Të rinjtë e Durrësit i janë bashkuar apelit të kreut të PD, Basha për të nisur më 18 shkurt rrugën pa kthim drejt ndryshimit të madh që do vijë përmes zgjedhjeve të lira. Basha u prit në një takim nga të rinjtë e Forumit Rinor të Durrësit me të cilët ndau shqetësimin mbi situatën e rëndë që ka përfshirë qytetin ku ata jetojnë ashtu si edhe gjithë vendin.
“Më ka ftuar sot Forumi Rinor i Degës së Durrësit në përgatitjet që po bëjnë për protestën mbarë popullore të datës 18 shkurt.
Bashkë diskutuam për gjendjen ku është katandisur Durrësi e në veçanti rinia e Durrësit. Ky qytet, i cili ka një histori mijëra vjeçare me të cilën krenohet e gjithë Shqipëria, ka një qytetari të rrallë, Durrësi i gëzimit të verës me të cilën ne shoqërojmë gjithmonë kujtimet tona, ne që s’jemi durrsakë, që mezi prisnim që të vinim këtu, sot është një qytet i depresuar psikikisht, ekonomikisht dhe në çdo rrafsh tjetër.
Në Durrës si kudo në Shqipëri, shpresa dhe mundësia për të nesërmen është vrarë nga një kastë e korruptuar që shikon vetëm xhepat e vet dhe ka braktisur interesat e qytetarëve të Durrësit, ka braktisur interesat e durrsakëve. Nuk i shërbehet më as punësimit, as infrastrukturës, as shëndetësisë, as arsimit, i shërbehet vetëm xhepave të Vangjush Dakos dhe bandës kriminale që e solli dhe e mban në pushtet. I shërbehet vetëm xhepave të Edi Ramës dhe banditëve me të cilët mendon se do të diktojë zgjedhjet e ardhshme” u shpreh kreu i PD.
Kreu i PD foli për ndryshimin që kërkon sot çdo shqiptar ndërsa theksoi se ndryshimi i madh do të vijë vetëm përmes zgjedhjeve të lira. “Ata marrin koncesione qindra milionë dollarëshe, rinia rri rrugëve. Nuk mund të vazhdojë më kështu. Shqipëria do ndryshim. Ndryshimi vjen përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe rinia durrsake është gati për të garantuar që zëri i atyre që sot nuk dëgjohen, të kumbojë më 18 shkurt dhe, me 18 shkurt do të kumbojë zëri i shumicës dërrmuese të shqiptarëve që sot nuk dëgjohen për shkak të propagandës dhe mashtrimit qeveritar.
Shqiptarët e braktisur nga qeveria do të marrin fatin e tyre në dorë. Shqiptarët e braktisur nga qeverisja do të diktojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, unë i garantoj ata se do të kenë një qeverisje të qytetarëve një qeveri të qytetarëve, një kryeministër të qytetarëve” tha Basha.
Basha tha se programi i PD do të sjellësi mundësi reale për qytetarët, duke nxitur ekonominë, punësimin dhe frymëmarrjen ndaj sipërmarrjes.
“Ndaj sot, ne do t’i japim një mesazh gjithë qytetarisë durrsake, gjithë durrsakëve, e në veçanti të rinjve. Një mesazh jo përmes patriotizmit fals dhe retorikës boshe apo gënjeshtrës, por përmes zgjidhjeve konkrete që unë dhe Partia Demokratike kemi e do të vëmë në jetë për rininë me anulimin e Ligjit për Arsimin e Lartë, me investime në Universitetin e Durrësit dhe gjithë sistemin arsimor të Durrësit. Me mundësinë për mijëra të sapo diplomuar durrsakë që të kryejnë stazhe njëvjeçare me pagesë nga buxheti i shtetit, në këtë mënyrë, të aftësohen e të bëhen pjesë e tregut të punës. Me taksa të ulëta, me rritje të investimeve publike që hapin vende pune dhe me shpenzime sociale, që të rrisim pensionet dhe t’i japim ndihmë ekonomike gjithë familjeve që kanë nevojë për të” tha kreu i PD.
“Partia Demokratike është e gatshme të marrë peshën për të larguar Durrësin dhe durrsakët nga buza e greminës ku i ka sjellë “Rilindja” e mashtrimeve të 300 mijë vendeve pune, të shëndetësisë falas dhe abuzimeve të velës së betonit 6 milionë dollarë, të ajrit që ndotet, të Durrësit që përmbytet, të shëndetësisë që nuk funksionon. Por që të ndodhë kjo, duhet që durrsakët të shprehin vullnetin e tyre të lirë e të pa kërcënuar, e të pa mashtruar. Zgjedhje të lira dhe të ndershme është apeli me të cilin shqiptarët bashkohen në 18 shkurt”.
