Temat më të rëndësishme në Kongresin Amerikan gjatë vitit 2018

2018-a ishte një vit zgjedhor i rëndësishëm për zgjedhjet e Kongresit dhe republikanët e filluan vitin me synimin për të nxjerrë në pah shkurtimet e taksave dhe rritjen e fortë ekonomike. Por debatet në Kongres gjatë vitit 2018 u dominuan nga shqetësimet në lidhje me privatësinë e të dhënave në internet, reformën e imigracionit dhe betejën për emërimin e kandidatit për në Gjykatën e Lartë, Brett Kavanaugh. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson i hedh një vështrim këtij viti të rëndësishëm në Kongress.
Ishte momenti kulmor për lëvizjen MeToo në Kongres.
Akuzat e zonjës Ford për sulm seksual e vunë në pozita mbrojtëse gjykatësin federal Brett Kavanaugh, kandidatin e Presidentit Trump për anëtar të Gjykatës së Lartë.
Përkundër protestave dramatike, Kavanaugh u konfirmua me një rezultat të ngushtë nga senati i kontrolluar nga republikanët. Debatet e ashpra për emërimin e tij nxorën në pah ndarjet partiake dhe pothuajse bllokuan Uashingtonin. Republikanët dhe demokratët shkëmbyen akuza me njëri-tjetrin në luftën për miratimin e buxhetit.
“A do ta mbyllin ata qeverinë për imigracionin e paligjshëm?”, pyeste udhëheqësi i pakicës demokrate, senatori Chuck Schumer.
Politika partiake u la mënjanë tre herë për t’u bërë nderime shtetërore në ndërtesën e kongresit pastorit Billy Graham, Senatorin John McCain dhe ish-Presidentin George Herbert Walker Bush, të cilët u ndanë nga jeta këtë vit.
Ligjvënësit shpenzuan shumicën e vitit duke bërë fushatë për rizgjedhje, por republikanët mësuan se arritja e tyre legjislative e vitit 2017 nuk krijoi entuziazëm tek votuesit.
“Miratimi i një ligji për një shkurtim të madh taksash për individët dhe korporatat e pasura thjesht nuk është diçka që shihet me përparësi nga shumë votues”, thotë Molly Reynolds nga Instituti Brookings.

Në Uashington, krerët e mediave sociale u përpoqën të riparonin dëmin e shkaktuar nga lajmet e rreme dhe ndërhyrjet e huaja, ndërkohë që ligjvënësit po përpiqeshin të gjenin zgjidhje për probleme të reja.
“Kam frikë se jemi në prag të një epoke të re të shfrytëzimit të padrejtë në internet”, tha Mark Warner, senator demokrat nga Virxhinia.
Politika e ndarjes së familjeve nga administrata e Presidentit Trump në kufirin SHBA-Meksikë ushqeu betejat e vazhdueshme mbi imigracionin. Presidenti Trump tha se politika ishte vendosur nga presidentët e mëparshëm, por demokratët nuk ishin dakord më këtë.
“Kur Presidenti tha se këto veprime nuk ishin si pasojë e vendimeve të tij, ai nuk tregoi të vërtetën”, tha udhëqësja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Dhe fati i të ashtuquajturve Endërrimtarë (Dreamers), më shumë se 800,000 të rinj pa dokumente të sjellë në Shtetet e Bashkuara si fëmijë, vazhdon të jetë në rrezik.
“Nuk ka logjikë që të trajtojmë një simptomë të politikës sonë të shkatërruar të imigracionit”, tha Mitch McConner, udhëheqësi i shumicës republikane në senat.
Republikanët në senat kanë bërë përparim në miratimin e emërimeve të rëndësishme në sistemin gjyqësor, por kanë patur edhe dështime.
“Ne pamë se si republikanët dështuan të realizonin premtimin e tyre më të madh të fushatës në tetë vitet e fundit, shfuqizimin e Ligjit të Kujdesit Shëndetësor të ish presidentit Obama”, tha Molly Reynolds nga Instituti Brookings.
Kjo shpresë mori fund kur demokratët fituan kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e nëntorit për kongres. Viti po përfundon ashtu siç filloi, me një betejë mes dy partive për financimin e qeverisë, që është dominuar nga mosmarrëveshjet mbi çështjen e imigracionit.

Exit mobile version