Të pangopurit e sektit Rama

Nga Bujar LESKAJ

I.

Në tetë vite të keq-qeverisjes së sektit Rama 2013-2021, abuzimet me pronën publike, financat publike dhe tenderat publikë janë ngritur në sistem. Këto abuzime kanë kulmuar në (i)përvetësimin e hapur të pronës shtetërore, (ii)zhvillimin e prokurimeve publike me fitues të paracaktuar, (iii) rritjen eksponenciale të tenderave me ofertues të vetëm dhe (iv)realizimin e tenderimeve në nivelin 99-100% të fondit limit, duke deformuar tërësisht dhe vrarë konkurrencën e lirë, si dhe mundësitë për t’i sjellë kursim Buxhetit të Shtetit(parasë së të gjithëve) nëpërmjet ankandit publik.

II.

Ky sekt e realizon bashkëpunimin me kompanitë e privilegjuara, duke manipuluar, korruptuar dhe shantazhuar shumicën me humbjen e postit të punës(nëse nëpunësi është i ndershëm dhe refuzon të abuzojë), të tillë si anëtarët e Njësive të Hartimit të Dokumentave të Tenderit, Komisioneve të Vlerësimit të Ofertave(KVO), Komisionit të Prokurimit Publik dhe Agjensisë së Prokurimeve Publike. Këta nëpunës të Shtetit kthehen, ose në shërbëtorë besnikë të sektit, ose në njerëz të trembur, që nuk flasin dhe veprojnë, nga frika e humbjes së vendit të tyre të punë, nga presionet e ministrave dhe titullarëve të institucioneve të tjera.

III.

Të privilegjuarit e pangopur të Ramës nuk janë pasqyra dhe përfaqësuesit e ndershëm të biznesit të madh në vend. Përfaqësojnë një pakicë shumë të vogël ë tij, në nivel 1-2 përqind. Ata përbëjnë armiqtë më të përbetuar të biznesit të madh, pasi deformojnë konkurrencën e ndershme në treg, duke e mbytur atë dhe përjashtuar nga gara për prokurime shtetërore qindra e qindra biznese të tjera që meritojnë të jenë në garë dhe të fitojnë tenderat publikë.

Sekti Rama shtron rrugë, me paratë e taksapaguesve, deri tek rezidenca apo qendra e biznesit të oligarkëve. Miraton ligje në Kuvend, të porositura nga të preferuarit e vet. Ka vënë në dispozicion të tyre të gjitha strukturat dhe poret e administratës publike, si në nivel qendror dhe në atë vendor.

I pangopur me favoret dhe abuzimet në tendera, sekti Rama zgjodhi të shpenzojë paranë publike, jo nëpërmjet garës së hapur, por preferoi një formulë krejt tjetër, për të keqen dhe dëmin maksimal të interesave të taksapaguesve shqiptarë. Zgjodhi qasjen e bashkëpunimit okult, inspirimit dhe këshillimit të oligarkëve të vendit, duke ndarë fitime kolosale abuzive me ta. Me ndihmën e pakursyer të të preferuarve, sekti Rama në pushtet zbatoi të njëjtën formulë abuzimi, vjedhjeje masive dhe korrupsioni edhe në koncesionet e tipit PPP, duke shfrytëzuar mangësi dhe kushte skllavëruese për Buxhetin e Shtetit, të lejuara ose vënë qëllimisht në kontratat e lidhura.

IV.

Me këto kushte dhe mungesë mbrojteje ligjore të interesave të Shtetit në kontratat e lidhura, sekti Rama udhëzoi e këshilloi “partnerët” oligarkë ta hedhin në gjyqe vendim-marrjen qeveritare. Qetësoi të preferuarit e vet, duke u garantuar se do të dërgonte në gjyqe ekspertët më të fundit dhe të dobët. Rasti i fundit tipik ishte hedhja në gjyq nga një kompani private(po e quajmë 2G), në Gjykatën Administrative të Apelit, të urdhrit të datës 25 janar 2019 të Ministrisë së Infrastrukturës “Për ndërprerjen e dhënies së koncesionit të rrugës Thumanë-Kashar” dhe fitimi i këtij gjyqi më 29 korrik 2021. Kompania priti një vit e dy muaj, nga janari 2019 i ndërprerjes së procedurave e deri në mars 2020, pikërisht për të marrë garancitë e plota nga sekti se Shteti do ta humbte gjyqin (http://www.gjykataadministrativeeapelit.al/detajeteceshtjes3.php/?id=%2056358 ).

