Të vrarë në diktaturë, ja vendet ku dyshohet se ndodhen trupat e të burgosurve politikë! Si u vendos dënimi me vdekje për “komplotistët kundër shtetit”, ç’parashikonte Kodi Penal i regjimit të Enver Hoxhës

Shqiptarët kanë përjetuar diktaturën komuniste më të egër në Europë, me pasoja shumë të rënda për ta, ndërkohë që krimet e asaj periudhe ende nuk janë zbardhur plotësisht.

 

Gjatë periudhës së regjimit komunist në Shqipëri u krijua një sistem sundues diktatorial, i cili u mundua të siguronte mbijetesën e tij nëpërmjet metodave të ndryshme frikësuese dhe sanksionuese të njerëzve. Shumë persona janë hetuar, akuzuar, dënuar, persekutuar dhe ekzekutuar në emër të popullit për shkak të kundërshtimit të regjimit. Nga statistikat mbi numrin e dënimeve rezulton që: janë pushkatuar 5.577 burra dhe 450 gra, janë burgosur për arsye politike 10.133 burra dhe 7.367 gra (nga të cilët 1.065 kanë vdekur gjithsej), kanë humbur aftësinë mendore nga torturat 408 njerëz, janë internuar për motive politike 20.000 familje, nga të cilët kanë vdekur 7.022 persona në zonat e internimit. Ka edhe raporte të shumta ku thuhet se të burgosur politikë vdiqën në burgjet apo kampet e punës si rezultat i torturave apo shkaqeve të tjera si për shembull, vetëvrasje. Edhe në këto raste trupat nuk i ktheheshin familjes, sepse në regjimin komunist trupi i të dënuarit mbetej në dispozicion të shtetit gjatë gjithë kohëzgjatjes së dënimit edhe në qoftë se ai vdiste. Por, megjithatë, qëllimi i vërtetë ishte parandalimi i shndërrimit të varreve të të burgosurve politikë në vende simbolike për mitingje apo protesta kundër partisë. Gjatë viteve institucionet publike dhe të afërmit e të zhdukurve kanë gjetur rreth 100 kufoma njerëzish, në disa raste të pa identifikueshme. Një nga zbulimet e para të eshtrave të të pushkatuarve ishte në vitin 1993, pranë Urës së Beshirit në Tiranë, ku u gjetën 22 të pushkatuarit për incidentin e bombës në ambasadën sovjetike.

Në vitin 2010 u zbulua edhe një varrezë masive afër Malit të Dajtit. Si rezultat i zhvarrimeve nga Instituti Shqiptar i Mjekësisë Ligjore, 13 trupa u gjetën si dhe mbetje. Sipas informacioneve të marra nga dëshmitarë dhe dokumente, në Shqipëri janë identifikuar deri më tani 29 vende ku dyshohet se ndodhen trupa të tjerë të të burgosurve politikë, të vrarë në periudhën e regjimit komunist. Kodi Penal i regjimit të Enver Hoxhës numëronte 34 krime të dënueshme me dënim me vdekje mes të cilave 12 ishin krime politike, si “arratisje nga shteti” (Art. 47), sabotim i “ekonomisë socialiste dhe i organizimit e administrimit të shtetit” (Art. 53) apo “agjitacion dhe propagandë fashiste, anti-demokratike, klerikë, luftënxitëse dhe anti-socialist” (Art. 55). Në vitin 1952, në kohën e manisë së “spiunazhit anglo-amerikan” u prezantua dënimi me vdekje për të gjithë “komplotistët kundër shtetit”. Disa krime politike si Art. 55, ishin pjesë e Kushtetutës. Në maj të vitit 1990 u krye një liberalizim i parë i Kodit Penal, duke reduktuar në 11 krimet për të cilat parashikohej dënimi me vdekje. Lista e personave të dënuar me vdekje për motive politike, gjatë regjimit komunist, përfshihen në veçanti intelektualë, politikanë, tregtarë, pronarë tokash dhe klerikë. Dënimi me vdekje vazhdoi të zbatohej në Shqipëri edhe pas rënies së regjimit komunist, por vetëm për krime të zakonshme. Dënimi i fundit me vdekje ndaj kriminelëve të zakonshëm është dhënë në Tiranë më 15 mars 1995. Pas disa muajsh u prezantua një moratorium, i cili çoi në shfuqizimin definitiv të dënimit me vdekje, në vitin 1999.

