Teatri i antagonizmit: Një regjim me dy protagonistë në simbiozë destruktive

Nga Neli Demi

Një regjim, dy fytyra

Nëse do t’i shihnim si dy pole të kundërta, Rama dhe Berisha përfaqësojnë gjithë spektrin e një Shqipërie të ndarë, të lodhur, të kthyer në spektatore të krizës së vet. Por në thelb, ata janë të lidhur me një fijë të padukshme, të ngjashme me marrëdhënien mes një substance dhe pasqyrimit të saj në një tjetër medium. Secili përkufizohet nga ekzistenca e tjetrit. Secili ka ndërtuar legjitimitetin e vet mbi refuzimin e tjetrit.

Berisha është kthyer si një “antidot” ndaj së keqes që quhet Rama. Rama përherë ka fituar si “shpëtimtar” ndaj së shkuarës që përfaqëson Berisha. Njëri gërryen të sotmen për të mbrojtur një të shkuar të idealizuar. Tjetri kap të ardhmen për të shmangur llogaritë e së shkuarës. Dhe ndërsa gjuha politike flet për përplasje, realiteti na flet për një simbiozë destruktive, ku lufta mes tyre nuk shkatërron sistemin, por e stabilizon atë duke shkatërruar çdo gjë tjetër që përpiqet t’i rivalizojë.

Kjo marrëdhënie nuk është më thjesht konkurrencë. Është një binar i vetëpërtëritshëm, një dualizëm që paralizon çdo alternativë. Rama dhe Berisha janë dy fytyra të të njëjtit model pushteti. Një model që nuk funksionon më për qytetarin, por vetëm për kastën që e mirëmban.

Simbioza destruktive si një formë stabiliteti të kalbur

Në natyrë, simbioza është marrëdhënie bashkëjetese mes dy organizmash që përfitojnë nga njëri-tjetri. Në politikë, kur kjo marrëdhënie ndodh mes dy kundërshtarësh që e mbajnë njëri-tjetrin gjallë përmes përjashtimit të të tretëve, kemi të bëjmë me një simbiozë destruktive.

Rama dhe Berisha, në mendimin tim, janë aktorë të këtij tipi simbioze. I pari ka ndërtuar një regjim të mbështetur mbi kontrollin e mediave, kapjen e institucioneve, kriminalizimin e procesit zgjedhor dhe iluzionin e modernitetit. I dyti mban peng çdo mundësi të reformimit të opozitës, duke shfrytëzuar forcën/instiktin e mbijetesës personale si strategji politike.

Berisha është alibia më e vlefshme për çdo gabim të Ramës. Rama është garancia më e fortë për mbijetesën e Berishës. Asnjëra palë nuk ka interes të zhdukë tjetrën, sepse zhdukja e njërit do të thotë krizë për vetë legjitimitetin e tjetrit. Ky është paradoksi i këtij sistemi simbiotik: nuk qëndron në peshoren e vlerave, por në ekuilibrin e frikës.

Dhe ndërsa kjo simbiozë thellohet, shoqëria shqiptare zhgënjehet në heshtje, intelektualët ftohen nga pjesëmarrja publike, qytetari dekurajohet nga vota dhe vetë demokracia shndërrohet në një ritual pa përmbajtje.

Rregjimi i mungesës së zgjedhjes

Kur gjithçka përqendrohet rreth këtij dueti antagonisto-simbiotik, realiteti politik i vendit shndërrohet në një teatër, ku publiku nuk sheh më dallimin mes rolit dhe aktorit. Votuesit nuk zgjedhin më. Ata ndryshojnë pozicionin e spektatorit në sallë, por jo shfaqjen.

Në këtë kontekst, mungesa e alternativës bëhet qëllim politik, jo pasojë. Sepse çdo përpjekje për të thyer këtë rreth vicioz përballet me dy forca të bashkërenduara: refuzimin agresiv të opozitës së vjetër dhe strategjitë e përthithjes të pushtetit aktual. Të dyja funksionojnë si valvola të së njëjtës makineri që nuk lejon qarkullimin e ideve, figurave, apo projekteve që nuk burojnë nga vetë trupi i saj.

Dhe kështu, qytetari ndihet (ngel) pa hapësirë: i zhgënjyer nga një opozitë që nuk e bind dhe i lodhur nga një pushtet që e mbyt. Ai largohet, hesht, dorëzohet. Demokracia zbrazet nga kuptimi. Frika rikthehet si formë e vetme organizimi i shoqërisë.

Përtej protagonistëve: Nevoja për një akt të ri politik

Nëse Rama dhe Berisha janë dy protagonistët e një teatri që zgjat prej dekadash, atëherë kriza e sotme nuk është më thjesht krizë politike. Është krizë e imagjinatës politike kolektive, e aftësisë për të përfytyruar një tjetër skenë, me aktorë të rinj dhe me një publik që nuk rri më spektator por kërkon llogari.

Sepse një simbiozë destruktive jeton vetëm për aq kohë sa publiku e ushqen me frikë dhe me plogështi. Me frikën se çdo alternativë tjetër është më e keqe, dhe me plogështinë për të ngritur një alternativë të re.

Kjo është arsyeja pse çdo përpjekje për të ndërtuar një rrymë të tretë, një qasje ndryshe, shpërfillet, ridikulizohet, injorohet. Sepse do të duhej të thyente këtë binar të forcës dhe nostalgjisë, të pushtetit dhe revanshit.

Por historia nuk përparon nga ringjallja e simboleve të vjetra, por nga guximi për të shpikur një tjetër mënyrë të të menduarit dhe të të vepruarit. Shqipërisë i duhet një kthesë që nuk vjen as nga të rikthyerit në skenë, as nga të paprekshmit në pushtet, por nga ata që guxojnë të lexojnë të sotmen me sy të lirë dhe të flasin me zë të vetin.

Nëse nuk dalim nga ky teatër, do të na përcaktojnë gjithmonë rolet të tjerët. Dhe historia do të mbetet peng i dy aktorëve që ushqejnë njëri-tjetrin me praninë e vet.

Artikulli paraprakTesti në Gjuhën Shqipe dhe Letërsi, dalin tezat 20 minuta pas fillimit të provimit
Artikulli tjetërÇfarë ndodhi pas vrasjes në Durrës? Dëshmia e Erion Alibej