Të neveritur nga teatri i shëmtuar i binomit, oligopolit, politik , ekonomik/ Joni Myshketa: Votimet mbaruan!

Nga Joni Myshketa

Votat u numëruan “ndershmërisht”
Shqiptarët votuan të “lirë”, pa “presione” nga ana e pushtetit me kërcënime për heqje nga puna e jo vetëm.

Biznesi votoi i”lirë”, pa presion për gjoba, mbyllje, kontrolle të shumta, pa premtime për liçenca, për leje të ndryshme që mbaheshin pezull etj…

Opozita monopoliste dhe jo vetëm, “fitoi” betejën e saj morale dhe së fundmi “respketon” kushtetetuën e nënshkruar prej saj me 11 dhjetorin jo shumë të largët dhe të shumtit e rreshtave nuk bzajnë si përherë pasi janë të impenjuar për garderobën e shtatorit të ndritshëm që i pret vetëm ata.

Por beteja për liri e demokraci familjare gjithmonë në emër të popullit demokrat do vazhdojë vetëm për ta e larg qoftë gojëve të liga që “shpifin” nga lakmia se kjo betejë është për veten e tyre, rrethin e tyre e rreshtat e tyre, JO JO LARG QOFTË..

Votimet mbaruan…

Kontrollet e administratës filluan furishëm ngado, në drejtim të biznesit, qytetarëve e kujdo që i del përpara pasi duhen rekuperuar shpenzimet e fushatës.

Votimet mbaruan…

Si me magji kthehen ngjarjet tragjike ku në Durrës në një atentat kriminal të organizuar dhe pa u tutur aspak vritet një 29 vjeçar, një bij nëne sado me të shkuar problematike të ishte…

Votimet mbaruan…

Në qendër të qytetit, tek vepra më “Madhështore” e tij Veliera gjendet nje pako 1kg me eksploziv, një mesazh i qartë presioni se ndaj kujt ne qytetarët e thjeshtë nuk e dimë, por porositësi dhe marrësi i mesazhit e njohin shumë mirë këtë gjuhë komunikimi.

Votimet mbaruan…

Dhe ne si popull Europian jemi të etur për pasaportën e Re të shumpremtuar, jo për shkak të standarteve Europiane, jo për shkak të respektimit të ligjit, por sepse jemi të neveritur nga ky teatër i shëmtuar i binomit, oligopolit, politik , ekonomik që na detyrojnë të paguajmë shumë shtrenjtë biletën e kësaj shfaqjeje, me fund tragjik ku viktimat jemi ne, të thjeshtit që raskapitemi çdo ditë, ne të shumtit që endemi pas regjizorëve 35 vjeçar duke pritur me padurim Votimet e radhës..

Votimet mbaruan…

Fatkeqësisht po mbaron dhe nervi qytetar I një populli të marrë peng nga paligjshmëria brenda dhe jashtë vetes…

Artikulli paraprakAksioni i SPAK, lëshohen masa edhe për zyrtarë shtetëror! Sekuestrohet një televizion, 3 restorante, 6 shoqëri tregtare
Artikulli tjetërPse operacioni u zhvillua pas zgjedhjeve? Ja si përgjigjet kreu i SPAK, Altin Dumani