“Tek telefoni i Monikës do të gjeni ‘peshkun e madh’”- Afera e inceneratorëve/ Ç’ndodhi gjatë seancës së Lefter Kokës

Pas disa seancash të dështuara, dje u zhvillua seanca për çështjen e inceneratorit të Elbasanit, në Gjykatën e Posaçme të Apelit.

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka kundërshtoi në Apelin e Posaçëm dënimin e tij me 6.8 vite burg nga GJKKO, për aferën e inceneratorëve. Koka është shprehur se nuk është ai “peshku i madh” dhe se nuk duhej të ishte dënuar për korrupsion.

SPAK ka relatuar në gjykatë ankimin e bërë kundër vendimit të shkallës së parë që shpalli të pafajshëm Alqi Bllakon për shpërdorim detyre. Për të njëjtën vepër, pafajësi mori edhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, por u dënua për korrupsion dhe pastrim parash me 5 vite e 6 muaj burg. Kërkesa e SPAK para Gjykatës së Posaçme të Apelit solli edhe reagimin e ish-ministrit i cili kërkoi pafajësi.

“Jam i pafajshëm, ju po kërkoni të më dënoni mua si “peshkun e madh”, por nuk jam unë “peshku i madh”. Unë jam biznesmen dhe nuk kam pasur nevojë të më paguajë biletat e udhëtimit Mirel Mërtiri. Avokatët e tij thanë që biletat e rezervuara janë 3 vjet më vonë se sa lidhja e kontratës. Prokurorët pse nuk marrin si referencë kontratat e tjera për landfille, si ai i Vlorës dhe Lezhës që janë më të shtrenjtë. Pse e ndatë dosjen apo që të më dënoni sa më shumë mua”, deklaroi Lefter Koka.

Ish-ministri i Mjedisit nuk i kursyeu akuzat ndaj Monika Kryemadhit duke kërkuar drejtësi. Lefter Koka u shpreh se po të hapet telefoni i Monika Kryemadhit, aty do të gjendet edhe “peshku i madh” i inceneratorëve.

“Ky është fiks kallëzimi i bërë nga Monika Kryemadhi, doni të gjeni korrupsionin, hapni telefonin e Monikës. Nuk më dënoni dot për korrupsion. Megjithëse ka kaluar një vit, konkluzionet e prokurorëve janë të njëjta. Unë e kuptoj që institucioni do të marrë kredibilitet dhe kjo gjykatë do të jetë në presion, por besoj se do të jepni drejtësi dhe do të ngriheni në nivelin e duhur të integritetit”, deklaroi z.Koka.

Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka foli në gjykatë për të paktën 20 minuta, në lidhje me këtë çështje. Ai është dënuar edhe për dosjen e inceneratorit të Fierit me 10 vite burg që për shkak të gjykimit të shkurtuar i ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht u dënua me 6 vite e 8 muaj heqje lirie. Ndaj Kokës është caktuar një masë e tretë sigurimi edhe për inceneratorin e Tiranës ku dyshohet për “shpërdorim detyre”.

Lefter Koka u dënua me 10 vjet burg, i konvertuar në 6.8 vite heje lirie për shkak të gjykimit të shkurtuar për krijimin e skemave mashtruese me faturat fiktive, për inceneratorin e Fierit. SPAK akuzon Kokën për abuzim me rreth 4 mln euro. Ish-ministri sipas SPAK, përfitoi në mënyrë të parregullt shuma të ndryshme monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë koncesionare.

Ai u lirua nga akuzat sa i takon djegësit të Elbasanit. Për inceneratorin e Elbasanit, SPAK kërkon në Apelin e Posaçëm ndryshimin e vendimit të shkallës së parë, që shpalli të pafajshëm për akuzën “shpërdorim detyre” ishdeputetin socialist Alqi Bllako dhe ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka. Në seancën që u zhvillua në Apel pas dështimit disa mujor, prokurorët Klodian Braho dhe Arben Kraja kërkuan që Bllako të dënohet me 4 vite burg, në përfitim të gjykimit të shkurtuar 2.8 vite burg, ndërsa për Kokën kërkon t’i shtohet edhe dënimi për “shpërdorim detyre”.

Artikulli paraprak“Ka marrë fund koha e pandëshkueshmërisë”, thirrja e ambasadorit gjerman: Mos e prekni reformën në drejtësi
Artikulli tjetërA duhet Meta sipas ligjit të gjykohet me dyer të hapura dhe me kamera për popullin?