala “mall”.

Trishtimi ka ngërthyer aq keq shpirtin e çdo shqiptari që jeton në Shqipëri, sa po të dëgjojmë një shqiptar që jeton jashtë vendit të shprehë mallin për Shqipërinë, mbetemi të habitur.

Sepse ne që jetojmë këtu bëjmë pyetjet- Si mund të të marrë malli për këtë vend?! Pse duhet të të marrë malli për këtë vend?

Madje në heshtje edhe pse nuk kemi guximin ta themi me zë të lartë, ndodh që edhe mund ta dënojmë mallin për këtë vend.

Këdo që ikën nga ky vend e quajmë të shpëtuar dhe themi: Shpëtoi ai se iku!

A janë në të vërtetë ata që ikin të shpëtuar?!

Vajza shqiptare në aeroportin e Vienës m’u përgjigj kështu: Jam mirë, por shpeshherë kam shumë mall. Dhe është një mall i keq. E di si është?! A e ke parasysh kur je e vogël, dhe je në çerdhe dhe ka ardhur koha që nëna të vijë të të marrë, por ajo vonohet pak dhe ty të duket se ajo nuk do të vijë dhe të ka harruar?! Kështu më ndodh shumë herë.

Ne i quajmë të shpëtuar ata që ikin dhe nuk e pyesim kurrë veten se sa kushton ky shpëtim.

Të bësh gati valixhet, të presësh biletën e avionit dhe të zbresësh në një tokë të huaj. Jeta jote dhe të dhënat e tua në Shqipëri, nuk i thonë asgjë askujt. Ti je një qënie që duhet të ripohosh nga fillimi vetveten në një tokë të huaj.

Nëse në Shqipëri kishe një identitet atje duhet ta rindërtosh nga fillimi identitetin tënd.

Je ti përballë një shoqërie që nuk të njeh. Je ti që kërkon vendin tënd atje. Je ti që kërkon të pohohesh e të të pohojnë.

Në cilësinë e një individi që nuk është larguar ndonjëherë nga Shqipëria bëj dy pyetje për të cilat nuk pretendoj asnjë përgjigje, pasi përvojat sa janë të përbashkëta, po aq janë edhe të përveçme…

-Ata që ikin janë të ikur apo të shpëtuar?!
-A është ikja i vetmi shpëtim?!

Post Scriptum- Ndërkohë Agron Tufa iku. Ikën një mendje tjetër nga ky vend dhe shtohet një dhembje tjetër në këtë vend!

 

Artikulli paraprakNdal dorës së xhelatit të fjalës së lirë, Edvin Kristaq Hoxha!
Artikulli tjetërSi alien në Samitin e NATO-s!