Të respektohen të drejtat e opozitës

Norbert Lammert

Për mua është një kënaqësi e madhe të mund të ndodhem sërish në Shqipëri dhe është një nder i veçantë që unë të mund të flas me ju sot. Është vizita ime e katërt në Shqipëri gjatë kohës sime, mandatit tim si kryetar i Parlamentit gjerman dhe qoftë edhe vetëm për shkak të kësaj shpeshtësie të vizitave të mia, mund të transmetoj përshtypjet e mia jo vetëm personale për vendin tuaj dhe dëshirën për të njohur traditat dhe historinë e këtij vendi, por kjo është shprehje edhe e marrëdhënie intensive midis dy vendeve tona, të cilat, për fat të mirë, në vitet e fundit janë shndërruar gjithnjë dhe janë zhvilluar gjithnjë e më intensive edhe marrëdhëniet midis dy parlamenteve tona.
Gëzohem që para disa vitesh ne patëm sukses, pikërisht në iniciativën tonë për të rimarrë marrëdhëniet në mënyrë kaq intensive midis parlamenteve tona dhe komisioneve të ndryshme dhe shpresoj, jam i sigurt që kjo do të jetë edhe në të ardhmen. Këto zhvillime janë bërë të mundura përmes ndryshimeve në Shqipëri, ndryshime, të cilat nisën, pra i patën fillesat e tyre në zgjedhjet e lira para 25 vjetëve. Kujtimi i këtyre zgjedhjeve para 25 vjetësh është një rast i mirë për t’u siguruar edhe një herë për ato parime që rregullojnë dhe duhet të karakterizojnë raportin midis dy vendeve tona, sigurisht që përcaktojnë dhe duhet të përcaktojnë raportin midis parlamenteve tona. 25 vjet. Kjo shifër, krahasuar me historinë e Shqipërisë dhe historinë e Bashkimit Europian, është një kohë e shkurtër, por krahasuar me historinë e demokracisë në Europë, është një periudhë relativisht e gjatë. Ndaj shfrytëzoj rastin të theksoj disa detaje lidhur me marrëdhëniet midis dy vendeve dhe parlamenteve tona, duke sjellë në vëmendje fillimisht historinë e demokracisë gjermane.
Përpjekja e parë në Gjermani për të stabilizuar e vendosur një demokraci, dështoi pas 13 ditësh. Demokracia e Vajmarit pas Luftës së Parë Botërore, e lidhur me Kushtetutën, me rregullat e shkruara, nuk pati mundësi të piqej. Mes historianëve sot është diçka e padiskutueshme që, përmes arsyeve që çuan në dështimin e demokracisë së parë gjermane, më e rëndësishmja, ndoshta e vetmja prej arsyeve, ishte angazhimi i munguar i demokratëve. Demokracia e parë gjermane dështoi për faktin se pati shumë kundërshtarë dhe pak mbrojtës. Pikërisht ata, të cilët ishin përgjegjës për këtë shtet dhe për demokracinë, e konsideruan si më të rëndësishëm vitalitetin mes vetes, sesa sigurimin dhe garantimin e strukturave demokratike për gjithë vendin. Pikërisht në këtë rivalitet, që zgjati nga paaftësia për të arritur konsensusin në refuzimin e kompromisit, nuk dështoi thjesht dhe vetëm demokracia, çka është mjaftueshmërisht tragjike, por dështuan premisat për të penguar vendosjen e një regjimi, i cili solli një katastrofë të madhe jo vetëm për Gjermaninë edhe për Evropën.
Në Gjermani ndërkohë ka përvoja personale biografike të kësaj kohe, por përvoja traumatike e dështimit të demokracisë gjermane dhe pasojat e saj të tmerrshme janë vendosur në kodin gjenetik të vendit dhe të kombit tonë. Prej kësaj nuk u zhvillua thjesht një koncept i ndryshëm për demokracinë dhe për Kushtetutën, por edhe për qasjen dhe raportimin e demokratëve me njëri-tjetrin, një tjetër koncept, për një balancë të nevojshme mes konkurrencës dhe konsensusit, mes konfliktit dhe kompromiseve, mes interesave dhe bindjeve.
