NGA ADRI NURELLARI
Në Shqipërinë e sotme makinat luksoze bllokojnë rrugicat e ngushta me gropa, butikët e modës me çmime marramendëse gjenden pranë tezgave ku shiten këpucë dhe rroba të përdorura; ndërsa në cepat e kullave të xhamit në zemër të kryeqytetit, të moshuarit shesin fshehurazi me çanta dore zarzavate apo lule të mbledhura nga bahçet e tyre. Ky kontrast goditës mes manifestimit arrogant të pasurisë prej pakicës dhe realitetit të hidhur e të heshtur të varfërisë së shumicës nuk është vetëm një reflektim i ndryshimeve ekonomike, por një simptomë e një ekonomie të deformuar nga vaniteti dhe gara për status. Ky realitet reflekton një ndarje të thellë sociale dhe ekonomike, ku pasuria është bërë një shfaqje spektakolare e konsumit, ndërsa varfëria mbetet e fshehur pas fasadave të zhvillimit të sipërfaqshëm. I gjithë ky teatër i luksit dhe kapadaillëkut ka të bëjë me një fenomen të mirënjohur historik, që quhet sjellja e “të pasurve të rinj” (nouveaux riches). Kjo shtresë e re njerëzish (të pasuruar rishtazi, shpesh shpejt e në mënyrë të errët, të lidhur me krimin dhe korrupsionin) po e shfrytëzon pasurinë për të ndërtuar një identitet të bazuar te fodullëku dhe prestigji. Makina të mëdha me motorë të zhurmshëm që shpërfaqin pushtet, ora të shtrenjta të mbajtura si trofe, festa të shfrenuara që mbushin rrjetet sociale dhe marka ndërkombëtare, që simbolizojnë luksin janë bërë mjetet kryesore të diferencimit shoqëror, që po përdoren si pasaporta për të hyrë në një hierarki të re sociale. Ndërkohë, përballë kësaj kapardisjeje të pakicës, shumica përpiqet të mbijetojë në heshtje, duke u përjashtuar gjithnjë e më shumë nga një ekonomi që duket se funksionon për të përmbushur nevojat e garës për vanitet dhe jo të mirëqenies reale.
Fenomeni i “Nouveaux Riches” apo “New Money” nuk është unik për Shqipërinë, por pjesë e një historie më të gjerë globale gjatë epokave të ndryshimeve të vrullshme e që i ka rrënjët prej antikitetit. Në republikën e hershme romake, posti i senatorit dhe konsullit ishte i rezervuar vetëm për patricët. Kur plebenjtë e talentuar (siç qe, për shembull, Ciceroni) fituan të drejtën për të mbajtur poste të larta shtetërore, ata filluan të quheshin me përçmim novi homines, ose “njerëz të rinj.” Mirëpo, nouveau riche mori kuptimin e plotë gjatë revolucionit industrial në Francë, ku shumë individë dhe familje u pasuruan shpejt rishtazi përmes industrisë, tregtisë dhe inovacioneve teknologjike. Këta të pasur të rinj shpesh përballeshin me përbuzjen e aristokracisë tradicionale, e cila pasurinë dhe statusin shoqëror e trashëgonte nga familja. Sikurse shpjegon sociologu francez Pierre Bourdieu, për të treguar përkatësinë e tyre në shtresat elitare, nouveaux riches filluan të imitonin klasën e lartë tradicionale, duke u veshur, sjellë dhe konsumuar njësoj si ata. Megjithatë, këto përpjekje, në shumicën e rasteve, nuk ishin plotësisht të suksesshme dhe stononin keq me aristokracinë origjinale, duke u bërë shkak për një tjetër term goxha të përhapur: termin “snob.” Fjala “snob” mendohet se e ka origjinën nga latinishtja sine nobilitate ose frëngjishtja sans noblesse, që do të thotë “pa fisnikëri” dhe u përdor për të përshkruar pikërisht ata individë që nuk ishin pjesë e aristokracisë apo fisnikërisë, por që me sforco imitonin sjelljet dhe zakonet e klasave të larta për të fituar autoritet dhe pranim shoqëror.
