Shoqata e ish-të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë i ka dërguar një letër kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, ambasadorëve të akredituar në Tiranë, ku kërkojnë që deputeti socialist Gramoz Ruçi të hetohet dhe të dërgohet në Gjykatën e Hagës dhe jo në krye të Parlamentit. Ruçi është një emër i përfolur deri më tani për të qenë kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit. Ish- të përndjekurit e akuzojnë Ruçin si përgjegjës për krime lufte kundër njerëzimit, ku ka qenë ministri i fundit i Brendshëm i Diktataturës Komuniste. “Nga media afër qeverisë kemi mësuar se kryeministri Rama ka propozuar Gramoz Ruçin për Kryetar të Kuvendit të Shqipërisë në legjislaturën e ardhshme parlamentare. Ky është lajmi më i keq pas zgjedhjeve po aq të këqija të 25 qershorit dhe ka tronditur gjithë shqiptarët normalë në mënyrë të veçantë familjarë e të afërm viktimat e krimeve të krimeve të komunizmit në Shqipëri. Fatkeqësisht nuk kam parë asnjë reagim politik ndaj këtij lajmi për një vendim kaq të turpshëm e kriminal të Edi Ramës. Jam i detyruar t’iu kujtoj se ai është ministri i fundit i Brendshëm i diktaturës komuniste dhe një nga krerët e PPSH përgjegjës për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid ndaj popullit shqiptar: Ai ka qenë Sekretar i Parë i Partisë së Punës i rrethit të Tepelenës në vitin 1988, dhe në vitin 1990 ka firmosur në këtë periudhë dhjetëra arrestime politike të kundërshtarëve të regjimit komunist, ai u emërua ministër i Brendshëm, megjithatë, ai e mbajti atë post vetëm për 2 muaj e gjysmë. Edhe pse pati një periudhë të shkurtër si ministër i Punëve të Brendshme, mandati i tij u dallua nga akte të rënda të dhunës nga ana e regjimit kundër civilëve. Urdhëroi dhe lejoi vrasjet e civilëve në kufijtë, fshehjen e krimeve (varrimin anonim të viktimave)! Gramoz Ruçi ka urdhëruar e firmosur masakrën e fundit të diktaturës komuniste në Shqipëri, “masakrën e 2 prillit” në Shkodër (4 të vdekur, 81 të plagosur). Mjafton vetëm kjo për të kuptuar se sa e pa pranueshme, kriminale dhe e turpshme është për ne dhe shumicën e shqiptarëve zgjedhja në postin nr. 2 të shtetit shqiptar e një personi me ka rekorde kriminale sa Gramoz Ruçi. Është turp e faqe e zezë një vend anëtar i NATO-s dhe anëtar në tentativë i BE-së të zgjedhe në krye të Parlamentit të konsideruar si tempulli i demokracisë së një vendi ish-drejtuesin e pjesës më kriminale të diktaturës komuniste të Ministrisë së Brendshme, shefit të Policisë së fshehtë politike të saj e Sigurimit të Shtetit.
Ne antikomunistët e përndjekur politikë të diktaturës kemi kontestuar e kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme mos dënimin e krimeve të komunizmit dhe autorëve të tyre dhe mos dekomunistizimin e politikës, shtetit dhe shoqërisë shqiptare, por rasti konkret është flagrant, pasi bëhet fjalë jo për autorë të thjeshtë të krimeve politike të komunizmit, por për shefin e tyre, ministrin e Brendshëm. Ne kemi kërkuar, nga shteti ligjor e demokratik siç pretendon të jetë Shqipëria që Ruçi dhe autorët e tjerë të krimeve komuniste të çohen në Gjykatën e Hagës për krime kundër njerëzimit e gjenocid, Rama e propozon për kryetar Kuvendi. Ky nuk është vetëm një turp, ky është një krim tjetër politik po aq i rëndë sa vajzat dhe djemtë që vriste në kufi e në protesta në sheshet e Shqipërisë Gramoz Ruçi.
Ju krenoheni që mundet të detyronit parlamentin shqiptar të votonte ligjin e dekriminalizimit. Mirëpo ligji juaj bën fjalë e prek vetëm autorët e krimeve ordinere dhe toleron autorët e krimeve të rënda politike atyre kundër njerëzimit dhe gjenocidit. Në këto kushte “ligji juaj” është i pa vlefshëm e i pa dobishëm për shqiptarët për faktin e thjeshtë se parlamenti, politika e shteti ngelen sërish të inkriminuara, pasi në krye të tij po kthehen përgjegjës autorë të qindra krimeve vrasje pa gjyqe e masakrimin e kundërshtarëve politikë të diktaturës. Në se ju nuk ndaloni zgjedhjen e ish shefit të Sigurimit të Shtetit, Ruçi, në krye të Kuvendit ligji juaj i dekriminalizimit është një farsë, një vrimë në ujë. Ndalojeni me çdo mjet e mënyrë të ndodhë kjo.
Të nderuar deputetë të përndjekur politikë të komunizmit! Për ju ky është një moment i një rëndësie të veçantë, pasi keni rastin të demonstroni publikisht që jeni përfaqësuesit tanë të merituar gjenetikë e politikë. Jeni jo të detyruar, por të dënuar të ndaloni krye-xhelatin komunist tuaj dhe familjeve tuaja të bëhet nr. 2 i shtetit shqiptar. Kjo nuk është detyrë, ky është mision që Zoti në emër të gjakut, sakrificave, vuajtjeve e të parëve ua ka caktuar juve. Nga përmbushja e këtij misioni varet e ardhmja juaj, raporti juaj me ne antikomunistet e përndjekur politikë, me të gjallët dhe të vdekurit, sidomos martirët tanë. Ndalojeni këtë në se nuk doni që shpirtrat e tyre nga varret anonimë, për shkak se Ruçi e vrasësit nuk na i tregojnë, të na mallkojë në jetë të jetëve. Ndalojeni me çdo mjet të ligjshëm e të pa ligjshëm brenda asaj salle parlamenti, ne jashtë do të jemi të gjithë me ju. Në se nuk e bëtë mos na dilni më kurrë përpara. Ne kemi punë posaçërisht me ju!
Kjo që po ndodh apo që pritet të ndodhë mund të mos ketë vëmendjen tuaj në të njëjtën masë me ne, por nuk justifikon asnjë qëndrim indiferent e për më tepër mbështes nga ana juaj. Në emër të vlerave të vendeve e institucioneve që përfaqësoni ushtroni gjithë influencën e presionin e mundshëm që një vrasës të zgjidhet në krye të parlamentit. Ky veprim përveç padrejtësisë dhe imoralitetit që mbart është edhe një provokim i mad për qindra mijëra viktima të terrorit komunist në Shqipëri dhe familjarët e tyre. Ju lutem mos e vleftësoni, mos e toleroni e mos bashkëpunoni në këtë tentative të turpshme e kriminale të Edi Ramës. Shqipëria të nderuar shkëlqesi është në luftë civile, pasi lumi i gjakut të shqiptarëve të pafajshëm i derdhur nga Ruçi me shokë ende nuk është tharë. Mos lejoni që kjo luftë të nxehet, të shpërthejë me këtë shkrepëse që po ndez me ligësinë e tij diabolike Edi Rama”.