A do të kemi një konflikt mes Perëndimit dhe Rusisë? Cila është përgjigja e Lavrov?

Në një intervistë ekskluzive për të përjavshmen “Panorama”, ministri i Jashtëm Sergey Lavrov, prej pothuajse 15 vitesh bashkëpunëtor i ngushtë i Putinit, akuzon Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe një grup «të vogël, por shumë agresiv» vendesh europiane rusofobe. Duhet të dorëzohen, thotë ai, bota nuk është më e tyre. Dhe jep versionin e tij lidhur me helmimet e Salisbury dhe me përdorimin e armëve kimike nga ana e regjimit sirian. «Tashmë G7 është e papërshtatshme, një model për të ardhmen është mirëkuptimi Moskë – Pekin».
Është njeriu i momentit. Për hir të së vërtetës, është prej kohësh njeriu i momentit. 7 vite krizë siriane. 4 vite krizë ukrainase. Tensionet në rritje midis Rusisë dhe Perëndimit. Në të gjithë këtë furtunë,Sergey Lavrov është një pikë ekuilibri. Transformon kërcënimet në art diplomatik, ul volumet e bisedës, dëgjon gjatë dhe shpesh përgjigjet me ton. Për 10 vite ambasador në Kombet e Bashkuara, ministër i Jashtëm i Rusisë nga 2004, është eksponenti më jetëgjatë i erës Putin. Rusishtja e tij është e rafinuar. Sjellja e tij shumë elegante. Stili i tij i pangatërrueshëm. Hyn në një dhomë dhe, me zërin e tij të ulët e të fuqishëm, “lëmon” diskutimin zyrtar dhe e bën një armë të mprehtë dhe të pakapshme, shpesh fituese. Përpara takimeve në nivele të larta, të ndodh që ta shikosh të vetmuar, të ulur në një kolltuk. Deri edhe denigruesit më të ashpër të Moskës njohin tek ai talentin dhe ekuilibrin. Mund t’i lejojë vetes si zëdhënëse Maria Zakharova, bukuroshe, inteligjente dhe e shkathët. Dikur mund të ketë frikë se është vënë në hije nga një femër e tillë; kurse Lavrov e ka bërë si majën e tij prej diamanti, për të mbrojtur një Rusi gjithnjë e më shumë nën sulm. Di edhe të jetë jofleksibël. «Kush je ti që të më japësh leksione?», do t’i thoshte në 2008 kolegut të ri britanik, David Miliband. Dikush mendon se, Lavrov është për politikën ndërkombëtare ashtu si Madonna për muzikën pop. Vështirë ta imagjinosh zhanrin pa një protagonist kështu. “Panorama” e ka ndjekur gjatë këtyre viteve me diskrecion, duke grumbulluar mendime dhe përshtypje. Dhe tani, në një moment tensioni shumë të fortë, pikërisht kur dukej e pamundur, ka arritur që t’i “zhvasë” një intervistë të gjatë.

-Zoti ministër, vërtet mund të ndodhë një konflikt i armatosur midis Rusisë dhe disa vendeve perëndimore?
Është evidente se fatkeqësisht situata në botë bëhet gjithnjë e më shumë e tensionuar dhe më pak e parashikueshme. Shumë herë kemi deklaruar se kjo situatë është në pjesën më të madhe fryt i veprimeve të vazhdueshme unilaterale të Shteteve të Bashkuara dhe i disa shteteve perëndimore që Shtetet e Bashkuara i kanë shtypur në pozicionet e tyre. Po flasim për një grup të vogël vendesh që nuk përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të njerëzimit, por që në tentativën për të ruajtur një predominim mesjetar ndaj çështjeve botërore pengojnë një proces objektiv formimi të një sistemi policentrik ndërkombëtar. Rrit kundërvënien, krijon një atmosferë mosbesimi e pasigurie strategjike dhe ngrin kanalet e dialogut. Krijon situatë në të cilat një bllof apo një gabim mund t’u kushtojë shtrenjtë të gjithëve. Rusia do të donte të besonte mbi triumfin e bonsensit «të kësaj pjese». Efektivisht, pavarësisht të gjitha diferencave të pozicioneve tona, ndajmë përgjegjësinë për një të ardhme të begatë të të gjithë njerëzimit dhe për një zgjidhje efikase të problemeve vendimtare të kohës tonë. Por ky «bonsens» kërkon kapacitetin e liderëve të Perëndimit që të veprojnë të gjithë në mënyrë të përgjegjshme e të kumtueshme, të respektojnë rigorozisht të drejtën ndërkombëtare, duke u mbështetur fuqimisht në Kartën e Kombeve të Bashkuara. Kohët e fundit jemi detyruar që të dyshojmë gjithnjë e më shumë për këtë kapacitet.

