Tek Interi del në skenë “ideja” Sarri

Siç dihet, tek Interi janë në kërkim të një trajneri, pasi sipas të gjitha gjasave marrëdhënia me trajnerin Stefano Pioli do të përfundojë në fund të sezonit aktual. Pas kandidaturave të Kontes dhe Spaletit, tek Interi lind ideja e Sarrit, të cilit drejtuesit kanë ndër mend t’i ofrojnë një kontratë me parametrat e atyre që janë përfolur për Simeonen dhe Antonio Konten, me këtë të fundit që ngelet në “pole position”.
Trajneri i Napolit paraqet profilin ideal për një klub si Interi që synon rikthimin sa më të shpejtë në elitë. Në rast të mosmarrëveshjes më të vogël mes Sarrit dhe presidentit De Laurentis, njerëzit e Zhang janë gati për ofensivën e radhës për një trajner të ri.
Sikur të mos mjaftonin problematikat me klubet përkatëse të trajnerëve të sipërpërmendur, Konte dhe Simeone janë edhe objektiva të PSG që është në kërkim të pasardhësit të Unai Emerit, i cili me sa duket nuk i ka bindur drejtuesit transalpinë.
Nuk duhet harruar se Pioli ka një kontratë me zikaltrit deri në fund të vitit të ardhshëm, por ka rënë dakord për një “bonus” të majmë në rast se krerët e Interit do të vendosin të ndërpresin marrëdhënien kontraktuale me të. Sidoqoftë, përpara se ta largojnë, duhet gjetur fillimisht emri i kreut të ri të stolit zikaltër.
Konte është një emër i lakmuar, por mjafton një marrëveshje e re me Abramoviç që të zhduken shpresat për ta parë në shtator në “Pinetina”. Me italianin përflitet për një takim më 28 maj, pas finales se “Fa Cup”. Simeone paraqet tjetër problematikë.
Me humbjen 3-0 ndaj Realit, ideja për t’u larguar si fitimtar duket e pamundur që të marrë formë, ndaj “Çolo” mund të zgjasë qëndrimin në Spanjë edhe për një vit vetëm që të mos largohet pa asnjë trofe lamtumire. Me Spaletin e sfilitur nga përvoja romane, ngelet e përshkueshme vetëm “pista” Sarri.
Trajneri toskan ofron garanci të larta teknike dhe ka spikatur për karakterin e tij në lidhje me marrëdhëniet me yjet e skuadrës. Mes dy personave që “grinden” mund të përfitojë një i tretë, ndaj nuk duket e pamundur që të shohim Sarrin në krye të stolit zikaltër në kampionatin e ardhshëm.

Exit mobile version