Mirëpo, rishpërthimi i këtij fenomeni në rrafsh global ndodhi pas rënies së komunizmit në vende si ish-Bashkimi Sovjetik, Evropa Lindore apo Kina, ku kalimi nga një ekonomi e centralizuar shtetërore në një treg të lirë privat hapi rrugën për krijimin e një klase të re të pasurish. Ky segment i shoqërive post-komuniste ku bën pjesë edhe Shqipëria, akumuloi pasuri me shpejtësi përmes privatizimeve dhe tregtisë, por shpesh edhe përmes praktikave të dyshimta si korrupsioni, kontrabanda, krimi, trafiqet apo spekulimet financiare. Kapardisja e të pasurve të rinj nëpërmjet luksit nuk ishte vetëm një reagim ndaj varfërisë ë periudhës komuniste, por edhe një përpjekje për të krijuar një identitet të ri në një shoqëri në tranzicion. Pikërisht, shfaqja publike prepotente e pasurisë është ajo që dallon të pasurit e rinj aktualë të Shqipërisë dhe Lindjes në përgjithësi prej traditave të mëparshme të lindjes së kapitalizmit në Perëndimin protestant. Siç e përshkruan Max Weber në veprën e tij “Etika Protestante dhe Shpirti i Kapitalizmit”, tradita protestante (veçanërisht ajo e kalvinistëve, metodistëve, kuakerëve dhe presbiterianëve) inkurajonte një mënyrë jetese të përmbajtur e të përulur, ku pasuria duhej të ishte një dëshmi e punës së ndershme dhe jo një mjet për demonstrime publike. Pasuria, sipas kësaj etike, duhej të rikonfirmonte përkushtimin shpirtëror dhe t’i shërbente një qëllimi më të lartë moral, duke u mbajtur e fshehur dhe duke mos u përdorur për konsum të dukshëm apo luks të tepruar.
Për t’u kthyer tek “të pasurit e rinj” shqiptarë, një element kyç në kërkimin e dëshpëruar për nam është dëshmia e një prejardhjeje dinjitoze fisnore, një linje trashëgimie të lavdishme, duke zhbiruar te gjenealogjitë të sojit e sorollopit. Për ata që e kanë të pamundur të pretendojnë ose sajojnë origjinë familjare fisnike ose paraardhës të shquar, ekziston gjithmonë mundësia për t’u asociuar nëpërmjet kopjimit të stilit aristokratik të jetesës. Forma tipike e kësaj përpjekjeje është imitimi i modeleve të njohura arkitekturore të aristokracisë, gjë që shpjegon maninë për të ndërtuar ngrehina si kështjella mesjetare në çdo cep të Shqipërisë ose vilat neoklasike kitsch në rezidencat elitare vërdallë TEG ut. Në pamje të parë mund të thuhet që nuk është ndonjë dramë e madhe për ekonominë kapitaliste, ku njerëzit janë të lirë të shpenzojnë si të kenë qejf paratë e tyre.
Megjithatë, përtej kësaj logjike të thjeshtë, fshihen sfida të ndërlikuara që godasin në themel parimet bazë të mendimit liberal klasik dhe të funksionimit të tregut të lirë. Ekonomia liberale klasike, e mbështetur në parimet e lirisë individuale, zgjedhjes racionale dhe efikasitetit të tregut, hamendëson që individët, duke vepruar në interesin e tyre, do të çojnë njëherazi në rezultate pozitive për të gjithë shoqërinë. Megjithatë, ngritja e një kulture konsumatore të drejtuar nga fodullëku i sfidon këto parime bazë. Kur zengjinë e rinj bëjnë shpenzime joracionale në mallra luksi, jo për nevojë apo mirëqenie të vërtetë, por për t’u afirmuar në hierarkinë sociale, ata faktikisht ulin efikasitetin e përgjithshëm ekonomik të vendit. Shpenzimet për luks nuk përkthehen në zhvillim teknologjik ose industrial, duke lënë ekonominë shqiptare të mbështetur kryesisht në sektorë me vlerë të ulët, si ndërtimi i pasurive të paluajtshme dhe turizmi masiv, në vend të inovacionit dhe industrisë prodhuese. Faktikisht, mendimi liberal klasik mbështetet te individët si aktorë racionalë që ndjekin përfitimet reale, ndërsa konsumatorët dhe bizneset në një ekonomi vaniteti shpërdorojnë burimet në pasuri të dukshme (si vila luksoze, makina të shtrenjta ose marka prestigjioze) për të rritur e ruajtur imazhin e tyre publik, në vend që të investojnë në asete produktive.