Ne kemi pasur përvoja edhe më të rënda, të cilat i kemi përjetuar kur interesat i kemi konsideruar si më të rëndësishme sesa parimet që një vend ka vendosur në thelb të ekzistencës së vet. Për fat të mirë, kemi mësuar prej kësaj që gatishmëria për kompromis është kusht i domosdoshëm për funksionalitetin e një sistemi demokratik. Kjo edhe sot në Gjermani vazhdon të jetë diçka e vetëkuptueshme, shpesh grupet politike, konkurruese me njëra-tjetrën, kanë pritshmëri dhe veprime për t’i vendosur kundërshtarët në një pozicion të vështirë dhe kjo është një lëvizje plotësisht e natyrshme e sistemit politik, që pakicat përkatëse dëshirojnë të bëhen shumica për të pasur mundësi më të mëdha formësimi të jetës politike dhe shoqërore në vend, në mënyrë që të realizojnë bindjet e tyre.
Pikërisht sepse ne në Gjermani eventualisht kemi përvoja ekzemplare, të cilat kanë qenë vërtet mjaft ekstreme, ekziston edhe vëmendja e kuptueshme për vendet që gjenden në procese të ashtuquajtura të transformimit pikërisht në procese ku ato do të duhet të kalojnë.
Unë shfrytëzoj herë pas here çdo rast të sjell në vëmendje që ajo çka e kualifikon një demokraci, nuk është vlefshmëria e parimit të shumicës, por respektimi i të drejtave të pakicës, që shumicat, në fund të fundit, arrijnë të realizojnë vetveten. Sistemi duhet të jetë i kualifikuar për të respektuar të drejtat e domosdoshme të pakicave dhe ky është kusht për zhvillimin: respektimi i të drejtave reciproke dhe të pakicës.
E di që kjo është një sipërmarrje e vështirë dhe është shumë e lehtë të formulohet si postulat sesa të ndërthuret në jetën politike konkrete, por pikërisht ngjarje të tilla, sikurse është kujtimi i demokracisë 25-vjeçare në Shqipëri apo edhe në vende të tjera, të cilat asokohe u nisën në rrugën e tyre drejt Europës, janë një rast i mirë për t’u kujtuar dhe për t’u siguruar për këto bindje të përbashkëta.
Unë dëshiroj të shpreh respektin për disa arritje dhe zhvillime mbresëlënëse vitet e fundit në Shqipëri. Mua më impresionon në mënyrë të veçantë fakti se këtu në Shqipëri, për sa i përket bashkëjetesës mes besimeve fetare, është arritur një masë e lartë tolerance dhe mirëkuptimi të ndërsjellë, ndryshe nga ç’e kam përjetuar dhe vëzhguar në vende të tjera europiane.
Ju e shikoni që unë dëshiroj pikërisht të shfrytëzoj rastin për të thënë edhe një herë që bashkëjetesa e paqtë dhe në mirëkuptim të ndërsjellë midis besimeve fetare duhet marrë shembull në të gjitha drejtimet.
Ajo çka ka ndodhur vitet e fundit, për sa u përket iniciativave për të marrë pjesë në zhvillimet europiane, çka filloi në vitin 1991 me OSBE-në, pastaj në vitin 1995 me anëtarësimin në Këshillin e Europës, në vitin 2009 me anëtarësimin në NATO, ku u arrit një pikë kulminante e këtyre zhvillimeve, më pas në vitin 2014 me marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian, ku jo vetëm përmes këtyre iniciativave vendi juaj ka sjellë në vëmendje që dëshiron të jetë pjesë e Bashkimit Europian, por edhe Bashkimi Europian nga ana e tij ka treguar gatishmërinë që ta pranojë Shqipërinë si pjesë e kësaj familjeje të madhe.
Në këto synime dhe prioritete të ndërsjella, më lejoni që qoftë nga perspektiva e vendit, qoftë nga perspektiva e Bashkimit Europian, është një rast i mirë të sjell në vëmendje që ky nuk është një proces automatik, por është një synim reciprok, realizimi i të cilit është i lidhur ngushtë me përmbushjen e kushteve, të cilat duhet të krijohen. Duhen ditur se cilat janë pritshmëritë që ju janë drejtuar, ndaj për këtë arsye do t’i prek pak edhe këtu.