-Midis liderëve perëndimore, cilin konsideron Rusia si bashkëbiseduesin më të keq?
Nuk janë këto kategoritë mbi bazën e të cilave diplomacia ruse vlerëson atë që po ndodh në arenën ndërkombëtare. Filozofia e politikës tonë të jashtme refuzon një vizion të marrëdhënieve bilaterale në optikën e mohimit. Jemi të gatshëm të punojmë në mënyrë skrupoloze me të gjithë për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar e rajonal dhe të promovojmë një axhendë pozitive bilaterale. Është e qartë se me ndonjë nuk është e lehtë të përballohen çështje të tillë. Është jashtëzakonisht e vështirë me ata që mohojnë supremacinë e të drejtës ndërkombëtare dhe privilegjojnë shantazhin, kërcënimet dhe provokimet. Kjo nuk bën gjë tjetër veçse shumëfishon problemet në marrëdhëniet midis shteteve dhe kufizon hapësirat për një ndërveprim konstruktiv. Jeta ndërkombëtare është një «rrugë dykalimëshe». «Loja me një portë të vetme» me Rusinë nuk ofron kurrfarë perspektive. Shpresojmë që herët a vonë kjo të kuptohet. Parasëgjithash në Shtetet e Bashkuara.

-Si i komentoni incidentet që kanë të bëjnë me përdorimin e agjentëve kimikë në Douma (Siri) dhe në Salisbury?
Për sa i përket Douma, më 7 prill nuk ka pasur asnjë sulm kimik. Në të vërtetë ka ndodhur një provokim i pacipë i radhës, i kryer nga njerëz të cilët nuk kanë asnjë interes që në Siri të kthehet paqja. Nuk i kërkojmë askujt që të na besojë fjalët. Për pasojë, qysh nga fillimi jemi shprehur hapur në favor të një hetimi mbi çka ka ndodhur të kryer nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPAC). Një hetim që do të duhej të përfshinte edhe ekspertë kombëtarë nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca. Në të vërtetë, në momentin që skuadra e OPAC-it ndodhej tashmë në Bejrut dhe ishte gati të shkonte në Damask dhe, për pasojë, në Douma, Siria – shtet sovran, anëtare e Kombeve të Bashkuara – ka pësuar një agresion. Nuk mund ta pranojmë logjikën e njerëzve që mundohen të shesin një ndëshkim arbitrar si provën më të mirë të fajësisë. Është absurde. Ashtu siç janë absurde akuzat e mëpasme, sipas të cilave ushtarakët rusë do ta vononin nisjen e ekspertëve, ndërkohë që «vendi pastrohej». Çdo ekspert mund ta konfirmojë: është e pamundur të fshihen gjurmët e një sulmi kimik në prani të ndërtesave gërmadhë, në fakt substancat penetrojnë në thellësi në terren dhe në muret e ndërtesave. Më 12 prill, më së fundi ekspertët e OPAC-it kanë qenë në Douma. Kanë marrë kampionët e nevojshëm. Më 25 prill kanë vizituar sërish Douman. Urojmë që udhëtimet e tyre të kenë si rezultat një hetim objektiv dhe të pavarur që të përfshijë vizitën në të gjitha strukturat që kanë ndonjë raport me akuzat për sulm kimik dhe me aktivitetin e ekstremistëve për prodhimin e substancave toksike. Për pjesën tonë, kemi kontribuar, siç kemi mundur, me punën e ekspertëve. Kemi gjetur dëshmitarë të provokimit dhe pjesëmarrës padashje në inskenimin e organizuar nga «Helmetat e Bardha»: djaloshin Khasan Diyab dhe banorë të tjerë të Doumas, që më 26 prill, pranë selisë së OPAC-it, kanë rrëfyer sesi është xhiruar realisht skena e sulmit kimik.
Më 4 mars në Mbretërinë e Bashkuar ka ndodhur incidenti tragjik që ka përfshirë Serghei dhe Julia Skripal. Londra thekson se është përdorur një agjent nervor. Nga momenti i incidentit, pala britanike – e nënvizoj, në shkelje të detyrimeve ndërkombëtare të saj – refuzon që të na japë informacione lidhur me asistencën e dhënë viktimave, mbi ecurinë e hetimit, nuk na lejon akses konsullor, i detyruar kur bëhet fjalë për shtetas rusë. Veç kësaj, Londra ka vepruar në shpërfillje jo vetëm të normave të së drejtës ndërkombëtare, por edhe të etikës elementare dhe thjesht të bonsensit. Pa treguar prova dhe përpara se të kompletohej hetimi britanik i kryer nga Scotland Yard, si dhe përpara se të kihej një panoramë e qartë, qeveria britanike ka akuzuar Rusinë dhe ka nisur një fushatë politike dhe mediatike antiruse në shkallë të gjerë.

