Gjermaninë apo Francën, cilën skuadër dëshiron të ketë përballë Portugalia në finale të Euro 2016? Një pyetje e parakohshme kjo për mesfushorin e luzitanëve Andre Gomes, i cili kujton se më parë skuadra e tij duhet të mendojë për Uellsin. “Kanë mbetur në garë katër skuadra që kërkojnë të fitojnë titullin. Në këtë fazë nuk ka favoritë, ne jemi të fokusuar te gjysmëfinalja që do të luajmë ndaj Uellsit”, u shpreh Andre Gomes.
Futbolli teknik portuges përballë lojës fizike të Uellsit që udhëhiqet nga Gareth Bale. Mesfushori i Valencias thekson se e di shumë mirë sesi luajnë skuadrat britanike, sikurse i njeh edhe cilësitë e yllit të Realit të Madridit, të cilin e ka patur kundërshtar në ndeshjet e Primera Division.
“Gareth Bale e njoh shumë nga kampionati spanjoll. Në të kaluarën kam luajtur kundër skuadrave britanike dhe e kam të qartë stilin e tyre të lojës. Ata janë të fortë fizikisht dhe psikologjikisht. Ne jemi të përgatitur për t’u përballur me një Uells shumë të fortë, një skuadër që di të sulmojë, por edhe të të kapë në befasi nëpërmjet kundërsulmeve. Por edhe ne kemi armët tona”, tha ai.
Nga stili i lojës së Uellsit te performanca e Renato Sanchezit, talentit luzitan që po shkëlqen në Euro 2016. Gomes nuk çuditet aspak nga perfomancat e futbollistit më të ri të Bayernit të Mynihut.
“Për mua nuk është aspak surprizë forma që po tregon Renato Sanchez. E njoh shumë mirë dhe e di se çfarë potenciali ka, sepse kemi luajtur bashkë në moshë fare të re në akademinë e Benfikës. Ai është një djalosh i veçantë. Ne po përpiqemi që ta ndihmojmë në kombëtare. Sigurisht që në të ardhmen do të përmirësohet edhe më shumë”, përfundoi Andre Gomes.
Përfaqësuesja e Uellsit në futboll po del të jetë befasia më e madhe dhe më e këndshme në Euro 2016. Futbollistët e trajnerit Chris Coleman janë shndërruar në heronj të vërtetë në Uells. Ekipi uellsian është kualifikuar në gjysmëfinale të Euro 2016 dhe përballë do ta ketë përfaqësuesen e Portugalisë.
Në pesë ndeshje të zhvilluara në këtë evropian, Uellsi ka vetëm një humbje, atë nga Anglia (2:1) në kuadër të fazës së grupeve. Uellsi në çerekfinale eliminoi Belgjikën e madhe me rezultatin 3:1. Por, si ka filluar ky udhëtim i Uellsit, që para një kohe renditej në pozitën e 116-të të ranglistës së FIFA-s?
Janar 2012: Nën drejtimin e të ndjerit Gary Speed, Uellsi u ngrit në pozitën e 48-të të FIFA-s nga ajo e 116-ta dhe Chris Colemanit, ish-trajnerit të Fulhamit, iu dha një detyrë e vështirë. Coleman duhej të vazhdonte rrugën e nisur nga Speed, të zhvillonte edhe më shumë ekipin për të pasur rezultate në të ardhmen. “Jam krenar që jam emëruar trajner i Uellsit, por jam i mërzitur për shkak të situatës në të cilën gjendem, e cila aspak nuk është e lehtë”, pati thënë Coleman në prezantim.