Dëshiroj t’u referohem progres raporteve të Komisionit Europian, të cilët u japin sigurisht shteteve, të cilat synojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian mundësinë apo një panoramë të përgjithshme për gjendjen e procesit.
Ju e dini, sikurse unë, që ajo çka duhet bërë është një pjesë e mirë dhe e vështirë rruge. Për këtë qëllim Reforma në Drejtësi, në këndvështrimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë, e cila duhet të jetë e garantuar, jo thjesht e lajmëruar, e njoftuar, por e garantuar, është një kusht i domosdoshëm për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Duke qenë se gjatë mandatit tim kam mundur të asistoj dhe të përjetoj disa procese negociatash për Bashkimin Europian, dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj, pikërisht të mund të gjej gatishmëri nga të dyja palët, sepse shpeshherë kam pasur rastin të konstatoj që ka një lloj ngutjeje nga vendi që aspiron kandidimin në Bashkimin Europian dhe këto reforma do të mund të realizoheshin mjaft mirë duke qenë thjesht kandidat për Bashkimin Europian deri në momentin që bëhesh pjesë e tij.
Ne e dimë atë çfarë kemi parashikuar atëherë, që reformat për anëtarësimin në Bashkimin Europian nuk realizohen, nuk ka rëndësi për çfarë arsyeje, aq më pak pas mbërritjes në Bashkimin Europian, pra ndoshta edhe më me vështirësi.
Për Shqipërinë, sikurse edhe për disa vende të tjera, vlen të thuhet se Bashkimi Europian, sikurse e dini, nuk është në një situatë plotësisht të thjeshtë.
Zhvillimi i Bashkimit Europian dhe sigurisht ekzistenca e tij varet nga kompromisi dhe aftësia për të arritur kompromisin e 28 vendeve anëtare. Prandaj interesi për zgjerimin me shtete të tjera është i kufizuar.
Kjo i rrit më tepër pretendimet për të pasur anëtarë të tjerë në Bashkimin Europian dhe unë personalisht shoh një numër shumë të kufizuar vendesh që do t’i përfytyroja si vende të ardhshme të Bashkimit Europian. Shqipëria është njëri prej këtyre pak vendeve, të cilin do ta përfytyroja si anëtare të ardhshme dhe për të cilin unë do të uroja që të ketë një proces reformash sa më të shpejta, por edhe konsekuent, proces i cili do të mund të realizohej vetëm përmes kryerjes dhe arritjes së premisave për të vendosur bazat e negociatave, të cilat do të përgatisin më pas anëtarësimin në Bashkimin Europian. Kjo sigurisht që do të përforconte edhe më tej marrëdhëniet ekonomike dhe të rrafsheve të tjera midis dy vendeve tona, duke u dhënë atyre një perspektivë më të mirë.
Vitin e ardhshëm ka një jubile, i cili na kujton interesat e përbashkëta të dy vendeve tona dhe është pikërisht interesi për futbollin. Në vitin 2017 do të jetë përvjetori i 50-të i njërës prej lojërave të futbollit më të shquara të skuadrës kombëtare shqiptare të futbollit, çka është quajtur ndoshta një ndër lojërat më “të turpshme” për ne. Atë vit për herë të parë dhe të vetme skuadra kombëtare gjermane e futbollit dështoi në rrugën e saj drejt Kampionatit Europian, pikërisht këtu në Shqipëri. Po kaq inkurajues është fakti që pikërisht këtë vit në kuadër të Kampionatit Europian të futbollit është e përfaqësuar jo vetëm skuadra kombëtare e Gjermanisë, por edhe Shqipëria. Pas ngjarjes traumatike, që kujtova, shpresoj që të kemi mirëkuptim dhe unë do ta prisja me kënaqësi një ndeshje finale midis skuadrave tona. Gjithsesi, uroj që gara sportive në Francë, ku do të ndesheni, të jetë tregues mjaft i mirë i bashkëpunimit dhe perspektivës pozitive për vitet e ardhshme.

Exit mobile version