Nga Dallandyshe Xhaferri/ shteg.org
Zona e Zhvillimit të Teknologjisë dhe Ekonomisë (TEDA) nënshkroi kontratën e parë me një kompani të huaj, e cila ushtron veprimtarinë e saj në Shqipëri, ndonëse punimet në zonë ende nuk kanë mbaruar dhe hapësira e saj rrethohet nga puset e thella të impiantit fantazmë të Kasharit.
Pavarësisht se TEDA është ideuar për të tërhequr investitorë të huaj nga e gjithë bota për të investuar në Shqipëri, kompania izraelite që nënshkroi kontratën e parë në fushën e teknologjisë, vepron në vendin tonë që prej vitit 2022 dhe deri në muajin dhjetor të vitit 2024 vetëm një kompani e huaj kishte shprehur interesin për të investuar në vendin tonë.
Sipas të dhënave publike, 5 tenderat për zhvillimin e punimeve nga Bashkia Tiranë në zonën TEDA kalojnë vlerën e 100 milionë lekëve të reja, ndërkohë që 3 prej tyre janë vlerësuar me flamur të kuq.
Qendra globale e teknologjisë
Pak metra larg Impiatit “fantazëm” të Trajtimit të Ujërave të Ndotura dhe shumë pranë puseve me tabelën “Rrezik” në rrugët e mbushura me baltë të Kasharit, ndodhet hapësira prej 35 hektarësh e zonës së Zhvillimit të Teknologjisë dhe Ekonomisë (TEDA), njohur ndryshe si zona e parë e ekonomisë së lirë në Shqipëri.
Pavarësisht infrastrukturës rrugore dhe ndotjes së mjedisit për shkak të derdhjes së ujërave të zeza të kryeqytetit në atë zonë, TEDA është projekti i që synon të sjellë në Shqipëri investitorë nga e gjithë bota në fushën e teknologjisë dhe të inovacionit.
Gjatë ditës së sotme 28.02.2025 u arrit nënshkrimi i marrëveshjes së parë me një kompani izralite që do të investojë në TEDA.
Në prani të Kryeministrit Edi Rama, ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja dhe ambasadores së Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, gjatë ditës së sotme, 28 shkurt 2025, u nënshkrua marrëveshja në fushën e teknologjisë midis Zonës së Lirë Ekonomike të Bashkisë Tiranë (TEDA) dhe kompanisë izraelite “H.A.P.I Advanced Technologies LTD”.
TEDA është projektuar si zonë teknologjike dhe e zhvillimit të ekonomisë konkuruese për tregun e ekonomisë globale, punimet e së cilës përllogariten se do të përfundojnë në mars të vitit 2026. Deri në dhjetor të vitit të kaluar, 2024, sipas përgjigjes që Agjencia për Zhvillimin e Investimeve (AIDA) ka vendosur në dispozicion të “shteg.org”, vetëm një kompani kishte shprehur interesin për të aplikuar projektet e saj në zonën e TEDA(ës).
“Pas verifikimeve të kryera pranë institucionit tonë, rezulton vetëm një kompani “CVMR” Corporation, e cila është një kompani kanadeze, lider global në teknologjinë e prodhimit të metaleve e cila ka shprehur interesin e saj për të aplikuar në sektorin TEDA”, – thuhet në përgjigjen zyrtare, ndërkohë që përcaktohet se aplikimi në muajin dhjetor ndodhej në fazën e parë të shfaqes së interesit dhe ende nuk është arritur nënshkrimi i një marrëveshjeje.
Por ndryshe nga përgjigjja zyrtare që AIDA vendosi në dispozicion të “shteg.org”, në janar të 2025-ës, gjatë nisjes së fazës të dytë së ndërtimeve që parashikon ndërtimin e godinave, Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se ishin disa kompani që shprehnin interesin për t’u implementuar në Shqipëri.
“Ne jemi pionerët e parë në këtë eksperiment. Kemi disa kompani të para nga Izraeli dhe nga vende të tjera të BE, të cilat duan të instalohen këtu,” – deklaroi muajin e kaluar Veliaj.
Ndërkohë, që kompania izraelite më të cilën TEDA nënshkroi marrëveshjen për zhvillimin e teknologjisë, sipas të dhënave në Open Corporates është themeluar nga shoqëria mëmë izraelite në vitin 2022 me kapital fillestar prej 100 lekësh. Kryesisht kjo kompani ofron konsulencë, dizajn, furnizim, instalim dhe implementim i rrjeteve dhe shërbimeve dhe zgjidhjeve IT dhe kibernetike.