Janë injoruar propozimet tona për të zhvilluar një hetim të përbashkët, kërkesat tona legjitime që të paraqiteshin faktet, përfshi kampionët e substancës së përdorur. Sjellja e autoriteteve britanike ngre shumë pipkëpyetje. Në mënyrë të veçantë është heshtur lidhur me aktivitetin e një laboratori sekret të ndodhur në Porton Doën, afër me Salisbury. Vetë viktimat janë fshehur nga shërbimet speciale britanike. Parasëgjithash, pala ruse është e preokupuar për gjendjen shëndetësore dhe situatën e dyshes Skripal, të tërhequr nga anglezët në këtë provokim. Refuzimi nga ana e autoriteteve britanike për akses konsullor na jep motiv që ta konsiderojmë çfarë ka ndodhur si rrëmbim apo izolim të qëllimshëm nga ana e tyre. Kjo është absolutisht e papranueshme. Në vend të punës profesionale të ekspertëve, në kuadrin e mekanizmave ndërkombëtarë kompetentë, Londra preferon deklarata boshe dhe diplomacinë e «megafonit». E përsëris: jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë konkretisht me palën britanike. E nxisim Londrën që të ndërveprojë ndershmërisht në kuadrin e procedimit penal të nisur më 16 mars nga Komiteti Hetimor i Rusisë, lidhur me tentativën e vrasjes dhe letërporositë përkatëse e dërguar palës britanike nga Prokuroria e Përgjithshme e Federatës Ruse.

