NGA FLUTURA AÇKA
Si dikush që një pjesë të jetës e ka kaluar në diktaturë, i kam ndjekur përherë me vëmendje sjelljen tonë institucionale, por edhe shoqërore, ndaj viktimave të diktaturës komuniste shqiptare dhe tani pas tridhjetë vjetësh, më duhet të pohoj se në vend të shpengimit të domosdoshëm dhe detyrues ndaj tyre, ne i shërbyem pengimit sistematik dhe fyes të tyre.
Ne të dy palët politike kemi luajtur me ishtë përndjekurit, ne të djathtët me arnime ligjesh, me duartrokitje, e duke ua përdorur kauzat dhe votat dhe ju të majtët, mbase me të drejtën tuaj ideologjike, i keni ndarë dhe përçarë në mënyrë perfide, bashkë me përdëllimet se po i dëmshpërbleni në këta dhjetë vite e fundit, kur dihet mirë se ky është një kusht i prerë i qartë për të hyrë në Europë.
Atje kemi shumë zell të shkojmë me gjithë barrën e 1430 shekujve burg që kanë vuajtur një pjesë e qytetarëve te këtij vendi, shqymje nga trupi ynë shoqëror, që nuk u quajt kurrë me emrin e vërtetë: gjenocid.
Gjenocid i pastër. Shifrat e vërteta, edhe njerëzit që e frymëzuar dhe e shkaktuan, i dini mirë, madje njërin prej urdhëruesve e të tytave të nxehta, e përcollët me duartrokitje në pension dhe e liruat nga barra para se mëkati t’i bëhej barrë.
Ne, të dyja palët politike, nuk i deshëm dhe aq ish-të përndjekurit politikë, ndaj edhe i luftuam jo me plumba, por me shpërfillje të plotë, ose i kuam me ligje dhe VKM-ra që kurrë nuk i zbatuam, cave iu dhamë vetëm thërrime, ca i shantazhuam me kinse dosje, ca i graduam qe të kontrollojnë të tjerët, por më të shumtët i mbuluam me heshtje, sepse e dinim se si të përkorë që janë, nuk japin bëzamë.
Por ata kishin më shumë nevojë për dashurinë tonë dhe detyrimin që ne të ndërtonin Institucionin e Rehabilitimit të plotë, sa kohë nuk ua kthejmë dot ato 1430 shekuj jete të privuar.
Nga largësia e trojeve të tyre të epërme politike, morale, etike, emocionale, ata nuk kërkuan mëshirë, as lypën dashuri, ata, siç thotë në rreshtat e tij distopike Orwell “më shumë se nevojë për t’i dashur, donin që t’i kuptonim”.
Ne as këtë nuk e bëmë në tridhjetë vjet. As ligji për të drejtën e Informimit 119/2014, as ligji 45/2015 për të drejtën e informimit mbi dokumentet e ish-Sigurimit, as ligji 7514/1991 për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të përndjekurve politikë, as ligji 8457/1991 për informacionin e klasifikuar nuk na kanë shpenguar nga faji ndaj tyre.
Sepse ua kemi lidhur duart sërish me vendime që e pengojnë zbatimin e ligjit. Sepse ua kemi plasur shpirtin me burokracira që të mos e marrin dëmshpërblimin.
Sepse ua kemi fshirë dhe po ua fshijmë me tërbim të gjitha shenjat vuajtjeve të tyre, burgjeve, kampeve, dosjeve, dëshmive.
Sepse nuk i kemi treguar me gisht vrasësit, dhunuesit, persekutorët e tyre. Shikoni Shtëpinë e Gjetheve, turpin tonë ku i kemi fshirë me të bardha keqbërësit politikë!
Sepse i kemi latyrisur shenjat, i kemi vënë gunga me ngjyra Piramidës këtu afër, ia kemi shqyer kanatet dhe po e kthejmë në fjetore artistësh shtëpinë e diktatorit, në vend që ta bënim Muzeun e Dhunës.
Po, aty ishte truri i dhunës!
Sepse, mu para hundës sonë, në rezidencën qeveritare përballë Kryesisë së Kuvendit, ngrehinës ku bëjmë ligje për drejtësi njerëzore, dy përmendore të baballarëve të diktaturës, Leninit dhe Stalinit, na qesëndisin çdo mëngjes: “Hë, more trima”?
Po, sigurisht, si mund t’i shohim ne baballarët e baballarëve të shtrirë? Komunistët vdesin në këmbë. Apo jo?
A ka gjë më të paturpshme, më kriminale, më antinjerëzore, më të dënueshme se ta bësh këtë? Në një rezidencë qeveritare që paguhet me taksat e shqiptarëve?
Më thoni, të nderuar kolegë, çfarë do të ndodhte ta shihje përmendoren e Hitlerit në oborrin e ndonjë institucioni në Gjermani dhe jo vetëm në Gjermani, por kudo në Europë?
Nëse i doni kaq shumë këta strategë, i vini në muze me përshkrimin se çfarë burrash të mirë kanë qenë, ose i vini tek oborret e vilave tuaja. Ngaqë janë në inventar, do t’i blini lirë.
Qysh tani keni filluar festimet e 80-vjetorit të çlirimit, me logo e me fonde e shaje të kuq.
