Televizioni publik gjerman, ARD, raporton se procesi i rindërtimit pas tërmetit do jetë një sfidë e shtrenjtë për Shqipërinë.
‘Shifra zyrtare nuk ka akoma, por rindërtimi në zonat e prekura nga tërmeti do jetë një sfidë e madhe jo vetëm njerëzore dhe teknike, por edhe e shtrenjtë,’ raporton ARD.
‘Dhe me Shqipërinë është goditur një vend i varfër. Ekspertët atje thonë se rindërtimi mund të kushtojë deri në 1 miliard euro. Shumë njerëz dhe kompani në Shqipëri dhe jashtë kanë dhuruar para. Deri tani janë mbledhur 15 milionë euro.
Një komision i posaçëm do bëjë vlerësimin dhe kanalizimin transparent të këtyre parave për shkak se korrupsioni është problem i madh në Shqipëri’.
ARD raporton se qeveria shqiptare shpreson te mbajtja e një konference donatorësh.
Në kronikë thuhet se qeveria shqiptare po shpreson te ekspertët e huaj për vlerësimin e dëmeve.
‘Kjo për shkak se në Shqipëri mbizotëron një mungesë e theksuar ekspertësh dhe force punë të specializuar’.
Rrjeti gjerman ka vizituar edhe dy familje të dëmtuara që thonë se qeveria nuk është dukur fare.
Kurse sa i përket Durrësit, ARD thekson se duket se ndërtimet ishin më të larta nga sa duhen lejuar.