-A mund ta konsiderojmë luftën me Ukrainën si «mëkatin fillestar» që ka shkaktuar të gjitha problemet e mëtejshme?
Parasëgjithash do të doja që të nënvizoja një pikë thelbësore për të kuptuar situatën aktuale: nuk ka luftë midis Rusisë dhe Ukrainës. Lufta kundër vetë popullit të tyre është shkaktuar nga nacionalistët që janë ngjitur në pushtet në shkurtin e 2014 në vijim të grushtit të shtetit, nuk pranojnë mospajtimin dhe duan të imponojnë me forcë «rendin» e tyre. Lufta është midis Kievit dhe rajoneve ukrainase. Kriza politike e brendshme në Ukrainë është frymëzuar nga jashtë prej një grupi vendesh perëndimore të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që mendojnë se e gjitha bota duhet të jetë pjesë e sferës së tyre të influencës, pretendojnë në «ekskluzivitetin» e tyre dhe i ndajnë popujt në «tanët» dhe të «tjerët». Është tregues fakti që anëtarët e BE-së – Gjermania, Polonia dhe Franca,pasi kanë çertifikuar në 2014 një marrëveshje mbi zgjidhjen e krizës midis qeverisë e opozitës, menjëherë i kanë revokuar garancitë e tyre ndaj dokumentit sapo ai është grisur nga radikalët. Ndërsa NATO-ja, që përpara grushtit të shtetit i kishte bërë një apel Presidentit ukrainas në fuqi, që të mos përdorte ushtrinë kundër manifestuesve, pas grushtit të shtetit i ka modifikuar krejtësisht tonet dhe ka nisur t’u drejtohet puçistëve që e kishin marrë pushtetin ilegalisht që të përdornin forcën në masë proporcionale kundër rajoneve që nuk qenë nga ana e tyre. Politika perëndimore në këtë histori nuk ka asnjë objektiv në favor të Ukrainës, por vetëm finalitete antiruse. I shohim mirë të gjitha diskutimet e bëra nga Shtetet e Bashkuara dhe nga disa prej satelitëve të tyre lidhur me krijimin e një hapësire euro – atlantike të përbashkët paqeje, sigurie dhe stabiliteti nuk janë gjë tjetër vetëm një maskë e përdorur për të mbuluar politikën e vjetër të pushtimit të hapësirës gjeopolitike, e spostimit në lindje të linjave ndarëse, si nëpërmjet ekspansionit të NATO-s, ashtu edhe nëpërmjet zbatimit të programit të «Partneritetit Lindor» të BE-së. Në vite, kanë kërkuar ta detyrojnë Kievin që të kryejë zgjedhjen false «o me ne, o kundër nesh», midis zhvillimit të bashkëpunimit me Lindjen apo me Perëndimin, gjë që në fund ka çuar në rënien e shtetit ukrainas, që për më tepër nuk është shquar kurrë për qëndrueshmëri. Sot rezultatet kanë këto: Humbje de facto e pavarësisë, vuajtje nga ana e popullsisë dhe rënie e ekonomisë së Ukrainës që kishte potencialet për t’u bërë një prej vendeve më të qëndrueshëm dhe ekonomikisht më të fortë të Europës. Është e qartë se një zgjidhje e qëndrueshme e situatës në Ukrainë është e mundur vetëm nëpërmjet zbatimit të plotë dhe koherent të «Kompleksit të masave» të Minskut. Nuk ka alternativë tjetër. Duhet të miratohet një ligj mbi statusin special, mbi mbajtjen e zgjedhjeve në Donbass, mbi amnistinë dhe duhet të zbatohet reforma kushtetuese.

Këto aspekte janë me rëndësi themelore për paqëtimin nëbrendësi të Ukrainës. Së fundi, është e nevojshme që Kievi të vendosë një dialog të drejtpërdrejtë me Donetsk dhe Lugansk për të kërkuar sëbashku kompromise dhe për të dakordësuar opsione të zgjidhjes së problemeve ekzistuese. Fatkeqësisht, Uashingtoni, Londra dhe një numër i caktuar kryeqytetesh të tjera perëndimore nuk kanë nxjerrë mësimin e duhur nga tragjedia ukrainase. Në rajone të ndryshme të botës vazhdojnë lojëra të diskutueshme gjeopolitike me «shumatore zero». Rriten përpjekjet për të implementuar një sistem mbrojtjeje raketore globale që shkojnë në minimin e stabilitetit strategjik, forcohet potenciali luftarak dhe rritet, në mënyrë të papërshtatshme me realitetin, aktiviteti ushtarak i NATO-s në Europë, që çon në copëzimin e hapësirës së sigurisë europiane. Preokupim mjaft të thellë shkakton shkelja flagrante nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre e së drejtës ndërkombëtare dhe e Kartës së Kombeve të Bashkuara, ndërhyrja në punët e brendshme të shteteve, përfshi këtu tentativat për t’u përmbysur qeveritë. Një manifestim i qartë i një linje të tillë destruktive kanë qenë sulmet raketore ndaj territorit të Republikës Arabe Siriane, të kryera më 14 prill me një pretekst absolutisht të sajuar. Ky akt agresioni ndaj një shteti sovran ka influencuar negativisht mbi stabilitetin ndërkombëtar e rajonal, ka luajtur në favor të terroristëve. Promotorët e këtyre iniciativave duhet ta kuptojnë më së fundmi se një sjellje e tillë e papërgjegjshme është e barsur me pasojat më të rënda për sigurinë globale. Dhe ata që sot luajë me zjarrin në rajone të ndryshme, duke kërkuar që të ushqejnë terroristët për t’i shfrytëzuar në lojërat e tyre gjeopolitike, nesër do t’ia paguajnë çmimin në shtëpinë e tyre. Nuk mund të mbrohesh nga terrori, duke u fshehur në «ishuj sigurie» të rezervuara të zgjedhurve.

