Tenderat, histori kompanish fantazmë, offshoresh dhe vendime tavoline nga Rama

Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Energjise dhe Industrise, Damian Gjiknuri, gjate nje seance parlamentare, ku eshte debatuar ne lidhje me kultivimin e kanabisit ne Shqiperi./r/n/r/nPrime Minister Edi Rama and Minister of Energy and Industry Damian Gjiknuri, during a parliamentary session, which was debated in the cultivation of cannabis in Albania.

Nga Nertila Maho

Rasti i DH Albania, e cila fitoi tenderin për ndërtimin e lotit të parë në projektin e Unazës, përforcoi edhe një herë faktin që prokurimet publike mbeten “Thembra e Akilit”. Kompania arriti t’u shpëtonte filtrave të dy institucioneve të rëndësishme, duke paraqitur dokumente të falsifikuara e për rrjedhojë, duke përfituar dhjetëra milionë euro.
Ekspertët vlerësojnë se ligji aktual i ka gjithë mekanizmat e kontrollit, por nuk është zbatuar. Lidhjet e ngushta të pushtetit me biznese të caktuara dhe marrëveshje në tavolinë, zhvillimi i garave fiktive me vetëm një ofertues, mungesa e stafeve të trajnuara, prania e lartë e kompanive me pronësi të paqartë dhe pandëshkueshmëria janë mjegulla që mbulon sot tenderët. Nëse ka nevojë për ndryshim ligjor në këtë fushë, ekspertët vlerësojnë se duhet të nisë nga këto pika.
Për shumëkënd, DH Albania dhe Biba X ishin një bashkim operatorësh normalë që kishin fituar një procedurë prokurimi lidhur me lotin 1 të projektit të rehabilitimit të Unazës së Re nga pallati me Shigjeta tek rreth-rrotullimi Shqiponja. Vëmendja gjatë nëntorit, kur u bë shpallja e fituesve, u përqendrua në dy boshte të tjera, që lidheshin me koston tejet të lartë të projektit, ku vetëm loti 1 llogaritet 20 milionë euro dhe ka një gjatësi vetëm 760 metra, si dhe përplasja e shtetit me banorët për shpronësimet.
Një muaj më pas, deklaratat për abuzimin me koston dhe përplasjet për projektin do t’i zbehte tërësisht një skandal i ri. Të dhënat e publikuara në media nxorën në dritë se kompania Dh Albania, si bijë e kompanisë Dunwell Haberman regjistruar në Delaware të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kishte falsifikuar dokumentacionin e paraqitur në ofertën e saj. Jo vetëm kaq, kompania kishte arritur t’ju shpëtonte të gjitha filtrave të kontrollit dhe jo një por dy autoriteteve kontraktore. Faktet treguan se përveç Autoritetit Rrugor Shqiptar kompania kishte fituar një procedurë me vlerë 12 milionë euro edhe nga Operatori i Sistemit të Transmetimit.
Nga ajo ditë, dinamika me të cilën janë zhvilluar ngjarjet, paniku i përfshirjes së emrit Amerikë dhe hetimet për rastin kanë sjellë një mori deklaratash dhe veprimesh.

Por në finale ekuacioni prodhoi të njëjtin rezultat, të paktën për momentin. ARRSH hapi sërish procedurën e prokurimit për lotin e parë të projektit, me të njëjtin fond limit dhe duke lajmëruar operatorët e interesuar që të paraqesin ofertat deri më 14 janar 2019, duke kërkuar me çdo kusht që të çojë para projektin, duke qenë se dy lotet e tjera, 2 dhe 3, janë aktualisht me kontrata në fuqi.
Në total, projekti për ndërhyrjen nga Pallati me Shigjeta tek rreth-rrotullimi Shqiponja ka një kosto 40 milionë euro për tre lote dhe është një ndër akset me kosto dukshëm të lartë që institucionet e kanë argumentuar me numrin e lartë të veprave të artit që përfshin ky projekt.
MIE propozoi ndryshim në ligj, verifikim dokumenteve për çdo fitues tenderi
Në një dalje para mediave, ministri për Infrastrukturën dhe Energjinë, Damian Gjiknuri, do të jepte vetëm një detaj me zë të plotë. “Nga konfirmimet e mbërritura nga institucionet e sipërpërmendura (Ambasada Amerikane në Tiranë dhe kërkesa e Ambasadës Shqiptare në Uashington) rezulton se një pjesë e dokumentacionit të paraqitur nga kompania DH Albania në procedurat e tenderit është i falsifikuar”, tha Gjiknuri. Ai nënvizoi se të gjithë materialet i janë referuar Prokurorisë për hetim ndërkohë që falsifikimi i dokumenteve, sipas tij, ka ndodhur jashtë territorit shqiptar. Ministria e Infrastrukturës, ndërkohë, propozoi një ndryshim ligjor pranë APP.
“Kam propozuar që të sanksionohet qartësisht në ligj, detyrimi që ofertuesit fitues t’i verifikohet në çdo rast informacioni që vetëdeklaron përpara lidhjes së kontratës. Propozimi i është drejtuar zyrtarisht Agjencisë së Prokurimit Publik, për të iniciuar këto ndryshime ligjore”, – tha Gjiknuri.
E ndërsa propozimi bën sens në kahun e ministrisë, në kahun e APP duket se do të jetë e pamundur të zbatohet dhe mund të kthehet në bumerang për sistemin në tërësi. Klodiana Cankja, ish-drejtore e APP shprehet se çdo vit lidhen mesatarisht 6000-7000 kontrata dhe është e pamundur të bëhet verifikimi për të gjitha, ndaj edhe ligji e saktëson që verifikimi bëhet kur ka raste të dyshuara. Ajo shton se fakti që sot, nëpër tenderë të rëndësishëm me vlerë dhjetëra miliona euro, bëhet vetëm një ofertë, nuk tregon për mungesë të nevojës së biznesit për para, por se mund të kenë hyrë në lojë mekanizma të tjerë, siç janë marrëveshjet e fshehta mes operatorëve ekonomikë.

