Të votosh është një e drejtë, jo një detyrim

Nga Ervis Iljazaj

Një nga propozimet e rithemelimit për reformën zgjedhore është ajo që detyron qytetarët shqiptarë të paraqiten në kutitë e votimit, në ditën kur ka zgjedhje.
Ose e thënë ndryshe, votimi të bëhet me detyrim, në të kundërtën parashikohen sanksione.
Është e qartë se opozita shqiptare gjendet në vështirësi për të frymëzuar njerëzit për të marrë pjesë në votime, apo për arsyen tjetër, atë të reduktimit të manipulimit të zgjedhjeve. Sigurisht që kjo është një tentativë e cila ka vështirësi të mëdha teknike për tu aplikuar. Por nuk është vetëm çështje teknike, është sidomos edhe një çështje parimore apo e filozofisë politike.

Të votosh në fakt, në demokracitë e sotme është një e drejtë dhe jo një detyrim. Nuk ka se si të jetë e tillë. Dhe kështu ndodh në shumicën e demokracive perëndimore. Në Europë aktualisht janë vetëm tre vende që e aplikojnë detyrimin e votimit. Greqia, Belgjika dhe Luksemburgu. Dy të parat e kanë pothuasje formalisht, sepse ka kohë që nuk aplikohen sanksione për ata që e shkelin këtë detyrim. I vetmi shtet që sot e aplikon detyrimin e votës është praktikisht Luksemburgu. Një shtet me 600 mijë banorë.

Të gjitha vendet e tjera demokratike europiane detyrimin për të votuar e kanë një detyrim moral apo kulturor dhe aspak ligjor. Dhe të mendosh që ulja e pjesëmarrjes në votime, në të gjitha vëndet demokratike është e ndjeshme. Ka shumë arsye se përse ka një rënie drastike të pjesëmarrjes në votime, por askund nuk e paraqet si zgjidhje detyrimin e votës ndaj këtij fenomeni. Në raport me vendet e tjera, në Shqipëri pjesëmarrja në votime është më e madhe po të marrësh në konsideratë vetëm qytetarët që gjenden në Shqipëri, në ditën e votimit.

Votën e detyruar zakonisht e kanë regjimet autoritare, të shkuara apo edhe ato ekzistente siç është Koreja e Veriut. Të mosh votosh, në vetvete është një sjellje politike ashtu sikurse është edhe e kundërta, të votosh.

Problemi i Shqipërisë nuk zgjidhet ashtu siç e mendon opozita, që të çosh njerëzit me detyrim të votojnë, por zgjidhet duket frymëzuar ata që të shkojnë të votojnë me dëshirë. Një nga sfidat kryesore sot është pikërisht që opozita të frymëzojë njerëzit të dalin në votime. Sepse në zgjedhjet e fundit shumë votues të saj dhe kritikë me qeverinë qëndruan në shtëpi ditën e zgjedhjeve. Dhe sigurisht ky problem nuk zgjidhet duke e bërë votimin me detyrim.

Aq më tepër votimi me detyrim zgjidh problemin e manipulimit të votës. Edhe ky fenomen, një nga arsyet se përse ndodh është mungesa e shpresës te politika, sidomos te opozita që e ka për detyrë të frymëzojë njerëzit. E kur njerëzit s’kanë shpresë se diçka më e mirë mund të ndodhë, se një alternativë më e mirë ekziston, apo ngaqë mendojnë që të gjithë janë njësoj, atëherë e shesin votën e tyre fatkeqësisht.
Problemeve politike nuk nuk mund ti ofrosh një zgjidhje tenike siç është rasti për detyrim ligjor për të votuar. Problemet politike kërkojnë zgjidhje politike. Rruga e detyrimit është rruga më e shkurtër në pamundësi për të krijuar një garë politike që i bën njerëzit të kenë besim dhe të dalin nga shtëpia për të votuar dhe për të zgjedhur alternativën e tyre.

Kështu që detyrimi i votës në Shqipëri është në kundërshti, si me aspektin teknik të aplikimit të saj, sidomos në atë parimor. Në demokracitë liberale, vota është një e drejtë dhe jo një detyrim. Nëse kthehet në një detyrim, atëherë politika dhe demokracia kanë dështuar.

Exit mobile version