-Edhe zgjedhjet e fundit italiane kanë demonstruar se era e populizmit fryn mbi Europë. Është vërtet një erë e favorshme për Rusinë? Apo ndoshta, për momentin, duke tundur skeptrin e Rusisë armike, Europa tenton që të zgjidhë problemet e saj të brendshme të lidhura me populizmin dhe me krizën ekonomike?
Për sa u përket tendencave aktuale politike në Europë, pyetja duhet t’u bëhet vetë europianëve. Nga ana ime, do të doja vetëm të nënvizoja se ne nuk ndërhyjmë në diskutimet e brendshme politike në zhvillim, nuk shprehim preferenca lidhur me rezultatet e zgjedhjeve në shtetet e ndryshme të BE-së. I urojmë sinqerisht vendet europiane që t’i kalojnë me sukses problemet ekzistuese. Jemi të gatshëm që të ndërveprojmë me të gjithë politikanët që tregojnë të njëjtin interes tonin dhe synojnë që të zhvillojnë një dialog pragamatist me vendin tonë. Fatkeqësisht, duhet të konstatojmë se në brendësi të Bashkimit Europian është aktiv një grup i vogël, por shumë agresiv, vendesh rusofobe që pengon me të gjitha forcat e tij kthimin e marrëdhënieve Rusi – BE në rrugën e zhvillimit progresiv dhe luan kartën antiruse për qëllime ngushtësisht egoiste. Një linjë e tillë nuk kontribuon në përmirësimin e situatës në kontinentin tonë, pengon konvergjencën e përpjekjeve për të përballuar në mënyrë efikase problemet e përbashkëta me Rusinë dhe me BE-në. Shpresojmë që partnerët tanë të BE-së të mund ta tejkalojnë «inercinë e mendimit», të përcaktojnë në mënyrë të pavarur prioritetet e tyre pa u kushtëzuar nga ana e aktorëve të jashtëm të rajonit dhe pa mbajtur zinxhirin e të sapokujtuarës minorancë antiruse. Jemi të bindur se shumica dërrmuese e vendeve europiane është e interesuar për një Europë paqësore e të begatë, nuk dëshiron të kthehet në përplasjen e asaj «Lufte të Ftohtë», drejt së cilës shtyhet në mënyrë konstante.

-Pse në botë ka vende të rëndësishme me lidershipe shumë të forta (Kinë, Turqi, Rusi, Egjipt dhe deri Shtetet e Bashkuara)? Nuk mendoni se shtetet po bëhen gjithnjë e më shumë autokratikë?
Sot, siç e thashë më lart, jemi dëshmitarë të procesit të formimit të një sistemi policentrik të rendit botëror. Po shfaqen dhe po konsolidohen qendra të reja pushteti ekonomik dhe influence politike, por jemi përballë një strukture multipolare që ka nevojë akoma për stabilitet. Është në interesin tonë të përbashkët që veprimet e të gjithë aktorëve ndërkombëtarë të mos jenë destruktive, por konstruktive, të bazuara jo mbi forcën, por mbi të drejtën ndërkombëtare. Vetëm duke bërë bashkë potencialitetet, duke pasur si bazë autoritetin e Kombeve të Bashkuara, është e mundur të zgjidhen siç duhet problemet e shumta e kohës tonë. Me fjalë të tjera, policentriciteti duhet të lehtësojë vendosjen e një bashkëpunimi reciprokisht fitimprurës dhe një partneritet të frytshëm të bazuar mbi respektimin reciprok të interesave. Për sa i përket Rusisë, politika jonë e jashtme synon që të promovojë një axhendë pozitive dhe bashkuese me qëllim që të pengojë rrëshkitjen e jetës ndërkombëtare në kaos dhe në përleshje, duke i garantuar zgjidhjen politiko – diplomatike krizave dhe konflikteve të shumta. Nuk kemi përdorur kurrë dhe nuk i përdorim avantazhet tona natyrore në kurriz të të tjerëve. Në cilësinë e shtetit të përgjegjshëm dhe të anëtarit të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, jemi garantë të stabilitetit rajonal, pengojmë adoptimin nga ana e Këshillit të Sigurimit e rezolutave të sajuara që të justifikojnë plane përdorimi unilateral të forcës kundër «regjimesh» jo të pëlqyer, në shkelje të Statutit të OKB-së. Nënvizoj me kënaqësi se nuk jemi të vetëm në përpjekjet tona. Në mënyrë të veçantë, do të doja të nënvizoja rolin e rëndësishëm të ndërveprimit në 360 gradë midis Rusisë dhe Kinës si model për marrëdhëniet midis fuqive në shekullin e XXI-të. Bashkëpunojmë në kontakt të ngushtë me aleatët tanë dhe me ata që ndajnë idetë tona, si në bazë bilaterale, ashtu edhe në formate të ndryshme multilaterale, si UEE, CSTO, BRICS, SCO. Do të evidentoja edhe G20-ën ku, mbi baza paritare, anëtarët e G7-ës (që nuk është më në gjendje të zgjidhë e vetme shumë probleme) dhe ato të BRICS-it, me mbështetjen e njerëzve që ndajnë opinionet tona, bëjnë marrëveshje konsensuale. Në linjë parimore, aktiviteti i G20-ës është prototipi i institutit të qeverisjes së duhur globale, mbështetur jo mbi diktatin, por mbi kërkimin e ekuilibrit të interesave.