V.

Ministrat e Ramës udhëzojnë oligarkët “partnerë” të Ramës, se si të përdorin në mënyrë të paskrupullt sistemin gjyqësor, për të vijuar gjobitjen e Buxhetit të Shtetit dhe vjedhjen e parave të taksapaguesve shqiptarë. Qëllimisht, sekti dërgon në gjyq nëpunës dhe ekspertë të nivelit të ulët, kur duheshin dërguar për mbrojtje nivelet më të larta të përfaqësimit nga strukturat qeveritarë dhe nga Avokatura e Shtetit. Në këto raste, gjykatat janë në presionin vetëm të firmave, me dokumenta tenderi dhe kontraktuale, të përgatitur qëllimshëm me mangësi, për të dobësuar pozicionin e Shtetit në rast konflikti. Në këto gjyqe, mbrojtja e interesit të Buxhetit të Shtetit nga institucionet përgjegjëse dhe që paguhen ta mbrojnë(Avokatura e Shtetit, Ministria e Financave, dikasteri/institucioni i hedhur në gjyq) rezulton nul. Rasti i mësipërm është tipik.

VI.

Sikurse e dimë të gjithë, koncesioni i rrugës Thumanë-Kashar u fry, për t’u shndërruar në një gjobë të stërmadhe për Buxhetin e Shtetit, me vlerë mbi 300 milionë euro shtesë(nga projekti fillestar 161 milionë euro i qeverisë, shkoi në 461 milionë euro në oferten e pakërkuar të kompanisë). Sikur në gjyq të kishin shkuar përfaqësues të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës, Avokaturës së Shtetit dhe Ministrisë së Financave, duke ju referuar Vendimit në dhjetor 2019 të Raportit të Auditimit të KLSH në 6 projektet e fundit koncesionare me formulën PPP (Inceneratori i Tiranës, Rruga Milot-Balldren, Rruga Orikum-Dukat, Rruga Thumanë-Kashar, Laboratorët Spitalorë dhe shkollat e Bashkisë Tiranë), pa dyshim që Gjykata do të kishte marrë një vendim në dobi të interesave të Shtetit dhe të taksapaguesve.

Vendimi i nënshkruar nga Kryetari i KLSH, (Buletini Vjetor i Auditimeve 2019, faqe 45-47 http://www.klsh.org.al/web/buletini_vjetor_compressed_5406_copy_1_5430.pdf ), denoncon rritjen tejet të dukshme dhe të pajustifikuar të fondeve buxhetore, të angazhuara në këto projekte. Për projektet PPP të ndërtimit të akseve rrugore të audituara, KLSH konstatonte shtimin e ndjeshëm(me herë) të pajustifikuar të kostos së projektit, nga faza e projekt-idesë (sipas propozimit të paraqitur nga operatori ekonomik) e deri në fazën e studimit të fizibilitetit.

Sipas KLSH, projektet  nuk argumentonin dot përzgjedhjen e alternativës së PPP, përkundrejt prokurimit publik, duke mos garantuar vlerën më të mirë për para për Shtetin. Sektori publik merrte pjesën dërrmuese të risqeve në ndërtimin e këtyre objekteve (të tilla si risku i ndërtimit, ai i inflacionit, i kërkesës, i normës së interesit dhe i kursit të këmbimit valutor), me efekt të drejtpërdrejtë në Buxhetin e Shtetit.

VII.

Populli thotë “Minareja nuk futet dot në thes”. Dëshmi e qartë se sa u shkelen të drejtat kompanive që hedhin në gjyq Shtetin, është numri i tenderave publikë të fituara në këto tetë vite nga këto kompani. Janë me dhjetëra e dhjetëra tendera në nivele qindra milionë euro, përpara dhe pas gjyqeve. Në rastin e rrugës Thumanë-Kashar, kompania ka vijuar ndërtimin në tendera të tjerë, me vendim gjyqësor, mbi zona të ndaluara me ligj që të ndërtohet. Si dhe ka fituar me dhjetëra tendera pas gjyqit, në Jug dhe në Veri të vendit.

