Situatë e tensionuar në Laknas të Tiranës. Fadroma e firmës që kërkon të ndërtojë thertore, ka hyrë në orën 03:00 të mëngjesit të sotëm në Laknas duke prerë disa pemë dhe shkatërruar gjithçka.
Operacioni është kryeer gjatë natës ashtu si në të gjitha rastet e tjera kur barbarët e qeverisë dhe bashkisë së kryeqytetit kanë shkatërruar në Tiranë që nga Teatri Kombëtar, Liqeni Artificial, Kopshti Zoologjik, Garda e Republikës, etj.
Prerja e pemëve në mes të natës ka shkaktuar përplasje mes banorëve të cilët refuzojnë prerjen e pyllit dhe punëtorëve të firmës.
Situata është përshkallëzuar më tej dhe ka bërë që banorët të përdorin sende të forta me të cilat gjuajnë drejt fadromës duke mos e lejuar që të vazhdojë të presë pemë.
Sipas banorëve, fadroma ka hyrë në mënyrë tinëzare pasi rruga kryesore ku duhej të kalonte ishte e bllokuar nga banorët.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur dhe forcat e policisë të cilët po përpiqen të normalizojnë situatën.