Policia në Ostin të Teksasit tha se një person i dyshuar për një seri shpërthimesh vdekjeprurëse me pako-bombë ka vdekur, pas aktivizimit prej tij të një mjeti shpërthyes brenda makinës ku ndodhej në kohën kur policët po afroheshin. Shefi i policisë Brian Manley u tha gazetarëve se i dyshuari ishte një 24-vjeçar i bardhë, për identitetin e të cilit u siguruan të martën vonë dhe të mërkurën herët në mëngjes. Ata e diktuan makinën e tij në një hotel pranë qytetit Ostin. Më pas ai u largua dhe aktivizoi lëndën shpërthyese. Sipas shefit të policisë, hetuesit besojnë se ky person është përgjegjës për pesë shpërthime që kanë ndodhur në Ostin duke filluar nga 2 marsi. Nga shpërthimet u vranë dy vetë dhe u plagosën katër të tjerë. Autoritetet, tha zoti Manley, nuk e dinë nëse i dyshuari po shkonte të shpërthente një bombë tjetër dhe nuk janë ende të sigurt nëse ai ka vepruar i vetëm.
Ai tha se motivet e personit në fjalë ende nuk dihen. Një zyrtar mori lëndime të lehta gjatë shpërthimit të sotëm që ndodhi në një autostradë. Një polic përdori armën në vendin e ngjarjes. Pak pas ngjarjes, Presidenti Donald Trump i vlerësoi autoritetet me një koment në Twitter:
“I dyshuari për shpërthimet në Ostin ka vdekur. Punë e shkëlqyer e ligjzbatuesve dhe e gjithë të tjerëve”, shkruante ai. Sulmi i fundit ndodhi të martën kur një paketë-bombë shpërtheu në një stacion të shërbimit postar FedEx pranë San Antonios, rreth 100 kilometra në jugperëndim të qytetit Ostin. Një punëtor mori lëndime të lehta. Po të martën, policia shkoi në një tjetër objekt të FedEx-it pranë aeroportit të Ostinit për të hetuar një paketë të dyshimtë dhe përcaktoi se në të dy rastet fjala ishte për lëndë shpërthyese që kishin lidhje me pakot e tjera bombë. Hetuesit thanë se një tjetër paketë-bombë që shpërtheu të dielën vonë në Ostin, duke plagosur dy njerëz, u aktivizua përmes një teli në formë gracke dhe ishte më e sofistikuar se tre shpërthimet e mëparshme gjatë muajit mars.
Policia po i heton shpërthimet si krime të mundshme të urrejtjes. Tre shpërthimet e para vranë dy afrikano-amerikanë dhe lanë të plagosur rëndë një grua hispanike 75-vjeçare që është në rrezik për jetën. Autoritetet ofruan një shpërblim prej 100 mijë dollarësh për informacione që mund të çonin në arrestime dhe dënime të personave përgjegjës.