Moska ka hedhur poshtë akuzat e ngritura në SHBA ndaj disa shtetasve rusë dhe kompanive ruse për ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane të vitit 2016, duke i quajtur “broçkulla”. Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, ngriti dyshime mbi provat e publikuara. Siç njofton nga Mynihu, korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, akuzat kanë krijuar një sfond të tensionuar në këtë konferencë të përqendruar tek kërcënimet ndaj sigurisë globale.
Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, nuk përmendi drejtpërsëdrejti në fjalimin e tij akuzat e ngritura në SHBA. Por, atij iu drejtua një pyetje nga audienca. “1.25 milionë dollarë në muaj të taksapaguesve rusë shpenzohen për të influencuar zgjedhjet amerikane. A keni parë përfitime të mira nga ky investim?”, pyeti Edward Lucas, i revistës “The Economist”.
Përgjigja e tij ishte e shkurtër. “Nuk kam asnjë reagim, pasi mund të shkruhen çfarëdolloj gjërash. Shohim akuza, deklarata dhe aludime që shumëfishohen. Derisa të shikojmë faktet, gjithçka tjetër janë vetëm broçkulla. Kërkoj ndjesë për termin jo shumë diplomatik”, tha zoti Lavrov.
Zoti Lavrov pretendon se, ekziston një fushatë “rusofobie” nga Perëndimi. Ndërkohë, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, H.R. McMaster tha se Shtetet e Bashkuara kanë mësuar si t’i kundërpërgjigjen sulmit. “Shtetet e Bashkuara do të ekspozojnë dhe do të kundërveprojnë ndaj atyre që përdorin hapësirat kibernetike, mediat sociale dhe mjete të tjera për të zhvilluar fushata dizinformimi, përçarjeje dhe spiunazhi”, tha ai.
Zoti McMaster foli edhe për përkeqësimin e situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme. “E dimë se Siria dhe Korea e Veriut nuk janë të vetmet shtete mashtruese që zhvillojnë, përdorin dhe tregtojnë armë të rrezikshme. Tani është momenti për të trajtuar mangësitë serioze në marrëveshjen për Iranin dhe për t’iu kundërpërgjigjur aktivitetit destabilizues të Iranit, zhvillimit dhe tregtimit të raketave, si dhe mbështetjes që u jep terroristëve dhe grupeve paraushtarake”, tha zoti McMaster.
Objektivi i kësaj konference vjetore është të mbledhë vende aleate dhe kundërshtare për të dialoguar, duke i paraprirë konfliktit. Por, duke filluar që nga Korea e Veriut, Lindja e Mesme dhe deri tek ringjallja e rivalitetit të Luftës së Ftohtë, po shtojnë ndjesinë se bota po bëhet një vend më i rrezikshëm.