Tenis/ Rio 2016, Djokoviç eliminohet nga Del Potro

Shokuese, Novak Djokoviç mes lotësh i jep lamtumirën përpara kohe Lojërave Olimpike Rio 2016. Do të vazhdojë të mbetet thjesht një ëndërr fitimi i medaljes së artë në një olimpiadë për numrin 1 të botës në tenisin e meshkujve, pasi Djokoviç u mposht që në raundin e parë nga argjentinasi Juan Martin Del Potro. Nole erdhi në këto Lojëra Olimpike me një objektiv mëse të qartë, të bënte të tijën medaljen e artë, por nuk ia arriti dot dhe përsa i përket olimpiadave në palmaresin e tij do të vazhdojë të mbetet vetëm medalja e bronztë e fituar në vitin 2008 në Pekin.
Në Rio de Janiero 29-vjeçari nga Beogradi u thye në dy sete nga Del Potro. Asnjë game me break nuk fitoi asnjëri prej dy tenistëve në këtë sfidë dhe gjithçka u zgjidh në tie break, aty ku argjentinasi, i cili mban numrin 141 në klasifikimin e ATP, u tregua më i saktë. Në setin e parë Del Potro triumfoi 7-4 në tie break, ndërsa në të dytin 7-2. Me shifrat 7-6, 7-6 në favor të tij tenisti amerikanojugor mbylli llogaritë me serbin në 2 orë e 30 minuta lojë. Eliminimi i parakohshëm i Djokoviç dhe tërheqja nga Lojërat Olimpike të Rios nga ana e Roger Federer u hap rrugën tenistëve të tjerë të mëdhenj si Andy Murray apo Rafael Nadal për të tentuar fitimin e medaljes së artë.

Exit mobile version