“Në këtë mënyrë askush nuk ka pse të largohet më nga Durrësi e nga Shqipëria, për mungesë shprese dhe mundësie. Në këtë mënyrë, fati i çdo qytetari do të përcaktohet nga vetë ata, sepse me zgjedhje të lira dhe të ndershme, qytetarët do të zgjedhin ndryshimin, do të zgjedhin një qeveri që qeveris për ta dhe jo për xhepat e një grushti hajdutësh dhe banditësh.
Nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me banda dhe kriminelë. Nuk do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me politikanë të korruptuar, por do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, sepse shqiptarët nuk do të falin askënd që dëshiron të mbajë peng Shqipërinë, duke mbajtur peng zgjedhjet. Askush nuk do ta gëzojë as edhe një ditë të vetme një pushtet të tillë.
Ndaj bashkohemi të gjithë më 18 shkurt në Tiranë, jo për një parti politike, jo vetëm për një axhendë politike, por për qëllimet e mbarë shqiptarëve. Ndryshim, sepse kështu nuk çohet më jeta. Ndryshim, sepse Shqipëria nuk mund të vazhdojë më kështu. Ata që nuk duan ndryshim, duan ta mbajnë Shqipërinë kështu se për ta është mirë. Ata ndërtojnë vela 6 milionë dollarëshe dhe fusin 3 milionë në xhepat e tyre, me beton” tha Basha.
Kaosi ka pllakosur vendin, bashkë më 18 shkurt për të ndalur krimin
Mjaftojnë lajmet e vetëm një jave, ku kronikat për trafikun e drogës, krimin, vrasjet, grabitjet e dhuna dëshmojnë për situatën dramatike që ka përfshirë gjithë vendin. Partia Demokratike përmes Sekretares për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma denoncoi dje se “Krimi, pushteti i krimit po dominon rrugët, po dominon shtëpitë, po dominon edhe aeroportin ndërkombëtar të vetëm të vendit, edhe Portin e Durrësit”. Duke bërë bilancin e ngjarjeve të ditëve të fundit, Duma citoi: “8 tonë drogë kanë kaluar në Portin e Durrësit, duke bërë sikur nuk i ka vënë re njeri, por në fakt realiteti s’mund të jetë kurrë i tillë. 8 tonë drogë nuk mund të kalojnë pa i dalluar askush, por kalojnë me bekimin e shefave, të cilët sigurisht në këtë aferë dhjetëra miliona euro kanë marrë pjesën e tyre. Në aksin Tiranë-Rinas, në pikun e trafikut janë vjedhur me grabitje të armatosur jo pak, por tre milionë euro. Mbrëmë kryeqyteti pësoi një tjetër grabitje me armë në një supermarket. Në Elbasan, një karburant u grabit me armë, një shtëpi u grabit me armë”. Çfarë ndjejnë qytetarët? Pasiguri, jo rend, jo siguri për jetën e tyre dhe asgjë tjetër, e cila mund t’i mbrojë. Ku është rendi? Ku është qeveria?”.
Ajo tha se mungesa e rendit dhe sigurisë janë arsyeja e fortë përse shqiptarët duhet të bashkohen më 18 shkurt për ti dhënë fund padrejtësive të qeverisjes Rama.
“Sigurisht në këtë tablo në të cilën të gjithë qytetarët e dinë shumë mirë që e drejta e tyre për rend, për siguri dhe për t’u mbrojtur është dhunuar, del Tahiri i Ramës që na thotë se e kanë fajin gjithë të tjerët. E ka fajin shoqëria, e kanë fajin kalimtarët, e kanë fajin edhe populli, e ka fajin kultura. Në fakt, mund ta ketë fajin edhe videoklipet, u ka bërë thirrje edhe artistëve e këngëtarëve të mos përdorin armë nëpër videoklipet e tyre, por ata nuk kanë asnjë faj.
Populli e kupton qartë se kjo është përgjegjësi e Ramës, dhe se atij nuk i bëhet vonë për sigurinë dhe rendin e qytetarëve.
Jemi sot këtu për të paraqitur para shqiptarëve realitetin e përmbledhur të një kaosi, të një kaosi, i cili nuk është një kaos i pazot, por është një kaos i dirigjuar që krimi dhe pushteti të dominojë jetën e shqiptarëve. Shqiptarët e dinë që legjitimiteti dhe e drejta e tyre për të qenë të sigurt në jetën e tyre të përditshme është një e drejtë themeltare. Shqiptarët e dinë këtë dhe për këtë arsye mblidhemi më 18 shkurt të gjithë bashkë e ngrihemi të gjithë bashkë. Jemi përballë një vendimi të madh që më 18 shkurt të fillojë një erë e re në të cilën shteti i krimit dhe shteti kundër qytetarëve duhet të rrëzohet” tha Sekretara për Marrëdhëniet me Publikun.
Arben Shahini