E bëni në respekt të historisë. Mirë bëni!
Shoqatën e veteranëve e prisni dhe e përcillni me nderime, madje po e trashëgoni edhe me tapi.
Natyrisht, te festimet e mëdha ata do ta kenë merak edhe Komandantin e madh dhe ne do të bëjmë sikur nuk e shohim.
Ka mes jush këtu, që edhe pse kanë moshën e nipërve të veteranëve, janë me librezë veteranësh. Iu duhet, se ligji thotë se këto e këto privilegje kanë ata me librezë veterani, por jo po të ishe kalbur në burgjet e diktaturës.
Thuhet se ata që e bëjnë, nuk e konsumojnë vetë historinë, sepse ikin. Kjo vlen vetëm për ish-të përndjekurit politikë, po jo për veteranët tanë. Ne, të nderuar kolegë, duhet të ndërtojmë Institucionin e Rehabilitimit, të vërtetë, gjithëpërfshirës, efektiv, në mënyrë të tillë që institucionet e rehabilitimit të jenë apolitike, të kenë lidhje dhe të japin e marrin mes tyre, jo t’ia hanë dheun njëri-tjetrit, siç ndodh në të vërtetë sot mes Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë, i cili trajtohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Punëve Sociale për çështjet e dëmshpërblimeve, kur në fakt kauza e tij është mirëfilli politiko-historike, por e çoi atje që t’ia heqim palcën tmerrit. Pra, nuk ka lidhje me Institutin e ish-të Përndjekurve dhe Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Diktaturës, puna e të cilit sabotohet nga të gjitha anët nga një molepsje me burim fshirjen e së vërtetës. Pra, nuk ka lidhje fare mes Institutit të ish-të Përndjekurve, Institutit të Studimeve dhe Autoritetit për Informim të Dokumenteve të ish-Sigurimit, institucion që ka detyrimin ligjor të ndihmojë dy të parët në zbardhjen e të vërtetave të 3000 mijë dosjeve, të 7000 varreve të të pagjeturve dhe vrasësit dhe persekutorët me emër dhe mbiemër. Ata edhe punën, edhe partitë, edhe përkujtimet i kanë të ndara.
Përse nuk e kemi ne hartën e institucioneve të diktaturës që të trajtohet edhe nga Ministria e Turizmit? Duket cinike, por këtu ka Turizëm Gjenocidal, si në Afrikën e Jugut, në Poloni, në Berlin.
A nuk mundet të jetë muze i diktaturës, burgu i tmerrshëm i kaushëve të Burrelit, me histori tetëdhjetë e pesëvjeçare, vendi që u bë varri i arkitektit të vet, i tillë që të kujton tragjeditë e vjetra.
Për shkak të dendurisë së madhe të të burgosurve në qelitë e tij, edhe hahej, edhe flihej, edhe përmirrej, edhe pëgërej në të njëjtin vend. Dëshmitë e familjarëve për ish-të burgosurit që nuk e ndërruan zakonin të flinin vetëm në brinjë, ngaqë nuk ishin mësuar të flinin në shpinë nga mungesa e vendit, janë rrëqethëse.
A nuk e meritonte 40-vjetori i Revoltës së Qafë-Barit respektin tonë? Nuk meritonte respekt Sokol Sokol, i cili para togës së pushkatimit në Kuç të Shkodrës u kërkoi ekzekutorëve që ta hapte vetë varrin e tij me kusht që të mos e vrisnin pas shpine, sepse nuk donte në trup plagë dezertorësh.
Sepse kishte një kauzë shumë të lartë: Lirinë!
A nuk e meritonte respektin tonë, ai dhe Tomë Ndoja, dy martirët e revoltës, për të cilët nuk ishte i mjaftë pushkatimi, por ministri i Brendshëm i kohës urdhëroi t’i shkuleshin edhe sytë e të jepeshin për studime shkencore.
Po ata që dolën nga galeritë të vdekur e me kokë të shtypur, po ata që u shqyen nga ujqërit, sepse pas lirimit duhet të ktheheshin në këmbë maleve nëpër dimër për të mbërritur në shtëpi?
Pse u dhunua Spaçi nga barbarët, duke ia fshirë të gjitha gjurmët me mjetet e rënda të minierës përbri?
Dhe që të mos shqetësohet kanakari i politikës atje, do ta çojmë muzeun e Spaçit në Rreps? Kjo është e dënueshme dhe PD duhet ta çojë menjëherë në SPAK, se ky është korruptim sa të tjerat, sepse është korruptim historik dhe bën dëm edhe më të madh.
Njëlloj edhe me burgun e Qafë-Barit, ku dheu i minierës tani është bërë pirg në vendin ku dikur bëhej apeli?
Por ne këtu, dhe ca atje jashtë, na ka mbytur keq e ngimja dhe padija, ndaj po e mbyll me fjalët Orwell-it siç e nisa, kur thotë se ndonjëherë “liria është skllavëri dhe padija është pushtet”, dhe mjerisht me ne shqiptarët kjo ka ndodhur së paku në tetëdhjetë vitet e fundit të shtetit, duke e ndërtuar atë mbi plagët e të tjerëve.