“Pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, asnjë shoqëri nuk ka bërë progres dhe asnjë demokraci nuk ka të ardhme të sigurtë”. Ky është mesazhi i të rinjve të djathtë europianë në mbështetje të kauzës së opozitës në mbrojtje të votës së lirë.
Forumi Rinor i Partisë Demokratike mori mbështetjen e të rinjve të djathtë europianë për kauzën e zgjedhjeve të lira e të ndershme, të ngritura nga opozita shqiptare bashkë me qytetarët, në një qëndresë tashmë 73 ditore.
Gjatë një kongresi të mbajtur në Kroaci, të rinjtë europianë dhanë mbështetjen e tyre të plotë për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri.
“Siç u faktua në çdo palë zgjedhje të organizuara nga Edi Rama në këto 4 vite, paratë e drogës, krimit dhe korrupsionit do të përdoren për të blerë zgjedhjet e ardhshme. Për këtë arsye, opozita në Shqipëri me mbështetje të fortë të rinisë, po proteston prej më shumë se 70 ditësh. Sot s’ka njeri që nuk e di se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme. Por dhe Edi Rama është i vetëdijshëm se pa patur karrigen e kryeministrit, nuk mban dot pushtetin dhe paratë që u ka vjedhur shqiptarëve. Kjo është arsyeja kryesore përse ai nuk i hap rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha kreu i FRPD, Belind Këlliçi. Të rinjtë demokratë shqiptarë ndanë edhe shqetësime mbi rininë shqiptare me drejtues të organizatave rinore nga vende të ndryshme të BE-së, si dhe me kryetarin e sapozgjedhur të të rinjve të EPP, Andrianos Giannou. Ata theksuan se rinia shqiptare përballet me papunësi në shifra mbi 40%, një reformë arsimore që i la jashtë universiteteve, kriminalizim e kanabizim të vendit.
“Parlamenti dhe administrata u shndërrua nga Edi Rama në strehë të krimit. Falë mbështetjes që Rama dhe drejtues të policisë i dhanë trafikantëve, Shqipëria u shndërrua në Kolumbi të Europës siç e fakton dhe raporti i DASH apo EUROPOL. E vetmja mundësi punësimi që iu dha të rinjve në qeverinë Rama ishin arat me kanabis”.