Të shtëna me armë janë dëgjuar mesditën e djeshme në qytetin e Lezhës, duke krijuar frikë dhe panik tek qytetarët. Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri për motive ende të paqarta në afërsi të depove të ujit, pranë kalasë së qytetit të Lezhës.
Krismat janë dëgjuar për më shumë se 5 minuta, ndërsa kjo situatë vuri në alarm edhe Policinë e Lezhës. Këta të fundit krehën menjëherë zonën ku u dëgjuan krismat, ndërsa mësohet se kanë qenë tre të rinj, të cilët kanë qëlluar, njëri prej të cilëve është ndaluar nga policia.
Gjithashtu blutë po punojnë edhe për identifikimin e dy personave të tjerë si dhe gjetjen e armës me të cilën është qëlluar. Ende nuk dihen arsyet që i çuan tre të rinjtë për të qëlluar me breshëri arme në ajër, duke cënuar rendin dhe sigurinë publike në qytetin e Lezhës.