Tenderi i rrugës Kardhiq-Delvinë, sot seanca gjyqësore për ish-drejtoreshën e ARRSH-së, Sonila Qato

Pritet të zhvillohet këtë të mërkurë seanca për ish-drejtoreshën e ARRSH-së, Sonila Qato, proces i cili ndodhet në fazën e dëshmitarëve.

Në seancë u paraqit vetë Qato si dhe biznesmeni Rrok Gjoka, që ka qenë edhe kallëzues i shkeljes së pretenduar në garën për tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë.

Prokuroria e Posaçme ka gjetur elementë të veprës penale “shpërdorim detyre”, “shkeljes së barazisë në tendera”, “falsifikim i dokumenteve” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa hetimi vijon për lotin e 7-të të rrugës Kardhiq-Delvinë me vlerë gati 60 mln euro.

SPAK i ka shtrirë hetimet nisur nga gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit që zbuloi shkeljet dhe referoi materialet. Për këtë çështje po hetohen; Sonila Qato, Elona Gogo, Simon Prendi, Arbër Troka, Ariana Hasani, Erdit Salillari, Almir Hoxhaj, Nikollaq Mihali, Miranda Shkurti dhe Admir Pahumi.

Në shtator të vitit 2019, ish-drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato akuzoi kompaninë koncesionare, “Gjoka Konstruksion”, me pretendimin se kishte përdorur të dhëna të rreme gjatë aplikimit për një tender me fond limit 19.3 milionë euro.

Gjoka iu kundërpërgjigj me pretendimin se kompania e tij kishte paraqitur ofertën më të ulët, dhe akuzoi Qaton se kishte manipuluar procedurat e tenderit duke favorizuar një prej bashkimeve të operatorëve konkurrues. Kompania në fjalë sipas biznesmenit kishte një ofertë rreth 4 milionë euro më të lartë.

Po ashtu, “Gjoka Konstruksion” depozitoi dhe një kallëzim penal në ish-Prokurorinë për Krime të Rënda, që pas shkrirjes së këtij institucioni hetimet u vijuan nga Prokuroria e Posaçme.

Exit mobile version