Strehëza e investitorëve strategjikë
Aktualisht, TEDA i përngjan një fushe të lënë dierrë, rëndësinë e së cilës e përcakton vetëm tabela e zbehtë informuese e Bashkisë Tiranë.
Sipas të dhënave zyrtare, ky projekt shtrihet në një sipërfaqe prej 35 hektarësh dhe ka mundësi zgjerimi edhe me 15 hektarë të tjerë, duke shkuar në 50 hektarë, ndërkohë që gjatë ditës së sotme ministri Gonxhja deklaroi se nga ky projekt me kosto 100 milionë euro përllogariten të punësohen 7 mijë vende pune.
“Falë këtij investimi, që deri në fund të tij pritet të arrijë vlerën e 100 milionë eurove, do të krijojmë kushtet për të zhvilluar industri si ajo automotive, farmaceutike, ICT, Hi-Tech, pajisje të precisionit të lartë, industri robotike, prodhim teknologjik, etj. Përllogaritet që në momentin e përfundimit, TEDA Tirana të gjenerojë mbi 7 mijë vende cilësore pune, me paga të larta”, u shpreh ministri Gonxhja, ndërkohë që vendi në të cilin ky projekt po implementohet ndodhet pak metra largësi nga Impianti i Trajtimit të Ujërave Të Zeza në Kashar, një tjetër projekt me koso prej 100 milionë eurosh, por jashtëfunksional për qytetin.
Sipas një vendimi të miratuar në vitin 2021 nga Komiteti i Investimeve Strategjike, me propozim të Bashkisë Tiranë dhe me firmë të Kryeministrit Rama, TEDA mban statusin si “Investim/Investitor Strategjik, Procedurë e Veçantë”.
“Statusi ‘Investim/Investitor strategjik, Procedurë e Veçantë’ i jepet projektit të investimit ‘Zona Teknologjike dhe e Zhvillimit Ekonomik (TEDA) Tiranë’ propozuar nga Bashkia Tiranë, për një periudhë 4 (katër) vjeçare”, – thuhet në vendim, ndërkohë që viti 2025 shënon përfunimin e mbajtjes së këtij statusi, edhe pse punimet ende nuk kanë përfunduar.
Ndërkohë që Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) bën të ditur për “shteg.org” se kjo agjenci është struktura administrative kompetente për dhënien e shërbimeve për investitorët të cilat aplikojnë dhe kërkojnë të përfitojnë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë”.
Sipas ligjit për investimet strategjike të cilit AIDA i referohet në zhvillimin e funksionit të saj, investitorët në sektorët e ndryshme të ekonomisë duhet të investojnë 30 milionë euro ose më shumë për të marrë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar” dhe 50 milionë euro ose më shumë për të marrë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”.
“Në zbatim dhe për efekt të këtij ligji, përkatësisht neni 8, janë përcaktuar edhe sektorët strategjikë, ku ndër të tjera është i parashikuar edhe sektori i “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” (TEDA)”, – thuhet në përgjigjen e agjencisë.
Tendera me “flamuj të kuq”
Sipas të dhënave të publikuara në Open Procurement, Bashkia e Tiranës ka çelur 5 tendera për realizimin e punimeve në zonën TEDA, në të cilat përfshihet studimi i vizibilitetit, mbikqyrja e punimeve dhe ndërtimi i ambjenteve të brendshme. Nga këto tendera dy kanë rezultuar të rregullta dhe 3 të tjerët, të cilët që lidhen me ndërtimin dhe mbykqyrjen e punimeve në lotin e tretë, si dhe me ndërtimin e shërbimeve të brendshme, janë vlerësuar me “flamuj të kuq”, që kupton shqetësimin për ekspozimin ndaj akteve joligjore, kryesisht korrupsionit gjatë procesit të tenderimit.
Sipas kontratave, vlera e tenderave të fituara deri më tani kanë shkuar më shumë se 100 milionë lekë.
Një shënim “RedFlag” apo “Flamur i kuq”, tregon një shqetësim apo ekspozim dhe mbi rrezik potencial te pajtueshmërisë ligjore, në lidhje me praktika korruptive dhe mosrespektimit të ligjeve anti-korrupsion.
Gjithashtu, një shënim “RedFlag” tregon se gara e prokurimit është zhvilluar me një konkurrent të vetëm. Ligji shqiptar i lejon këto lloj procedurash, por shpesh ato më shumë se mungesë konkurrence, shfaqin opsione të formulimit të kritereve në favor të një kompanie të paramenduar.