Ten Hag kujton sërish CR7: Rashford, si shishja e keçapit

Erik ten Hag përdori analogjinë e keçapit të Kristiano Ronaldos, teksa parashikoi se Markus Rashford do të vazhdojë të shënojë një seri golash, pasi i dha fund thatësirës së tij te Mançester Junajtid, në një fitore 3-0 në Sauthempton.

“Dikur një sulmues (Ronaldo) po fliste për një shishe keçapi, që sapo të hapet, do të vijë më shumë”, tha menaxheri i Mançester Junajtidit, pasi Rashford regjistroi golin e tij të parë që nga marsi. Junajtid u rikthye te fitorja pas dy humbjeve radhazi, ndërsa 26-vjeçari kishte regjistruar 12 ndeshje në të gjitha kompeticionet pa shënuar, por dyfishoi epërsinë e “Djajve” në bregun jugor, gjashtë minuta pasi Matajs de Ligt shënoi me kokë nga një goditje këndi e prerë shkurtazi.

“Është shumë e rëndësishme për të”, tha Ten Hag, i cili shtoi se kritikat ndaj Rashfordit pas humbjes 3-0 në shtëpi nga Liverpuli ishin të tepruara. Garnaço vulosi fitoren e skuadrës në Sauthempton pas pritjes së penalltisë nga Onana.

“Ne nuk i kushtojmë vëmendje asaj që bota e jashtme po thotë, por ishte shumë negative për të, sepse ai krijoi dy raste të shkëlqyera, 100% raste në atë ndeshje dhe gjithashtu në ndeshje të tjera. Ai po luante shumë mirë dhe e meritonte një gol. Ai shënoi një gol të mrekullueshëm dhe për moshën e tij, numri i golave që ka është fantastik dhe jam i sigurt se do të shënojë shumë gola të tjerë.

Për çdo sulmues, ta nisësh sezonin duke shënuar është kaq e rëndësishme në mënyrë që të mund të ndërtosh formën, të ndërtosh besimin dhe më pas mund të vijnë më shumë gola”.

Exit mobile version