-Hendeku midis retorikës dhe veprimeve të Donald Trump ndaj Rusisë ka treguar shumë herë kontradiktoritetin e tij. Si perceptohet kjo në Rusi?
Sigurisht, është keq kur fjalët dhe faktet nuk përkojnë. Fatkeqësisht, ndodhemi shpesh përpara kësaj situate – dhe jo vetëm për sa u përket marrëdhënieve ruso – amerikane, por edhe për tema të tjera ndërkombëtare – kur deklaratat e Uashingtonit nuk korrespondojnë me veprime reale. Për shembull, le të marrim problematikën siriane. Megjithëse Departamenti i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë janë betuar solemnisht se objektivi i vetëm i tyre ishte ai i përzënies së terroristëve jashtë vendit, praktikisht Shtetet e Bashkuara janë instaluar fuqishëm në bregun lindor të Eufratit dhe synojnë kolapsin e Sirisë. Kjo politikë mbështetet edhe nga aleatë të veçantë të Shteteve të Bashkuara. Kemi afirmuar në mënyrë të përsëritur se i vlerësojmë pozitivisht fjalët e Presidentit Donald Trump mbi dëshirën e vendosjes së një dialogu normal midis vendeve tona. Veç kësaj, e ndajmë krejtësisht këtë shpirt dhe jemi të gatshëm të bëjmë pjesën tonë për t’i nxjerrë lidhjet bilaterale jashtë nga ky ngërç gjysmëartificial në të cilin qenë detyruar nga administrata e Barack Obama. Megjithatë, për të vlerësuar interesin real e partnerëve ndaj një bashkëpunimi konstruktiv dhe reciprokisht të respektueshëm, do të bazohemi vetëm mbi fakte konkrete. Për momentin, situata e marrëdhënieve vazhdon të përkeqësohet. Edhe kur nga Presidenti amerikan vijnë disa impulse pozitive, këto anulohen krejtësisht nga një rusofobi e jashtëzakonshme e establishmentit amerikan që e paraqet vendin tonë si një kërcënim e deklarohet në favor të një «frenimi sistematik» të Rusisë që parasheh zbatimin e sanksioneve dhe të instrumentave të tjerë të presionit. Natyrisht, e gjitha kjo lind nga mosmarrëveshje politike të brendshme në Uashington dhe nuk ka të bëjë aspak me realitetin.

