Të sëmurët kanë frikë të deklarojnë që nuk ka ilaçe sepse i shqelmojnë jashtë nga çdo klinikë

Deputetja e Partisë Demokratike, Fatbardha Kadiu ka akuzuar qeverinë se po përdor administratën e QSUT-së për politikë. Përmes një reagimi Kadiu shkruan se mjekët duhet t’i përgjigjen betimit të Hipokratit dhe jo të Ramo-narkokratit. Ata duhet të merren me të sëmurët dhe jo të dezinformojnë për shkak të frikës që kanë për vendin e punës.
Po kështu Kadiu shkruan që shteti paratë që përdor për check-up që nuk e bën askush, t’i përdorë për të furnizuar spitalet me ilaçe e konkretisht me herceptinën.
Reagimi i plotë i Fatbardha Kadiut
Dje kolegia ime e deputete e Komisionit të Shëndetësisë, denoncoi mungesën e ilaçeve në QSUT. Denoncoi mungesën e herceptinës që e kanë jetike të sëmurët me kancer.
Qeveria reagoi duke përdorur një punonjëse shëndetësie e cila me “ua ua” recitoi, “sa shumë ishte habitur se pacientët e kancerit janë të lumtur me QSUT-në tonë”.
Madje kjo aparatçike e pashëndetshme ndaj të vërtetës na këshilloi që nëse duam të informohemi për të sëmurët mos pyesim ata, por vetë shefat e QSUT.
Turpi i parë është që e quajnë veten mjekë dhe duhet t’i përgjigjeshin betimit të Hipokratit që kanë bërë.
Këta mjeranë vënë brrylat, shtyjnë të sëmurët dhe i përgjigjen betimit të Ramo-narkokratit.
I drejtohem kastës se nderuar të mjekësisë të cilët kanë sakrifikuar për jetët e njerëzve dhe kanë punuar edhe pse i kanë vënë mbi krye shefa si te Ezopit gomerë e tradhëtarë.
I drejtohem atyre që e dinë shumë mirë që sot një i sëmurë me kancer, pa herceptinë dhe pa ilaçe vuan një kancer edhe më të rëndë; ka frikë të dalë e të deklarojë që nuk ka ilaçe sepse e shqelmojnë jashtë nga çdo klinikë.
I drejtohem atyre njerëzve të nderuar të mjekësisë që kuptojnë se diz-humanizimi i mjekut është më i rëndë se dez-informimi i propagandës dhe shitjes së shpirtit te ndonjërës për pak shefllëk!
Mungesa e herceptinës është urgjente, dhe urgjente është që paratë të kalojnë nga check up që s’i bën njeri, tek herceptina!

Exit mobile version