Telefonata Thaçi-Zaev pas përgjimeve, Hashimi sërish nuk mohon planin për copëtimin e Kosovës, por…

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të enjten se kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i ka kërkuar ndjesë për deklaratat që u bënë publike në një rreng ku ai kishte rënë pre dhe kishte përmendur përfshirjen e presidentit Thaçi në bisedime për ndarjen e Kosovës.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, ishte vënë në shënjestër të dy humoristëve rusë, të cilët përmes telefonit i janë prezantuar si ish-presidenti ukrainas Petro Poroshenko dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Në bisedën telefonike që u publikua të hënën mbrëma, është folur edhe për bisedimet Kosovë-Serb dhe kryeministri Zaev kishte shprehur shqetësimin se Kosova dhe Serbia “po përpiqen të shkëmbejnë territore” duke u hamendësuar nga ana tjetër se këtu mund të ketë ndikim rus dhe duke theksuar frikën për të ardhmen e Ballkanit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ka biseduar në telefon me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, për të sqaruar deklaratat e tij.

”Më ka thënë shumë qartë se ka qenë një rrethanë në të cilën ka ra pre e mashtrimit dhe të gjitha çka ka folur për gjoja për dhjetë komunat e Kosovës që do t’i jepen Serbisë i ka folur duke u bazuar në thashetheme, në dezinformata dhe në të dhënat apo lansimet e gazetës Sputnik dhe thashethemeve ruse. Këto janë fjalë të cilat m’i ka thënë”, tha presidenti Thaçi.

Ai tha se kryeministri Zaev ka kërkuar ndjesë për deklaratat e publikuara.
“Më ka kërkuar falje mua personalisht por edhe Kosovës, në të njëjtën kohë ka potencuar se ato që ai ka folur me mashtruesit të cilët e kanë thirrur në telefon, janë gjëra që nuk qëndrojnë në raport me Kosovën dhe në të njëjtën kohë ka potencuar qartë se nuk ka asnjë fakt, asnjë evidence, asnjë informacion zyrtar nga askush për ato që ka deklaruar, por të gjitha i ka të dëgjuara nga thashetheme lokale e ndërkombëtare e në të njëjtën kohë nga thashethemet në veçanti të prezantuara dhe lajmet e rrejshme sipas tij të gazetës Sputnik dhe informatave tjera ruse”, tha ai.

Presidenti Thaçi, tha se ka pasur përpjekje që edhe ai të bëhet pre e rrengut të humoristëve rusë të cilët e kanë bërë këtë edhe me shumë politikanë në botë.
Publikimi i deklaratave të kryeministrit Zaev, nxitën reagime në Kosovë ku Lëvizja Vetëvendosje bëri thirrje për largimin e presidentit Thaçi nga detyra, për shkak të siç u tha “planeve dashakeqe” për Kosovën.

Pa e përmendur drejtpërdrejtë rastin, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj shkroi në rrjetet sociale se “Askush nuk do të na ndajë. Sovranitetin, integritetin dhe paprekshmërinë e Kosovës, do ta mbrojmë me çdo çmim”.

Një vit me parë, presidenti serb, Aleksandër Vuçic dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, hodhën idetë për prekjen e kufijve në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Derisa presidenti serb flet për vënie kufiri, duke nënkuptuar shkëputjen e veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe dhe bashkimin me Serbinë, presidenti Thaçi angazhohet për “korrigjimin e kufijve”, përkatësisht bashkimin e Luginës së Preshevës, një rajon me shumice shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën.

Idetë kishin nxitur shumë reagime jo vetëm në Kosovë e Serbi por edhe në botë.
Aktualisht procesi i bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë mbetet i pezulluar për shkak se Beogradi kushtëzon vazhdimin e tyre me heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe që qeveria e Kosovës i vendosi në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa Prishtina kërkon që bisedimet të mos kushtëzohen.

Exit mobile version