Një tjetër sulm provokator ka qenë vendimi i autoriteteve amerikane i 26 marsit për të përzënë 60 bashkëpunëtorë të përfaqësive tona dhe për të mbyllur Konsullatën e Përgjithshme në Seattle. Preteksti formal për përzënien dhe mbylljen e saj – përfshirja e supozuar e Rusisë në helmimin e Serghei dhe Yulia Skripal – nuk i reziston asnjë kritike. Natyrisht, nuk mund ta linim pa përgjigje këtë veprim armiqësor. Është interesante të vërehet se Uashingtoni e ka marrë një vendim të tillë pas bisedës telefonike midis dy presidentëve që ka pasur një karakter konstruktiv. Trump i ka telefonuar Vladimir Vladimiroviç Putinit më 20 mars për ta përshëndetur për fitoren në zgjedhjet presidenciale dhe ka riafirmuar dëshirën e tij për të gjetur një terren të përbashkët lidhur me një gamë të gjerë çështjesh. Është ofruar për të mbajtur një samit sa më shpejtë të jetë e mundur, ka ftuar kolegun e tij në Shtëpinë e Bardhë, ka folur për dëshirën e koordinimit të përpjekjeve në arenën ndërkombëtare, për të punuar bashkë në frenimin e garës së armatimeve. Ndërsa shumë në Uashington vazhdojnë të zhyten në një rusofobi që vetëushqehet, bashkëpunimi lidhur me çështje të rëndësishme të axhendës globale është në fazë ngërçi. Kjo influencon negativisht ndaj situatës në botë, ku janë akumuluar shumë çështje që thjesht nuk mund të zgjidhen pa bashkëpunimin midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Shpresoj që në korridoret e pushtetit të Uashingtonit të përfundojë që të mbretërojë bonsensi. Do të donim të vendosnim marrëdhënie normale, simbolike ose, po të doni, edhe miqësore me Shtetet e Bashkuara. Ama jo me çmimin e parimeve dhe të interesave kombëtare të Rusisë.

-Çfarë vlere kanë sanksionet për Rusinë dhe sa i kushtojnë Europës? Është e mundur që gjithçka bën Europa është e gabuar dhe në fakt është e drejtë gjithçka që bëni ju?
Ekzistojnë vlerësime të ndryshme të dëmit. Jepen shifra të ndryshme. Por, sipas mendimit tonë, dëmi kryesor është humbja e besimit, që do të jetë e vështirë për t’i rivendosur. Çdo masë unilaterale presioni ekonomik jo vetëm është e paligjshme nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, por, siç e demonstron rregulli, është joefikase. Të paraqitura nga administrata amerikane dhe të kapura nga BE-ja e Brukselit si isntrument presioni afatgjatë ndaj Rusisë, nuk kanë prodhuar asnjë ndryshim në politikën tonë të jashtme. Nuk na kanë detyruar që të heqim dorë nga ajo që e konsiderojmë të drejtë e të barabartë. Veç kësaj, në ndryshim nga liderët e disa vendeve perëndimore, ne nuk kemi theksuar asnjëherë se jemi gardianë të së drejtës absolute. Nga Brukseli – nga NATO dhe nga BE-ja – vijnë sigurime mbi gatishmërinë ndaj dialogut me Moskën, ama vetëm me kusht që Rusia të pendohet dhe të njihet fajtore për çdo akuzë që i drejtohet. Ne nuk veprojmë në këtë mënyrë, evidentojmë gjithmonë gatishmërinë tonë ndaj kompromisit, ndaj njohjes së interesave të çdo partneri që në shkëmbim njeh interesat e Rusisë dhe do të arrijë një marrëveshje në një optikë pragmatiste dhe jo në atë të lojërave me rezultat zero. Ekonomia ruse u është përshtatur sanksioneve. Bile kemi arritur t’i përdorim në favorin tonë. Sektori bankar po përmirësohet, inflacioni ka rënë ndjeshëm, është reduktuar varësia nga tregu petrolifer. Ndërkohë kemi shfrytëzuar situatën për të gjetur spunto të reja rritjeje ekonomike, për të rritur prodhimin e brendshëm dhe zgjeruar lidhjet tregtare me ato shtete që janë të hapura ndaj një bashkëpunimi të ndershëm dhe reciprokisht fitimprurës. Dhe në këtë botë këta janë shumica dërrmuese. Nuk përbën sekret fakti që pjesë e konsiderueshme e direktivave antiruse janë gjeneruar përtejoqeanit dhe më pas janë implementuar në Europë, të shoqëruara nga apele mbi nevojën e forcimit të «solidaritetit transatlantik». Sa nga e gjitha kjo u korrespondon interesave europiane? Aq më shumë që Shtetet e Bashkuara nuk pësojnë asnjë dëm. Nga kjo spirale sanksionesh, Europa do të kishte çfarë të fitonte, po të shikosh që tregu europian është zëvendësuar me prodhues nga rajone të tjera të botës? Vetëm qytetarët e vendeve të BE-së mund t’i përgjigjen kësaj pyetjeje. Rusia nuk ndahet nga Europa, nuk mbyllet. Mendoj se koha po punon në mënyrë objektive për të rivendosur lidhjet midis Rusisë dhe BE-së në përfitim të popujve tanë, në emër të stabilitetit e të prosperitetit të kontinentit europian.

