Të martën në mbrëmje, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro është përballur me artistët në emisionin “Top Show” përballë artistëve të skenës Arben Derhemi, Altin Basha, Genc Fuga, Gëzim Kame dhe Robert Budina. Kumbaro u shpreh qartë se, Teatri Kombëtar do të shembet për të ndërtuar një tjetër më dinjitoz, projekti itë cilit po studiohet.
“Në këtë truall do të ndërtohet një teatër kombëtar dinjitoz. Në këtë truall të bëhet ky Teatër. Këtë nuk e kam fshehur. Më lejoni ta them dhe e regjistroni. Ideja jonë është që të ndërtohet një Teatër i mirëfilltë Kombëtar në këtë zonë. Në bashkëpunim me kryetarin e Bashkisë kemi folur edhe për ndërtimin e disa institucioneve kulturore. Ne i kemi kërkuar kryetarit të Bashkisë që të parashikojë në të njëjtin truall një projekt për Teatër Kombëtar. Nuk ka ende një projekt. Është çdo gjë duke u diskutuar për projektin dhe anën financiare”, u shpreh ajo.
Aktori Arben Derhemi tha se trupa e artistëve nuk do të lejojë zhvendosjen e Teatrit Kombëtar dhe se një gjë e tillë ndodh vetëm po të kalohet mbi trupat e tyre. “Ne do të dalim nga ai Teatër kur të kaloni mbi trupat tanë”, tha Derhemi.