Zyrtarisht ndodhemi në stinën e pranverës dhe duhet të nisë përgatitja për sezonin veror që na pret. Por, megjithatë, ky fakt nuk i ndalon qeveritarët tanë të shpenzojnë qindra miliona lekë për ngrohje. Konkretisht kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako ka hapur një tender për të blerë dru zjarri në muajin mars.
Me shumë mundësi Sako po mendon për dimrin e ardhshëm, ndonëse na ndan vetëm një muaj nga zgjedhjet e 14 majit dhe këto mund të jenë ditët e fundit të saj në krye të Bashkisë.
Faqja që monitoron prokurimet publike e ka cilësuar me flamur të kuq këtë procedurë për shkak të skualifikimit të të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit. Ky fakt ka ngritur hije të forta dyshimi.Në dokumentin e njoftimit thuhet se fitues është shpallur kompania e Gjergj Bucit që ka dhënë një çmim, shumë të përafërt me fondin limit. Tre kompanitë e tjera janë skualifikuar nga gara për arsye të ndryshme, mungesë eksperience apo dokumentacioni.