Tension te Bajerni

Real Madrid ka hedhur grepat për Robert Lewandowskin dhe ky është vetëm problemi i fundit në listën e telasheve të Bayern Munchen. Skuadra e Carlo Ancelottit nuk po bind me lojën dhe rezultatet dhe ambienti nuk është aspak i qetë. Shefi ekzekutiv i Bayernit, Karl Heinz Rummenigge i hedh benzinë zjarrit. Në një intervistë dhënë për gazetën “Bild” ai e pranon që ëndrra e polakut është të veshë fanellën e skuadrës madrilene, por ai del kundër kritikave të tij për udhëtimin sfilitës në Azi gjatë muajve të verës.
Me jo pak ironi, Rummenigge i bën me dije bomberit polak se edhe Reali i Madridit ku ai synon të shkojë, zhvilloi një turne të gjatë veror. Beteja e deklaratave nisi në momentin që Lewandowski gjithashtu kritikoi politikën e klubit, që sipas tij nuk arriti të afronte lojtarë me peshë për të përballuar një sezon të gjatë. Rummenigge në këtë pikë është i qartë dhe i prerë. “Më vjen keq për atë që ka thënë sepse nuk është hera e parë që flet keq për klubin tonë. Lewandowski ka një kontratë që e lidh me ne deri në vitin 2021, por për fat të keq nuk ka një klauzolë largimi”, thekson drejtuesi i lartë bavarez në intervistën dhënë për gazetën “Bild”.
Në fakt, Lewandowski duket se ka thyer edhe kodin e sjelljes në radhët e klubit, pasi fjalët e ashpra në drejtim të Bayernit i tha në një intervistë për “Der Spigel” të paautorizuar nga klubi. Në mes të kësaj polemike është futur edhe drejtori sportiv, Salihamidziç duke i bërë me dije polakut se Bayerni ka një skuadër të kompletuar dhe do të vazhdojë të punojë për të shtuar numrin e trofeve ashtu siç ka bërë gjatë dekadave të fundit. Një telenovelë që nuk ka asnjë gjasë të përfundojë deri në merkaton e verës ku me shumë mundësi, shtatlarti polak do t’i japë lamtumirën skuadrës bavareze për të veshur fanellën “Los Blancos”.
Ndërkohë, ish-futbollisti i Bajern Mynih, Mario Basler, ka lëshuar “bombën” që mund të tronditë futbollin gjerman dhe të ndryshojë plotësisht tablonë në Bundesligë. Sipas Basler, për disa vite pjesë e Bajern Mynih gjatë karrierës si futbollist, Karlo Ançeloti do të largohet në janar pasi ka gjetur akordin me një klub kinez.
“Më kanë thënë se Ançeloti ka nënshkruar që tani kontratën e tij në Kinë”, tha Basler për “sport1”. “Nga ajo që kuptoj unë, ai mund të largohet që në janar pasi atëherë fillon sezoni i ri atje. Nuk mund ta konfirmoj me 100% siguri, por ju them se burimi im është shumë i besueshëm”.
Në mediat gjermane ka filluar prej kohësh “gjyqi” ndaj trajnerit italian për shkak të paraqitjeve aspak bindëse që ka dhuruar Bajern Mynih në këtë sezon, e fundit ajo ndaj Hofenhajm që e mundi 2-0. Por kritikat më të mëdha janë sidomos për situatën që po kalon Tomas Myler, një nga emrat më të dashur për tifozerinë e klubit, i cili ka përfunduar në stolin e rezervave.

Exit mobile version