Nga Rigels Seliman
Protestat janë një e drejtë e shenjtë, por bllokimi i rrugëve për t’i dalë në mbrojtje “korrupsionit” të Sali Berishës dhe Ilir Metës është si të kërkosh drejtësi përmes një guri të rëndë. Si mund të besosh se ata që thonë “ndal korrupsionit” janë ata që e kanë ushqyer këtë sistem ndër vite, sikundër e thotë edhe Prokuroria e Posaçme (SPAK) që po heton çiftin Meta-Berisha? Ndërsa opozita ka paralajmëruar bllokimin e akseve kryesore pasditen e sotme në orën 17:00, një pyetje e thjeshtë lind: A janë këto protesta të sinqerta apo thjesht një mënyrë për të tërhequr vëmendjen nga skandalet?
Imazhi i një proteste me flamuj në duar, por me fytyra që mbajnë maska të hipokrizisë, është një skenë e njohur në politikën shqiptare. A mos ndoshta bllokimi i rrugëve është një akt i guximshëm, apo një shfaqje e dëshpëruar për të rikthyer vëmendjen tek ata që kanë tallur trapin me popullin në këto 30 e kusur vite demokraci? Në vend që të adresojnë problemet e vërteta, militantët duket se preferojnë teatrin e protestës së thirrur nga “Non-Grata” Berisha për hallin e tij dhe të aleatit të tij Like Meta.
Dhe çfarë ironie! Të protestosh për korrupsionin, kur vetë ideatorët e këtij tubimi kanë pasur rol aktiv në këtë histori. Këto bllokime janë si të thërrasësh për paqe në mes të një lufte. Opozita që njëherë kishte pushtetin, tani kërkon mbështetje popullore duke bllokuar rrugët, sikur qytetarët kanë harruar të kaluarën e tyre.
Përveçse e pabesueshme, kjo strategji është gjithashtu një dëshmi e paaftësisë për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme. A është e mundur që, përpara se të bllokosh rrugët, të mendosh për mënyra më konstruktive për të ndihmuar vendin? Ose ndoshta, për disa, protestat janë më shumë për spektaklin sesa për rezultatet.
Në fund të fundit, është e çuditshme që bllokimi i rrugëve është parë si një formë e lirisë së shprehjes, kur në të vërtetë po pengon lirinë e të tjerëve. Protestat nuk mund të jenë vetëm për të shkaktuar kaos, ato duhet të jenë një thirrje për ndryshim, dhe jo një përmbledhje e dështimeve të kaluarës dhe për hallin e binomit Berisha-Meta.