PARALAJMËRIMI PAS LUFTËS

Eliminimet fizike, burgosjet, likuidimi i klasave dhe grupeve kundërshtare të komunistëve, u paralajmëruan që pa mbaruar Lufta. Në vitet 1944 – 1947, tetë burgje ekzistuese në Shqipëri iu rezervuan të burgosurve politikë të cilët përcaktoheshin si “armiq të popullit”, shtatë të burgosurve normal të përcaktuar si “ordinerë” dhe tre burgje ishin të përziera. Me kalimin e viteve regjimi hapi burgje të reja në të gjitha qendrat kryesore, duke i specifikuar ato për të burgosurit politikë dhe burgjet e destinuara për të burgosurit ordinerë. Zakonisht në burgje dërgoheshin për të vuajtur dënimin personat e dënuar, të cilët, për shkak të gjendjes së tyre fizike, nuk kanë pasur mundësi të kryenin ndonjë punë në kampet e punës (repartet e riedukimit), si dhe ata të cilët gjatë kohës së mbajtjes së dënimit në kampet e punës kanë shkelur rëndë dhe në mënyrë sistematike rregullat e brendshme, ose në ndonjë mënyrë tjetër mbajtja e tyre në kampet e punës ose repartet e riedukimit ka paraqitur rrezikshmëri. Po ashtu burgjet dalloheshin nga kampet e punës edhe për nga regjimi i mbajtjes së dënimit.

Në burgje regjimi i mbajtjes së dënimit ishte më i rëndë në krahasim me kampet e punës ose repartet e riedukimit nëpërmjet punës. Të dënuarit gjatë mbajtjes së dënimit në burgje kishin të drejta më të kufizuara sesa në kampet e punës. Çdo 3 ditë, një qytetari do t’i bëhej gjyq politik ose ekzekutohej me ose pa vendim gjykate dhe eshtrat e tyre nuk dihen ende se ku janë. Vetëm në qytetin e Shkodrës janë 400 familje të cilat nuk i kanë gjetur eshtrat e të pushkatuarve dhe qindra të tjerë në Shqipëri presin një varr për t’u prehur. Çdo 2 muaj, i burgosuri politik pësonte gjymtime mendore e politike për shkak të keqtrajtimit në hetuesi dhe çdo 2 javë, një i burgosur politik vdiste në burg. Çdo 2 javë, burgosej një qytetar. Çdo 2 muaj, internoheshin 3 persona. Ndër burgjet e destinuara për “armiqtë e popullit” më famëkeqi ishte ai i Burrelit, konsiderohej si një super burg nga i cili ishte e pamundur të arratiseshe dhe në të cilin të burgosurit politikë jetonin në kushte çnjerëzore. Të shumta janë dëshmitë që tregojnë për të burgosur politikë që vdiqën në burgje apo në kampet e punës, kryesisht prej torturave apo shkaqeve të tjera, si vetëvrasja. Edhe në këto raste, trupi i viktimës nuk i kthehej familjes, sepse në regjimin komunist trupi i të dënuarit mbetej në dispozicion të shtetit përgjatë dënimit, madje edhe pas vdekjes.

HETUESIA DHE TORTURAT

Procesi gjoja gjyqësor ndaj të dyshuarve për krime apo agjitacion dhe propagandë shoqërohej nga tortura të shumta, dhunë për të detyruar pranimin e akuzave të sajuara apo spiunimin e të pandehurve të tjerë mbi dëshmi të rreme. Gjatë procesit të stisur gjyqësor, diskutimi zgjatej pa fund rreth një argumenti dhe në fund i akuzuari që gjithnjë mbetej fajtor. Në rastin e gjyqeve të figurave të larta të regjimit, i akuzuari, gjithashtu, përjashtohej nga partia, arrestohej dhe përfundonte përballë skuadrës së pushkatimit. Përfundimisht, protagonisti kryesor i diktaturës komuniste, i hakmarrjes primitive e personale, arkitekti i strukturave dhe normave antinjerëzore, ideatori i luftës së klasave, për deformimin e njeriut, për varfërinë mesjetare, ishte Enver Hoxha. Nga rrëfimet dhe dëshmitë e ish-personave të dënuar si dhe të dhënat e tjera të kësaj periudhe kohore mësojmë se ndaj të dënuarve në burgjet dhe kampet e punës është përdorur edhe tortura. Si mjete dhe forma të torturave që përdoreshin në burgjet dhe kampet e punës gjatë sistemit komunist në Shqipëri ishin ndër të tjera: jeleku i torturës (torturë e tmerrshme), dëmtimi i organeve gjenitale, lënia pa bukë, pa ujë, pa gjumë dhe në këmbë për ditë të tëra, elektroshoku, futja kripë në gojë me mbushje të plotë të gojës, dërgimi gjoja për pushkatim, futja me kokë poshtë në fuçi me ujë, djegia e mishit me cigare, hedhja e alkoolit në duar apo në flokë dhe ndezja e flakës, thyerja e kockave dhe shkulja e mishit me darë, futja në ujë dhe lënia të lagur në dimër, përdorimi i zgjojeve me bletë ndaj të burgosurve të zhveshur etj.