Prandaj, ky fokus tek dënglat, dukja dhe prestigji, dëmton alokimin efikas të burimeve duke larguar fokusin nga performanca dhe vlera reale dhe duke çuar burimet drejt aseteve joproduktive. Këtë gjë e dëshmon më së miri varrosja e kapitalit te betoni i vilave luksoze dhe kullave rezidenciale (me çmime që garojnë me Skandinavinë), të cilat nuk përkojnë me nevojat reale të tregut të strehimit, duke lënë pas një stok të madh të pasurive të paluajtshme bosh. Gjithashtu, një ndër pikat më të forta të ekonomisë së tregut është presioni që vjen ndaj bizneseve për të investuar në produktivitet apo teknologji, në mënyrë që t’i tërheqin konsumatorët me produkte më të lira apo më inovative. Mirëpo, në kushtet kur individët konsumojnë jo thjesht për nevoja praktike, por për të shprehur identitetin e tyre dhe për të demonstruar pozitën shoqërore, edhe bizneset i përshtaten kësaj kërkese dhe nuk merren fare me cilësinë, çmimin apo risitë e produkteve.
Në vend të këtyre të fundit, ato merren kryesisht me PR dhe marketing, në mënyrë që të krijojnë produkte ekskluzive dhe të dëshirueshme, të cilat ndihmojnë në forcimin e imazhit personal e nuk janë domosdoshmërish funksionale apo të dobishme. Kur PR-i dhe marketingu zëvendësojnë inovacionin dhe produktivitetin, ekonomia shqiptare rrezikon të mbetet peng i perceptimeve të rreme, duke humbur mundësinë për të gjeneruar rritje reale, zhvillim teknologjik dhe një të ardhme të qëndrueshme. Për më tepër, në përpjekjen për të ndjekur standardet e një jete luksoze, shumë individë hyjnë në borxhe për të përballuar shërbime e mallra luksoze që simbolizojnë statusin. Në ekonominë kapitaliste, borxhi shihet si një mjet i dobishëm ekonomik për të financuar rritjen dhe inovacionin, por në kontekstin e ekonomisë së vanitetit, borxhi shpesh bëhet një mekanizëm për të financuar dukjen dhe jo nevojat reale. Për më tepër, nevoja e njerëzve për të blerë produkte të shtrenjta për t’u konfirmuar me normat sociale mund t’i shtyjë shumë prej tyre që të zhyten në veprimtari kriminale apo korruptive, si të vetmet shtigje që sigurojnë para të bollshme për të mbajtur një standard elitar jete. Njëherazi, konsumizmi i orientuar nga vaniteti ka implikime serioze edhe për shoqërinë, duke thelluar ndarjet sociale dhe duke nxitur një garë të vazhdueshme për dominim e afirmim nëpërmjet sendeve që zotërohen. Në një ekonomi të tillë, suksesi dhe reputacioni shpesh varet nga aftësia për të shpenzuar për dukje, jo nga puna, talenti, aftësitë ose kontributet reale, duke rrënuar besimin se suksesi bazohet në meritokraci.
Ata që nuk mund të përballojnë produkte luksoze ose që zgjedhin alternativa më modeste shpesh përballen me përbuzje apo stigmatizim social. Për pasojë, mburrja me mallra luksoze sipërfaqësore jo vetëm ndikon negativisht në kohezionin e përgjithshëm të shoqërisë, por edhe deformon mënyrën se si shoqëria percepton suksesin dhe identitetin apo shanset për të marrë pjesë në zhvillimin ekonomik. Në përfundim, fenomeni i “të zengjinëve të rinj” në Shqipëri dhe përpjekjet e tyre për të arritur status elitar, të bazuar mbi shitmendjen, reflekton një sfidë të thellë për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. Kjo garë për konfirmim të pozitës, e nxitur nga konsumizmi i tepruar i mallrave të luksit dhe demonstrimi i pasurisë në mënyrë të papërshtatshme, ka krijuar një shoqëri të thellësisht të ndarë, ku një pakicë e vogël përjeton luksin, ndërsa shumica përballet me një realitet të ashpër ekonomik dhe po detyrohet të braktisë vendin. Duke kanalizuar burime në shpenzime joproduktive dhe duke i dhënë përparësi kapardisjes përkundrejt vlerave reale, rrezikojmë të mbetemi peng i një modeli që pengon zhvillimin e qëndrueshëm. Një ekonomi që i jep përparësi konsumit për mendjemadhësi dhe jo inovacionit apo ndershmërisë, thellon ndarjet sociale dhe krijon një mentalitet të degraduar, ku vlerat e meritokracisë zëvendësohen nga fasadat e rreme. Vetëm duke rikthyer fokusin te vlerat reale, si puna, ndershmëria, inovacioni dhe investimet produktive, mund të ndërtojmë një shoqëri ku ekonomia të ketë rritje të qëndrueshme e të gjithë pjesëtarët të kenë shanse të barabarta për të përfituar prej saj.