Tensionet e migrimit në BE

Nuk ka shumë për të bërë në periferi të Targu Lupus, një qytet i vogël në veri të Rumanisë. Por, Katalin Konolos, një punëtor ndërtimi, rrallëherë gjendet në shtëpi, ai është duke bërë një dorë lojë me letra këtë pasdite, para se të kthehet në Luton, një qytezë në veri të Londrës, fjalë magjike për sheshet e ndërtimit. Zoti Konolos dhe vëllai i tij, Vioreli, ulur përkrah tij, zakonisht lodhen për një periudhë katërmujore duke punuar fort, para se të kthehen në shtëpi. Ata punojnë për rumunë të tjerë dhe nuk kanë aspak interes të integrohen. Madje, ata as nuk flasin anglisht. Vëllezërit kanë përfituar nga e drejta e lëvizjes së lirë të Bashkimit Europian. Ata, dhe miliona të tjerë si ata, po plotësojnë vendet e punës jashtë dhe po përmirësojnë pagën e tyre disafish. Një pjesë e mirë e të ardhurave shkojnë në Rumani, në formën e remitancave për anëtarët e familjes apo edhe në formën e konsumit, kjo shpesh e dukshme nga makinat që qarkullojnë në fshatra rreth e rrotull.
Sistemi është i veçantë. Filloi në vitin 1957 si një regjim i lejeve të punës te vendet themeluese të BE-së, që tashmë lejojnë europianët të punojnë, studiojnë dhe dalin në pension në të 28 vendet anëtare (madje edhe në disa vende të tjera joanëtare), pa pasur nevojën e një leje apo të një vize. Sondazhet vazhdimisht tregojnë se trofeu i lëvizjes së lirë të qytetarëve qëndron mbi çdo gjë tjetër që ka sjellë Bashkimi Europian. Qeveritë gjithashtu e mbështesin atë me forcë: David Cameron, ish-kryeministri i Britanisë, nuk arriti të sigurojë përjashtimin e Britanisë nga lëvizja e lirë.
Lëvizja është një e drejtë që shumë pak europianë kanë vendosur të përfitojnë krahasuar me tregjet e tjera të punës. Sipas Bankës Botërore, amerikanët janë tre herë më shumë të prirë për të lëvizur nëpër shtete të ndryshme në kërkim të punës, krahasuar me europianët. Pengesa e gjuhës mund të jetë e vështirë për t’u kapërcyer, kualifikimet e fituara në një vend mund të mos njihen në vendet e tjera. E parë në prizmin e migrimit internacional, lëvizja e kohëve të fundit ka qenë e jashtëzakonshme. Që nga fillimi i viteve ’90, afërsisht 5.5% e popullsisë së Europës Lindore ka emigruar. Në 2014-n, 20% e qytetarëve europianë që jetonin gjetkë ishin rumunë. Në shumë mënyra, sistemi ka funksionuar. BE-ja përllogarit se zgjerimi i së drejtës për lëvizje të lirë të Europës Lindore, pas dy zgjerimeve në 2004 dhe në 2007, rriti PBB me 40 miliardë euro. Në kohë krize, lëvizja e lirë mund të funksionojë si një stabilizues makroekonomik, veçanërisht për Eurozonën, ku monedha nuk mund të rregullohet.
Por, tensionet janë të pranishme, sidomos në Britani, ku argumentet mbi migrimin në BE i hodhën benzinë debatit të fundit për të lënë Bashkimin Europian. Në shumicën e vendeve europiane, emigrantët janë kontribuuesit neto në portofolin publik. Por, politikanët gjermanë dhe holandezë janë të shqetësuar në lidhje me “Turizmin e mirëqenies”. Franca ka mbështetur ligjet kundërshtuese të BE-së që do të detyronte kompanitë që të dërgonin punonjësit jashtë për t’u përshtatur me pagesat lokale, ndërsa qeveritë e lodhura të Lindjes janë të shqetësuar për vendet e punës së qytetarëve të tyre.
Vendet e origjinës së emigrantëve, gjithsesi, kanë qenë më të prekurit nga e gjithë kjo. Sipas një raporti të fundit të FMN-së, vendet postkomuniste të Lindjes kanë zvogëluar rritjen e tyre, kanë sforcuar financat publike dhe kanë probleme të theksuar demografike. Rumania është një nga vendet më të prekura. Të rinjtë janë të predispozuar për t’u larguar, duke rritur moshën mesatare të popullsisë dhe duke ulur lindshmërinë.
Çdo ditë njerëzit më pyesin përse vazhdoj të qëndroj këtu, thotë Corina Stanciu, një mjeke e re në Bukuresht. Mjekët e rinj rumunë mund të fitojnë 10 herë më shumë në Europën Perëndimore, sesa në vendlindje,- tha ajo. Stanciu, e cila kishte planifikuar që të qëndronte, ndryshoi mendim pasi u njoh me kushtet e tmerrshme në spitalet rumune. Tashmë ajo po përgatitet për t’u shpërngulur në Britani. Nën modelin e efekteve të migrimit, në vitin 2030, PBB për frymë në disa nga vendet e Lindjes mund të bjerë me 4%. “Europa na ka shkatërruar”,- u shpreh një zyrtar në fshatin e shkretuar Certeze në Rumani.
Kërcënimet e lëvizjes së lirë kanë më shumë gjasa të vijnë nga vendet që po përfitojnë më së shumti prej saj. Numri i punëtorëve të transferuar tregon se si të drejtat e lëvizjes mund të përballen me instinktet e BE-së “për të mbrojtur” qytetarët e vendeve të pasura nga hakmarrja e globalizimit. Ndryshimet ekonomike dhe teknologjike janë duke e bërë vendin e punës më të pasigurt, në të njëjtën kohë, shumë qeveri kanë vendosur t’ia hedhin fajin lëvizjes së lirë. Një ish-zyrtar i lartë i BE-së, i përfshirë në raundet e mëparshme të bisedimeve për prurjet, thotë se një thyerje urgjente e ligjit duke lejuar qeveritë që të ndalojnë vërshimet e forcës punëtorë është pashmangshme. Oferta e Cameron mund të ketë qenë e parakohshme.
Përvoja e Irlandës tregon se migrimi mund të jetë një ndihmë, n.q.s. punëtorët fitojnë aftësitë dhe kontaktet e duhura jashtë, si dhe nuk pengojnë suksesin brenda BE-së. Ashtu si irlandezët, rumunët kanë shumë për të bërë; duke nisur me përmirësimin e institucioneve, duke rritur pjesëmarrjen shtresës së varfër të punëtorëve, duke shkurtuar taksat e punësimit, si dhe reformimin e sigurisë shoqërore. Edhe sikur ata të mblidhen, vullneti politik do ta shkatërronte. Vende si Rumania, me korrupsion të lartë dhe keqqeverisje, do të stërmundoheshin për t’u përshtatur me pagat e larta të Perëndimit.
Ioan, një hidraulik me vendqëndrim në Londër, thotë se nëse do të kishte mundësi, do të zhvendosej përgjithmonë në vendlindjen, në Rasca. Ai ka pak miq në Britani dhe frikësohet nga terrorizmi, por në vendin e tij nuk do t’i ofroheshin kurrë këto mundësi që ai po shijon jashtë.

Exit mobile version