SLOGANI PËR SHPRONËSIMET

Me sloganin “Toka i takon atij që e punon”, qeveria e parë komuniste shqiptare në periudhën 1945-1946, ndërmori nëpërmjet disa fazave një reformë agrare radikale për shpronësimin e pronarëve të mëdhenj e të mesëm të tokave, përfshirë këtu dhe tokat në pronësi shtetërore, të kapitalit të huaj apo ato në pronësi të institucioneve fetare, dhe shpërndarjen e tyre në favor të fshatarëve. Në vitin 1976 me miratimin e Kushtetutës së re, u sanksionua eliminimi i pronësisë private mbi tokën dhe transformimin e saj në pronë shtetërore. Menjëherë u intestifikua konfiskimi i paligjshëm i pasurive të luajtshme e të paluajtshme të ish-ballistëve, legalistëve, indipendentëve, i të burgosurve e të arratisurve politikë dhe i gjithë atyre pronarëve e qytetarëve, që u quajtën “armiq e tradhtarë . U vendos tatimi i jashtëzakonshëm ndaj tregtarëve, të cilët burgoseshin e torturoheshin nëse nuk e shlyenin dot, si dhe nisi shpronësimi i borgjezisë dhe pronarëve vendas, shtetëzimi i pasurive e ndërmarrjeve të tyre private, pa asnjë formë shpërblimi.

Nga viti 1951, tatimi i jashtëzakonshëm u aplikua edhe kundër kulakëve. Shumica prej ish-pronarëve u keqtrajtuan duke iu nënshtruar përbuzjes nga ana e shoqërisë, dhunës, dëbimeve, internimeve dhe spastrimeve. Lufta kundër tyre synonte uljen e influencës së kulakëve dhe realizimin e izolimit politik të tyre. Edhe shtypi i kohës iu kundërvu kësaj klase për të nxitur përkrahësit e regjimit ku “Zëri i Popullit” shkruante: Kulakët, nga pozita e tyre si klasë, janë armiq të betuar të fshatarësisë punonjëse dhe të pushtetit tonë popullor. A mund ta ndërrojë kulaku lëkurën dhe shpirtin e tyre? Jo kurrë, ai është armik i betuar i klasës punëtore, i Republikës sonë Popullore, i demokracisë sonë. Në vitin 1979, në Shqipëri nuk kishte asnjë fermë individuale private.

MASAT NDËSHKUESE

Pas vendimeve të marra në dhjetor 1944, një sërë urdhëresash detyruan një kategori të caktuar njerëzish: pronarë tokash, tregtarë, ish-politikanë të largohen nga qytetet kryesore të Shqipërisë si: Tiranë, Durrës, Korçë, Shkodër etj., dhe të jetonin në zona të tjera të vendit. Këtyre individëve u hiqej e drejta për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, të cilat u konfiskuan dhe e përdorën për të strehuar zyrtarë të regjimit të ri. Të internuarit dërgoheshin sa më larg banimit të tyre: jugorët në veri dhe veriorët në jug. Që prej vitit 1945, filloi të përdorej internimi si një masë ndëshkimore ndaj kundërshtarëve politikë. Të dhënat më të hershme që kemi për zbatimin e kësaj mase i takojnë shkurtit të vitit 1945, kur Mehmet Shehu porositi të internohen personat që strehojnë të arratisurit në male, apo “kriminelët e luftës”, si dhe ata që nuk pranonin të dorëzonin armët. Një tjetër kategori që u internuan që në fillimet e vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, ishte ajo e familjeve të personave që ishin dënuar si “kriminelë lufte. Që në hapat e parë të instalimit të diktaturës, qeveria e re, u kujdes që të shtrinte kontrollin e saj mbi të gjithë institucionet e kulturës, gazetat dhe transmetimet në radio. Mediat ishin totalisht të varura dhe të kontrolluara nga pushteti i kohës dhe ato kontrolloheshin rreptësisht nga Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë, sekretari i komitetit qendror të Partisë për propagandën, shefi i sektorit të shtypit apo drejtoria e agjitacion-propagandës. Agjenda e shtypit dhe e mediave totalitare përcaktohej nga pushteti komunist në varësi dhe në shërbim të propagandës së shtetit.