Tenderët histori kompanish fantazmë, offshoresh dhe vendime tavoline
Të dhënat zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik për vitin 2017 treguan se një në tre tenderë është vendosur në tavolinë, duke mos qenë i hapur për garë. Konkretisht, nga 7317 procedura të njoftuara, 2234 ishin me negocim pa shpallje paraprake. Përqindja që zë vlera totale e fituar ndaj fondit limit të prokuruar ishte rreth 92%. Të dy këto elemente, nga ana e ekspertëve, janë tregues të disa tenderëve.
Së pari, lidhja e disa bizneseve me pushtetin po bëhet gjithmonë e më evidente në kontratat që paracaktojnë fituesit kur në gara të rëndësishme paraqitet vetëm një ofertë, ose gjithçka negociohet pa shpallje paraprake.
Së dyti, vlerësimi për ofertat bëhet në mënyrë të përciptë, duke qenë se një pjesë e mirë e institucioneve nuk kanë kapacitete njerëzore të trajnuar dhe me formimin e duhur në këtë fushë. Janë pikërisht këto fenomene që, në shumë raste, kanë bërë që procedura nga më të rëndësishmet t’i mbulojë mjegulla dhe vetëm në ndonjë rast fatlum për publikun të zbulohet që fituesi nuk është një kompani me përvojë, por një kompani fantazmë e krijuar posaçërisht vetëm pak muaj më parë.
Shqipëria ka sot një numër të konsiderueshëm kontratash me kompani që janë të regjistruara në parajsa fiskale, apo që nuk kanë publike pronësinë e tyre, duke e bërë gjithmonë e më të vështirë mbikëqyrjen e tyre, fitimin që sigurojnë dhe taksimin e tij. Propozimi që vjen sot nga ekspertët është që kompanitë që kanë aktivitet dhe kanë përfunduar më shumë se gjysmën e afatit të kontratës në vend të detyrohen të publikojnë aksionerët e tyre dhe të bëjnë transparencë për aktivitetin. Duke ndjekur qasjen e Bashkimit Europian për moslejim të kompanive offshore në kontrata për punë dhe shërbime publike propozohet që edhe vendi ynë të orientohet në të njëjtin drejtim.

Transparenca e kompanive guacë, një premtim që e mori era
Disa prej koncesioneve më të rëndësishëm në vend sot kanë pas vetes kompani të regjistruara në parajsa fiskale.
Tre vjet më parë, me shpërthimin e Panama Papers, qeveria Rama 1 u vu në lëvizje pas lajmeve se në listë kishte dhe disa emra shqiptarë. Në atë kohë u lakua fakti se do të ndërmerrej një nismë ligjore për publikimin e emrave të aksionerëve nga kompanitë që operonin në Shqipëri.
Ministri Arben Ahmetaj do të nënvizonte, ndër të tjera, në atë kohë se do të kryhej edhe një monitorim në të paktën 1 mijë sipërmarrje për të nxjerrë situatën e tyre, por ashtu si një pjesë e mirë e deklaratave që bëhen nën presionin e një zhvillimi, edhe në këtë rast, fjalët duket se i mori era.
Sot, në treg vijojmë të kemi të njëjtat kompani me transparencë të limituar mbi pronësinë dhe me kontrata të rëndësishme. Për ekspertët sot është e rëndësishme që për kontratat që garantohen nga buxheti apo që kanë një vlerë të konsiderueshme, të bëhet një skanim të paktën për 10 vitet e fundit pasi gjasat e abuzimeve, falsifikimeve sikurse modeli i fundit i DH Albania të jenë me shumicë, duke sjellë kështu pasoja për taksapaguesit shqiptarë.
Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare të Kërkimeve Ekonomike është kategorik kur propozon, që kompanitë që nuk kanë publikë aksionerët e tyre, të kategorizuara si offshore, nuk duhet të lejohen të marrin pjesë në tenderë publikë. Ai kërkon të skanohen kontratat më të rëndësishme të 10 viteve të fundit, ku është e përfshirë garancia nga buxheti.

Exit mobile version