-Na lejoni që t’u bëjmë një pyetje paksa cinike lidhur me luftën në Siri: të gjithë i përdorin kurdët dhe pastaj i «flakin tej». Pse?
Është e vështirë për mua të jem dakord me përgjithësime të tilla. Absolutisht jo të gjithë, për shembull, Rusia në konfliktin sirian as ka përdorur dhe as përdor askënd për qëllime egoiste. Ushtria ruse, e cila gjendet në territorin sirian me ftesën e qeverisë legjitime të vendit, ka kontribuar me të gjitha mënyrat në eliminimin e vatrës ushtarake dhe politike të terrorizmit të Daesh-it. Pjesët kurde të milicive kombëtare, që kanë mbrojtur shtëpitë dhe atdheun e tyre, Sirinë, kanë kontribuar edhe në përpjekjet e përbashkëta për të mundur terrorizmin. Kanë vepruar si pjesë përbërëse e shoqërisë siriane, si qytetarë të vendit të tyre. Rusia ka theksuar gjithmonë se kurdët, bashkë me komponentet e tjera etniko – fetare të popullit të këtij vendi, duhet të marrin pjesë në përcaktimin e paskonfliktit të ardhshëm të Sirisë, ashtu siç ka riafirmuar sidomos Presidenti Vladimir Putin në konferencën për shtyp të Ankarasë më 3 prill të këtij viti. Nuk jemi ne ata që duhen pyetur për përdorimin dhe për «flakjen tej» të kurdëve, por ata që ndezin ndjenja separatiste, duke u shtirur se premtojnë mbrojtje, që pengojnë rivendosjen e kontrollit të qeverisë legjitime të Republikës Arabe Siriane në pjesën më të madhe të vendit, që kanë inkurajuar kurdët të deklarojnë në mënyrë unilaterale krijimin e një «federate» dhe janë impenjuar që të formojnë strukturat e tyre të forcës me funksione që janë kompetencë ekskluzive e shtetit sirian.

-Fëmijët tanë na pyesin: pse është kaq e vështirë të arrihet paqja në botë? Si do t’u përgjigjeshit?
Ka mundësi, sepse bota është shumë më e komplikuar nga sa duket. Marrëdhëniet ndërkombëtare po bëhen gjithnjë e më komplekse, janë të përbëra nga marrëdhëniet midis një shumëfishtësie aktorësh – shtete, institucione mbikombëtare, struktura joqeveritare. Organizma shumë të ndryshëm që nuk sillen gjithmonë në mënyrë koherente dhe racionale. Por të arrish një bashkëekzistencë paqësore dhe një zhvillim të mbështetshëm është ende e mundur. Për ta bërë duhet braktisur filozofia e hegjemonisë, e «gjithçka është e pranuar», e ekskluzivitetit tënd dhe e përdorimit të paligjshëm të forcës, duhet shmangur nënshtrimi i verbër ndaj disiplinës së bllokut në situata ku imponohen qasje në kundërshtim me interesin kombëtar. Së fundi, është e nevojshme të kujtohen parimet themeltare të marrëdhënieve ndërkombëtare të fiksuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, përfshi barazinë sovrane të shteteve, mosndërhyrjen në punët e brendshme të tyre dhe zgjidhjen e kundërshtive me mjete paqësore. Është shumë e thjeshtë: duhet të respektohemi reciprokisht. Çdo rrugë tjetër, me përkufizim, çon në një rreth vicioz. Në çdo rrethanë, Rusia do të vazhdojë të punojë aktivisht për t’i ruajtur dhe zhvilluar parime të tilla të shëndosha në çështjet globale dhe për të promovuar kërkimin e zgjidhjeve për problemet që prekin të gjithë njerëzimin.

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Exit mobile version