Tensione të mëdha ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, takim emergjent në OKB

Rusia hapi zjarr ndaj dy anijeve të marinës ukrainase dhe goditi një tjetër të dielën në Detin e Zi dhe kapi anijet, duke pretenduar se ato hynë në mënyrë të paligjshme në ujërat e saj territoriale.
Zyrtarët ukrainas thanë se të paktën gjashtë marinarë të saj janë plagosur, ndërsa mohoi pretendimet e Rusisë duke e akuzuar atë për përfshirje në agresion ushtarak.
Ministria e Jashtme e Ukrainës tha se “veprimet e tilla paraqesin rrezik për sigurinë e të gjitha vendeve të Detit të Zi dhe së këndejmi kërkojnë një përgjigje të qartë të komunitetit ndërkombëtarë”.
Shërbimi Federal rus i Sigurisë, (FSB) akuzoi Ukrainën për provokim të qëllimshëm.
“Armët u përdorën për të ndaluar me forcë anijet ushtarake ukrainase. Për rrjedhojë, të tri anijet e marinës ukrainase janë kapur në ujërat territoriale ruse në Detin e Zi”, thuhet në një deklaratë të FSB-së.
Incidenti i së dielës filloi kur një rimorkiator ukrainas po shoqëronte dy anije të marinës nga porti i Odessas në Detin e Zi për në portin ukrainas në Mariopol, në Detin Azov nëpërmjet ngushticës Kerç.
Ngushtica Kerç, është kalimi i vetëm ndërmjet dy deteve.
Një traktat i viti 2003, i përcakton Detin Azov dhe ngushticën Kerç, si ujëra të përbashkëta territoriale.
Ukraina tha se roja bregdetare ruse goditi dhe dëmtoi rimorkiatorin dhe qëlloi mbi dy anijet dhe i bllokoi ato.
Ukraina tha se Rusia përdori një tanker për të mbyllur ngushticën.
Rusia tha se anijet ukrainase shkelën në ujërat e saj territoriale dhe akuzoi Ukrainës se nuk e ka informuar që anijet po planifikonin të lundronin nëpërmjet ngushticës – pohime këto që u hodhën poshtë nga Ukraina.
Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, mbajti një takim emergjent të kabinetit të dielën dhe tha se do t’i propozojë parlamentit shpalljen e ligjit të luftës.
Një takim emergjent i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të mbahet sot pasdite sipas kohës së Evropës qendrore, tha ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley.

Exit mobile version