“Teatër opozita bashkoi votat me Ramën për të liruar të korruptuarit”/ Basha: Pazari i vulës për të goditur SPAK dhe mbyllur listat i dorëzon kryeministrit pushtetin në tavolinë

Në konferencën për mediat, kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka denoncuar marrëveshjen mes Ramës dhe Berishës për amnistinë e të dënuarve nga GJKKO, sikurse u provua nga raportimi i kreut të SPAK, Altin Dumani.

Sipas Bashës marrëveshja për amnistinë u ndoq nga ajo për sabotimin e komisionit të Reformës Zgjedhore dhe pazari për vulën, përmes të cilit Rama siguron një mandat tjetër, ndërsa Berisha monopolin e teatrit opozitar.

Fjala e Bashës:

Akti i amnistisë, i provuar katërcipërisht edhe nga raportimi zyrtar i kreut të SPAK, provon paktin midis qeverisë dhe teatër opozitës. Teatër opozita në këtë pakt ka liruar të korruptuarit, ka liruar vjedhësit e votave, ka liruar vjedhësit e fondeve të shqiptarëve, ndërkohë që ka pranuar të vazhdojë ndjekja penale për protestuesit që u ngritën kundër korrupsionit, të Partisë Demokratike, të opozitës, dhe në tërësi protestuesit kundër padrejtësive dhe korrupsionit të qeverisë të Edi Ramës. Pakti vazhdoi me prishjen e komisionit për Reformën Zgjedhore, dhe krijimin e një celule okulte të cilës i është dhënë detyra nga kryeministri dhe ish-kryeministri të mbyllin listat, që janë hapur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që edhe zgjedhjet e ardhshme dy dinosaurët e tranzicionit të mund të kontrollojnë votën e shqiptarëve.
Pakti vazhdon me lëvizjet e përgatitura për të goditur SPAK, për të eliminuar shpërdorimin e detyrës si vepër penale nga kodi penal, për t’i mohuar SPAK mbështetjen financiare, burimet njerëzore dhe ndryshimet legjislative, me qëllim që ky kërcënim jetik ndaj të korruptuarve, siç është SPAK, dalëngadalë të zvogëlohet, të mpaket e të mos kryej misionin nga i cili i kanë sytë gjithë shqiptarët, që është vënia para drejtësisë e të korruptuarve pa dallime politike dhe dhënia fund e tranzicionit.

Tjetër plan kanë Edi Rama dhe Sali Berisha, Katovica 2, do të ribashkojë ato pjesë të ndara të PPSH-së që u nisën me misionin jo për të sjellë demokraci, liri tregu, barazi para ligjit, por për të rivendosur klika të reja të pushtetit e për t’i përjetësuar ato në formën e klaneve apo pushtetit familjar. Ky është mirëkputimi që vjen me një kosto të lartë për shqiptarët në tërësi dhe demokratët në veçanti, sepse pjesë e këtij pakti është që t’i hapet rruga Edi Ramës që të qeverisë edhe 4 vite të tjera Shqipërinë, në këmbim të vulës së opozitë dhe të përpjekjeve për t’i dhënë fund çdo akti të vendosjes para drejtësisë të të korruptuarve të kësaj qeverie dhe të korruptuarve në tërësi.

Exit mobile version