Shtëpitë botuese ekzistuese u mbyllën të gjitha, gazetat dhe revistat gjithashtu. Revistat që kishin bërë emër gjatë dekadave paraardhëse, si “Hylli i Dritës”, apo “Përpjekja Shqiptare”, jo vetëm u ndaluan, por u hoqën nga qarkullimi të gjitha kopjet ekzistuese. U krijua Lidhja e Shkrimtarëve, pranë së cilës, një komision letrar militant, hartoi listën e veprave të ndaluara prej autorë shqiptarë të paraluftës. Në listën e të librave që u hoqën nga qarkullimi dhe autorët e ndaluan, u përfshinë dhe emrat më të njohur të kulturës shqiptare, si Ndoc Nikaj, At Gjergj Fishta, Faik Konica, Ernest Koliqi, At Anton Harapi, Musine Kokalari, Ali Asllani etj. Organet e shtypit u vunë në kontroll të Partisë Komuniste (më vonë Partia e Punës). Shtypi ndahej sipas vendndodhjes gjeografike të gazetave në shtypin qendror dhe shtypin lokal. Shtypi qendror përfshinte organin zyrtar të shtypit të Partisë, “Zëri i Popullit”, si edhe gazetat e tjera: “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë”, “Puna”, “Mësuesi”, “Drita”, “Luftëtari” dhe “Sporti Popullor”.

Shtypi lokal përfshinte  rreth 27 gazeta. Zëri i Popullit, si organ qendror, si dhe gazetat lokale në dispozicion të komiteteve të Partisë së rretheve, ishin një element i rëndësishëm në propagandën e regjimin totalitar shqiptar. Censura u shtri në të gjithë fushat e artit dhe jetës publike, me kontroll të rreptë mbi median, artin, letërsinë, kulturën dhe muzikën. Artistët ishin shpeshherë objekt i përndjekjes dhe persekutimeve, si në rastin e Festivalit të 11 të Këngës në Radio Televizion, kur udhëheqja e kohës dënoi festivalin dhe trupën artistike si një festival që përhapte kulturë borgjeze, duke dënuar, burgosur dhe dërguar në internim një pjesë të madhe të trupës artistike.

ZHDUKJA E TRUPAVE

Si çdo diktaturë, edhe ajo shqiptare ishte e vetëdijshme se, nëse ekzekutimet politike do të ishin të rralla, njerëzit e përndjekur do të përbënin rrezik të përhershëm për atë regjim, nëpërmjet shprehjes së mendimeve të tyre kritike mbi regjimin komunist dhe mungesën e lirisë dhe jetës normale të njerëzve. Po ashtu, nëse trupat e njerëzve të pushkatuar për arsye politike do të varroseshin në mënyrë normale, ata do të mund të shndërroheshin në simbole konkrete dhe frymëzuese të zhgënjimit dhe urrejtjes ndaj regjimit komunist. Zhdukja e trupave të të përndjekurve politikë të ekzekutuar krijonte një trysni të fortë psikologjike mbi të afërmit e viktimave dhe shoqërinë në tërësi, se krimet e tyre kishin qenë aq të rënda sa u mohohej edhe varri dhe nderimi pas vdekjes, që bënin pjesë në traditat njerëzore të zakonshme të të gjitha kohëve dhe të të gjithë popujve. Pas 80 vitesh nga pushkatimet e para të regjimit komunist ndaj intelektualëve, pronarëve, klerikëve ende në Shqipëri vazhdojnë përpjekjet për gjetjet e eshtrave të këtyre të pushkatuarëve.