Sekti e donte humbjen e gjyqit(për Shtetin) dhe fitoren e gjyqit(për kompaninë dhe sektin), për koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar dhe e realizoi lehtë, sikurse humbi gjyqin ndërkombëtar ndaj Beketit dhe gjyqe të tjera ndërkombëtare, me një faturë të frikshme që sa vjen e po rëndon dhe më tej borxhit tonë të tejfryrë publik, me 450 milionë euro të tjera.

Megjithë kërkesat e vazhdueshme të FMN-së, Bankës Botërore dhe KLSH drejtuar qeverisë, kryeministrit dhe Kuvendit për ndalimin e praktikës së PPP-ve me oferta të pakërkuara dhe PPP-ve në tërësi të akorduara deri tani, deri në shqyrtimin e hollësishëm të raportit të tyre kosto-përfitim, sekti Rama vijoi të inkurajonte të privilegjuarit e vet të pangopur.

IX.

Kjo mënyrë e re e përdorimit të paligjshëm të gjykatave, gjoja në emër të ligjshmërisë dhe të respektimit të vendimeve të Gjyqësorit, kërkon denoncime të fuqishme, nga të gjithë ne, si e vetmja rrugë për të ndalur hovin e manipulimeve dhe vjedhjeve të të pangopurve të sektit Rama.

Opozita, veçanerisht Partia Demokratike, si inspiruese e ndryshimit dhe shpreses, ka per detyre madhore te vijoje te denoncoje parreshtur korrupsionin dhe format e reja te abuzimeve te rames dhe sektit te tij.

Raportet vjetore të Departmenti Amerikan i Shtetit (DASH) për klimën e investimeve në Shqipëri për të katër vitet e fundit 2018-2021 kanë qenë tepër të ashpër(https://www.state.gov/reports/2021-investment-climate-statements/albania/; https://www.state.gov/reports/2020-investment-climate-statements/albania/#:~:text=Albania%20has%20been%20able%20to,at%20the%20end%20of%202019). Në këto raporte mbizotërojnë shqetësimet për korrupsionin e lartë, mungesën e transparencës në tendera, ndërkohë që Shqipëria konsiderohet si një vend i vështirë për të bërë biznes dhe ku favorizohen kompanitë vendase, të lidhura me politikën.  Raporti i vitit 2019, i cili përkoi me çmendurinë më masive të PPP-ve në historinë e shtetit Shqiptar, në vitet 2017-2018, cilësonte: “Investitorët raportojnë shqetësime të vazhdueshme se rregullatorët përdorin legjislacion dhe rregullore të vështira për t’u interpretuar, ose jokonsistente, si mjete për të penguar investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompanitë e lidhura politikisht. Rregulloret dhe ligjet që qeverisin veprimtarinë e biznesit ndryshojnë shpesh dhe pa konsultime domethënëse me komunitetin e biznesit. Pronarët e bizneseve dhe shoqatat e biznesit shpesh vërejnë se nuk kanë marrë njoftim, kohë apo mundësi të mjaftueshme për angazhim në ndryshimet rregullatore dhe legjislative. Investitorët e huaj të mëdhenj raportojnë presion për të punësuar nënkontraktorë të veçantë, të lidhur politikisht dhe shprehin shqetësim në lidhje me pajtueshmërinë me Aktin e Praktikave të Korruptuara të Huaja, gjatë operimit në Shqipëri. Raportet e korrupsionit në prokurimet qeveritare janë të zakonshme. Përdorimi në rritje i kontratave të partneritetit publik-privat (PPP) ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë nga investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme. Qeveria kishte nënshkruar më shumë se 200 kontrata PPP deri në fund të vitit 2018”(Raporti, faqe 3, paragrafi i dytë, https://www.state.gov/reports/2019-investment-climate-statements/albania/ ).

Exit mobile version