Të shëruarit nga COVID-i dhe teoritë konspirative

Dr.Erion DASHO

Një prej pyetjeve më të shpeshta që bëhen lidhur me vaksinimin kundër COVID-it është: Pse duhet të vaksinohet një person që ka kaluar COVID-in?

Logjika më e thjeshtë thotë se një person i shëruar krijon përgjigje imunitare që e mbron atë nga infektime të mëtejshme. Për më tepër, praktika tregon se riinfektimi i personave të shëruar është shumë i rallë, pothuajse një përjashtim.

Pavarësisht kësaj, rekomandimi i pjesës më të madhe të institucioneve ka qënë dhe akoma vazhdon të jetë se edhe një person i shëruar duhej të vaksinohet gjashtë muaj pas kalimit të sëmundjes. Në vendet e Bashkimit Europian kjo bëhet me një dozë të vetme vaksine (e njohur edhe si dozë rifreskuese). Argumenti është si vijon:

Duke nisur nga muaji i katërt pas kalimit të sëmundjes, titri i antitrupave anti-COVID në gjak ulet ndjeshëm, ndërsa në muajin e shtatë kjo ulje është akoma më e shprehur. Sidoqoftë, deri në muajin e njëmbëdhjetë sërish në gjakun e personave të shëruar, ende ka prani antitrupash. Bazuar mbi këto të dhëna, deri para pak javësh besohej se brenda vitit të parë, personat e shëruar kishin një mbrojtje rreth 80% në raport me riinfektimin. Ecuria e imunitetit pas vitit të parë mbetej ende objekt hamendësimesh.

Zbulimi i parë që tronditi konceptin mbi imunitetin anti-COVID si atribut afatshkurtër ishte publikimi i datës 24 maj 2021 në revistën prestigjioze “Nature”. Dr. Turner dhe ekipi i tij zbuluan qeliza plazmatike në palcën e kockave të personave që kishin kaluar COVID me shenja mesatare. Përfundimi i studimit ishte se COVID-i mund të lërë imunitet afatgjatë, ndoshta të përjetshëm.

E dyta, dhe ndoshta referenca më e rëndësishme, është studimi izraelit i publikuar në fund të muajit gusht. Ky është studimi observues më i madh në botë deri tani. Studimi konkludoi se një person që kishte kaluar më parë infeksionin nga COVID kishte 13 herë më pak risk të riinfektohej krahasuar me një person të vaksinuar. Pra, studimi izraelit konkludoi se një person i shëruar nga COVID-i është shumë më i mbrojtur se një person i vaksinuar.

Ç’rol mund të kenë këto studime në ecurinë e pandemisë?

Sot, pothuajse në të gjithë botën programet e vaksinimit po hasin probleme dhe kundërshti. Përkrahësit e teorive konspirative, pjestarët e lëvizjeve Anti-Vax dhe No-Vax, por edhe persona të cilët thjesht janë të zhgënjyer me establishmentin politik dhe ekonomik janë bërë pengesë jo e vogël për çdo program vaksinimi.

Sa më shumë mundohen autoritetet e shëndetit publik të promovojnë vaksinimin, aq më shumë shtohen argumentet kundër (me lajtmotiv të drejtat e njeriut, por shpesh të kamufluara edhe pas teorive konspirative dhe pseudoshkencore).

Çdo përpjekje për ta bërë të detyrueshëm vaksinimin e personave ende të pavaksinuar, po përballet me një reaksion shumë të fortë, pothuajse në kufijtë e konfrontimit. Kësaj here të drejtat dhe liritë e njeriut janë argumenti kryesor dhe, për mendimin tim, ky argument është i drejtë dhe i pakundërshtueshëm.

Në këto kushte, duke patur parasysh evidencat e mësipërme, ka ardhur koha që institucionet shkencore prestigjioze dhe organizatat rregullatore të analizojnë sa më parë dhe sa më shpejtë të dhënat dhe njohuritë e disponueshme.

Nëse provohet se imuniteti natyror është më afatgjatë dhe më i fortë se ai artificial (i krijuar nga vaksina), sigurisht që duhet rekomanduar përjashtimi i personave të shëruar nga programet e vaksinimit.

Një veprim i tillë do të kishte përfitime të shumëfishta ku do të veçoja dy prej tyre:
》Ekonomizimin e vaksinave duke i ruajtur ato për personat që realisht kanë nevojë.
》Qetësimin e skeptikëve duke kontribuar kësisoj në pakësimin e argumenteve Anti-Vax.

Sa më parë që të ndërmerret një hap i tillë, aq më mirë!

Referencat:
SARS-CoV-2 infection induces long-lived bone marroë plasma cells in humans (botuar në revistën “Nature” në datën 24.05.2021)
Having SARS-CoV-2 once confers much greater immunity than a vaccine—but vaccination remains vital (botuar në revistën “Science Magazine” në datën 26.08.2021)

Exit mobile version