Kanë qenë të shumta projektet për këtë proces kaq delikat, por ende asnjë rezultat nuk ka dalë në dritë përveç kërkimeve sporadike nga të afërmit e të pushkatuarve. Shkodra është qyteti i parë nga ku ka nisur edhe një projekt për gjetjen e eshtrave të të zhdukurve gjatë kohës së ish-regjimit komunist. Për këtë qëllim Autoriteti për Informimin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit, përfaqësues të ish-të përndjekurve në Shkodër dhe familjarë të të pushkatuarve vite më parë kanë bërë një skanim të vendeve ku mendohet që janë zhdukur dhe pushkatuar me dhjetëra persona përgjatë viteve 1945 deri 1948 nga diktatura. Fusha e Rrmajit aty ku ndodhen varrezat katolike të Shkodrës bashkë me zallin e Kirit është një vend i njohur për plumbat breshëri të lëshuar mbi dhjetëra klerikë, intelektualë të pafajshëm të ekzekutuar gjatë diktaturës komuniste në vitin 1945- 1948. Ata u pushkatuan pa gjyqe e me gjyqe falsë, te muri i jashtëm i varrezave, buzë lumit Kir, pranë Çinarit të Zef Zorbës, për arsye se donin që Shqipëria të jetë Perëndimore. Shkodra si qark ka 601 të pushkatuar nga regjimi komunist,136 të vdekur ndër burgje, 2846 të burgosur politik dhe 1924 të internuar politikë.

KAMPET E PUNËS

Përveç burgjeve regjimi filloi dhe ndërtimin e kampeve të punës, si vende ‘edukimi dhe rehabilitimi’, ku dënimi kryhej duke bërë punë të detyruar si bonifikim tokësh, ndërtime publike, nxjerrje mineralesh apo punë në bujqësi. Kampet e punës ndërtoheshin posaçërisht pranë vendit ku të burgosurit duhet të punonin. Pothuajse të gjithë të burgosurit që ishin në gjendje të punonin, dërgoheshin në këto kampe dhe me kalimin e viteve numri i kampeve të punës tejkaloi atë të burgjeve. Punimet publike më të mëdha në Shqipëri, gjatë viteve të komunizmit, janë realizuar nëpërmjet punës së detyruar të të burgosurve. Menjëherë pas ardhjes në pushtet, në vitet 1945-1953, komunistët konsoliduan pushtetin duke vrarë dhe persekutuar të gjithë kundërshtarët e tyre politike. Në këtë periudhë regjimi ngriti 6 kampe përqendrimi të rrethuar me tela për të internuar “familjet armike” të kundërshtarëve politikë, kryesisht gratë, pleqtë dhe fëmijët e atyre që ishin arratisur, dënuar ose ekzekutuar. Për rreth 8 vite u mbajtën hapur kampe të rrethuar me tela në Krujë (1945-1947), Berat (1945-1949), Porto Palermo (1949- 1950), Tepelenë (1949-1953), Kamzë (1948-1953) dhe Valias (1948-1953).

Ngritja e kampeve të punës së detyruar me të dënuar dhe paraburgosur si dhe ngritja e kampeve të internimit, kishte qëllim të shumëfishtë, përdorimin e punës së detyruar, pa pagesë në degët më të vështira të ekonomisë, eliminimin e klasave kundërshtare, parandalimin e rrëzimit të pushtetit dhe ndikimin në gjithë popullatën. Pas vitit 1954, regjimi i internoi të dënuarit politikë në qindra kampe të hapura kryesisht në fshatra dhe zona të thella malore. Të internuarit paraqiteshin 3 herë për apel dhe u ndalohej largimi nga vendi i internimit. Në periudhën e viteve 1950-1990 u ndërtuan edhe 90 kampe të tjerë: ato mbeten të hapur për kohën e nevojshme që duhej për të përfunduar punën e besuar të burgosurve. Më i madhi dhe më famëkeqi ishte ai i Spaçit, i cili mbeti i hapur nga viti 1968 deri në vitin 1990 për shfrytëzimin e një miniere bakri dhe piriti. /Gazeta Panorama

Artikulli paraprakVetëm 17 vjeç, sulmuesi i Kombëtares U-19 ftohet sërish për ndeshjen e Seria A
Artikulli tjetërTë gjitha “fajet” i ka Basha!