Telegraph: Në Itali fitoi fryma anti-establishment, reagimi i Farage

Votuesit italianë po ndjekin rrymën anti-establishment, partitë euroskeptike dhe kanë refuzuar partitë politike tradicionale, sipas rezultateve zgjedhore. Lëvizja me Pesë Yje populiste, e themeluar nga komediani Beppe Grillo, si një sfidë bombastike ndaj rendit të establishmentit, rezultoi të ishte fituese e madhe në zgjedhjet e përgjithshme, një rezultat që u prit me tronditje nga Brukseli. Që me numërimin e gjysmës së fletëve të votimit, lëvizja me Pesë Yje kishte fituar një të tretën e votave, rreth 25 për qind më shumë se rezultati i saj në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013. Liga e euroskeptikëve dhe anti-emigracion mori gjithashtu një rezultat shumë të mirë. Shifrat sugjeronin se Liga e Veriut dhe Lëvizja me Pesë Yje kanë tërhequr 50 për qind të votave sëbashku. Liga ishte parashikuar të fitonte 17 për qind të votave – krahasuar me vetëm 4 për qind në zgjedhjet e mëparshme. Një goditje e rëndë për ish-kryeministrin Berlusconi, Liga arriti të fitojë më shumë vota se partia e tij e qendrës së djathtë Forza Italia. Të dy partitë janë në aleancë të paqëndrueshme, bashkë me dy parti të tjera të qëndrës së djathtë dhe sëbashku blloku pritej të fitonte 37 për qind të votave.

Asnjë parti ose aleancë nuk arriti të fitonte mbi prag prej 40 për qind të nevojshëm për të krijuar menjëherë qeverinë. Matteo Salvini, lideri i Ligës së Veriut, shkroi në Twitter: “Fjala ime e parë: Faleminderit”. Kishte një frymë euforike në selinë e partisë në Milano dhe zyrtarët thonin se rezultati i fortë i Ligës i tregoi Europës se italianët ndihen të keqtrajtuar. Partia Demokratike në pushtet, e drejtuar nga ish-kryeministri Matteo Renzi, pati një rezultat të dobët madje shkatërrimtar për partinë e qendrës së majtë. Duket se partia është ndëshkuar nga votuesit për normën e lartë të papunësisë, ekonominë në stanjacion dhe mirëpritjen e 600 mijë emigrantëve që mbërrijnë me varka nga Libia gjatë katër viteve të fundit. Si partia më e madhe, Lëvizja me Pesë Yje mund të kërkojë të formojë qeveri. “Askush nuk do të mund të qeverisë pa Lëvizjen me Pesë Yje”, tha anëtari Riccardo Fraccaro. “Ne do të marrim përsipër përgjegjësinë për të formuar qeverinë, por në një tjetër mënyrë, duke folur me të gjitha partitë për nevojat e vendit”, megjithatë, partia kishte kundërshtuar me kohë mundësinë e koalicionit me parti të tjera, duke garantuar kështu pasiguri në të ardhmen.

“Di Maio fitoi, Italia pa qeveri”, ishte titulli kryesor i “La Stampa” të hënën. Një skenar do të ishte një aleancë e paqëndrueshme ndërmjet Pesë Yjeve dhe Ligës – të dy kanë bërë thirrje për largimin e mijëra emigrantëve dhe të dy kanë flirtuar me largimin e vendit nga euro”.
Por shumica e analistëve mendojnë se ky do të ishe një kombinim shumë i çuditshëm. Nigel Farage përgëzoi rezultatin e mirë të Pesë Yjeve. “Përgëzoj kolegët e mi të Parlamentit Europian për rezultatin e arritur”, shkroi ai në Twitter. “Eurospekticizmi është në rritje”. Rezultatet sugjerojnë se, Italia është në një periudhë të rrezikshme pasigurie dhe ka përpara javë të tëra negociatash aspak të këndshme. “Italia është shumë larg zgjidhjes së problemeve të vjetra dhe tani do të ketë të reja. Përgatituni për negociata të gjata dhe të ndërlikuara që mund të zgjasin muaj me radhë”, thotë Lorenzo Codogno, ish-ekonomist i Thesarit italian. Gjatë ditës, shumë votues pritën në radhë më shumë se një orë për të votuar, por më pas u përballën me fletë votimi të ngatërruar dhe një proces akoma më i ndërlikuar. “Duket sikur ke shkuar i përgatitur për të votuar, por asgjë nuk është e qartë”, thotë një italiane, pasi kishte votuar. Disa qendra votimi u mbajtën të mbylluara dy orë në Palermo gjatë ditës së zgjedhjeve për shkak se ishin shpërndarë fletë të gabuara dhe u desh që të printoheshin përsëri 200 mijë të tjera. Janë raportuar situata të tilla jo të qeta në shumë zona të tjera, gjë që ka ngritur edhe dyshime lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Exit mobile version