Të ricikluarit e sotëm, dje e kishin betejën me PD

Nga Gjergji Nika

Një shprehje e urtë thotë: “Në shtëpinë e të varurit nuk flitet për litar!”.

M’u kujtua teksa shikoja në portale udhëzimin e numrit 2 të të rithemeluarve që kërkonte “hapjen” e partisë së mbyllur duke joshur përkrahësit dhe drejtuesit e strukturave të Bashës, duke “u hapur derën të gjithë drejtuesve dhe anëtarëve demokratë që u larguan me Lulzim Bashën në kohën kur ai kishte vulën.”

Problemi eshte se ata te cilët jane ngarkuar per te zgjidhur problemet , janë vetë problemi!
Ia keni hequr vetes monopolin e opozitës me pazaret tuaja!

Si ftesë politike është formuluar me gjuhë korrekte dhe do të ishte gjë e mirë, nëse do të zbatohej në rast se do të ishte e sinqertë dhe në rast se do të kishte një politikë normale e vizionare për Shqipërinë, shqiptarët dhe demokratët!

Por skena politike nuk është as normale dhe ftesa e nr 2 të të rithemeluarve në riciklim nuk është as e sinqertë!

Sepse të ricikluarit e sotëm deri dje kishin një betejë të pamëshirshme kundër Partisë Demokratike, edhe me mjete të dhunshme, për të marrë monopolin e opozitës. Dhe kjo betejë kundër vetes dëshpëroi thellë çdo faktor opozitar, por edhe prodhoi një spektër të ri opozitar, që ka shumëfishuar opozitën shqiptare, duke i hequr shanset një fitoreje në 2025 dhe duke i dhënë mandatin e katërt në tavolinë Ramës, për t’u shfajësuar përsëri për humbjen dhe për të mos mbajtur asnjë përgjegjësi pas zgjedhjeve.

Si mund të jetë e sinqertë “ftesa” kur të gjithë shqiptarët janë të ndërgjegjshëm se PD u sulmua dhe u shkatërrua për shkak të halleve të një njeriu, kur PD u shkatërrua dhe u mbyll në një rrugicë dhe u bindën edhe më mosbesuesit e demokratëve, madje edhe shumë militantë fanatikë se PD është tani një zyrë avokatie për familjarët e atij që ka problem me Drejtësinë dhe partnerët euroatlantikë.

Si e sa e sinqertë është ftesa kur vetë ajo ka një ngërç? Si mund të ftosh drejtuesit e degëve të “strukturave paralele” të vijnë në të njëjtat pozicione drejtuese? Drejtuesit e partisë së të rithemeluarve ku do të shkojnë? Sepse këtu ka tre gjëra ose nuk ke struktura të ngritura, ose gënjen, ose duke joshur me postet drejtuese “bashistët” fut përçarjen në parti dhe mban gjallë frymën disfatiste dhe përçarjen.

Sa e sinqertë është kjo ftesë kur në tre vite çfarë nuk keni lënë pa thënë për ata që nuk donin berishizmin, por zgjodhën rrugën europiane të politikës.
Kur në tre vite i keni sharë, fyer, bullizuar, i keni quajtur pakicë dhe i keni quajtur të shitur, ndërkohë që koha tregoi se pazaret i bëtë ju me Ramën?

Sa e sinqertë dhe për bazë duhet të merret kjo ftesë që formulohet nga Noka e Bardhi, dy armiq deri dje, që sot u “bashkuan në diversitet” duke e urryer akoma për vdekje njëri- tjetrin.

Sa e sinqertë është kjo ftesë dhe sa e realizueshme mund të jetë, kur Basha ka bërë rekurs në gjykatë dhe pritet vendimi për logon e vulën? Përse ky nxitim? Çfarë dini apo nuhasni?

Sa e sinqertë është kjo ftesë kur keni bërë këto tre vite aleancat më të ndyra kundër demokratëve të vërtetë me LSI në zgjedhje dhe me PS në Kuvend për amnistinë penale, kodin zgjedhor, luftën kundër SPAK e Drejtësisë, etj, etj?

Si mundet që demokratët, për të cilët kur morët logon e vulën nga “gjykatat e Ramës” flisnit me përbuzje e mospërfillje që s’kishin nga tja mbanin, por do ktheheshin në vathë të besojnë tani te ju?

Të besojnë tek të njëjtat fytyra 20 apo 30- vjeçare të politikës?
Të besojnë tek ata që janë emëruar dhe jo zgjedhur?
Të besojnë tek ata që thyenin karrige e ndiznin flakadanë në Kuvend dhe me të marrë një thelë filluan t’i buzëqeshnin kundërshtarit dhe të putheshin në Kuvend me armiqtë e të besuarit e Ramës?
Apo sa më i madh sherri, aq më i lartë pazari?

Si mund të besojnë demokratët që me humbësit kronikë do të fitohet në 2025-ën?
Si mund të besojnë demokratët që me të njëjtat fytyra do të vijë e reja dhe ndryshimi?

Si mund të besojnë demokratët që duke bërë të njëjtat veprime nga të njëjtët njerëz, rezultati do të jetë i ndryshëm?
Si mund të bëhen demokratët pjesë e pazareve dhe e intrigave?

Jo!
Sot askush nuk i ha më dokrra të tilla! As nuk i beson ftesa të tilla! As nuk u përgjigjet ftesave të tilla, përveç ndonjë karrieristi apo arrivisti, nga ata që historikisht kanë përfituar nga sakrifica, mundi e idealizmi i demokratëve për një vend në parlament, për një post në qeveri, për një tender apo përfitim tjetër. Veç atyre që kanë qenë butakë në karakter, dembelë e përfitues në jetë askush nuk i beson ftesa të tilla!

Artikulli paraprakPasi e shkatërruan PD me justifikimin ‘Basha shiti zgjedhjet’, tani po bëjnë gati humbjen me motivin ‘Rama do na vjedh zgjedhjet’
Artikulli tjetërNaim Meta: Thirrja për bashkim e atyre që shkatërruan PD-në, është hipokrizi