Tensionohet situata pas arrestimit të Haradinajt

Një anëtar i kryesisë dhe njëkohësisht zëdhënës i AAK-së, Muharrem Nitaj, i tha Radios Evropa e Lirë se pritet që “Haradinaj të dalë (të enjten) përpara organeve të drejtësisë në Francë”.
Një burim i gjyqësisë në Francë i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se hetuesit, të enjten, do të fillojnë shqyrtimin nëse kishte arsye që të mos zbatohej kërkesa për ekstradim, posaçërisht nëse ajo është lëshuar për qëllime politike.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u ndalua të mërkurën nga policia franceze në bazë të një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Policia e Serbisë. Zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Valon Murtezaj, i tha Radios Evropa e Lirë se, “komunikimi me autoritetet franceze gjatë ditës është intensifikuar” dhe se kjo është tani “çështje ligjore”.
“Tani është çështje e procedurave ligjore dhe përmbylljes së tyre”, tha Murtezaj. Anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi i tha Radios Evropa e Lirë se Haradinaj është ndaluar në aeroportin e Baselit në pjesën franceze.
“Atë që ne e dimë është se ai është ndaluar nga autoritetet franceze dhe është në pritje”, tha Arifi.

Kosova kërkon lirimin e Haradinajt

Ndërkohë, autoritetet në Kosovë thonë se kanë vënë kontaktet me autoritetet në Francë për lirimin e zotit Haradinaj.
Qeveria e Kosovës, përmes një njoftimi, tha se, “të gjitha dikasteret kompetente të saj po angazhohen me prioritet për sqarimin e shpejtë të rrethanave të ndalimit të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj dhe tejkalimin e situatës së krijuar si pasojë e aktakuzave të paligjshme, të padrejta dhe tendencioze të Serbisë”.
Ministria e Jashtme dhe ajo e Drejtësisë thonë se kanë nisur “përmes ambasadës në Paris notat verbale dhe kërkesat për lirimin sa më të shpejtë të zotit Haradinaj”. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një publikim në rrjetin e tij social Facebook ka shkruar se “ndalimi i zotit Haradinaj është i dënueshëm dhe i papranueshëm”. “I dënueshëm dhe i papranueshëm, në çdo rrafsh, është ndalimi i z. Haradinaj në cilindo shtet të botës, vetëm për shkak të një urdhërarresti të shtetit të Serbisë” , shkruan Thaçi.

AAK, thirrje qeverisë së Kosovës të ndërpresë komunikimin me Serbinë

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një kumtese të saj e ka cilësuar si një “veprim krejtësisht të padrejtë dhe të papranueshëm” ndalimin e zotit Haradinaj.
“U bëjmë thirrje autoriteteve franceze që t’i mundësojnë zotit Haradinaj që të vazhdojë udhëtimin e tij i papenguar dhe kërkojmë nga autoritetet e Bashkimit Evropian dhe të shteteve evropiane veç e veç që të mos pengojnë lëvizjen e lirë të autoriteteve të Kosovës, sipas urdhërarresteve të paligjshme të Serbisë”, thuhet në kumtesë.
AAK i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës që, siç thotë, “të ndërpresë çdo komunikim me Serbinë derisa ajo të mos i tërheqë fletarrestet ndërkombëtare kundër personaliteteve të Kosovës”.
Ramush Haradinaj qe arrestuar edhe në vitin 2015 në Slloveni në bazë të fletarrestit të Policisë së Serbisë të vitit 2004 dhe qe mbajtur për disa ditë në arrest në Lubjanë.
Zoti Haradinaj u shpall në vitin 2012 i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte nga një Gjykatë Ndërkombëtare për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi. Rigjykimi në vitin 2012, u bë katër vjet pas një vendimi të së njëjtës gjykatë, e cila më 2008 e nxori të pafajshëm nga të gjitha akuzat që e ngarkonin për shkelje të ligjeve të luftës.
Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës më 8 mars të vitit 2005, vetëm disa muaj pas marrjes së detyrës. Ai iu dorëzua vullnetarisht Gjykatës së Hagës, pasi Prokuroria e akuzoi atë dhe dy bashkëluftëtarët e tij Idriz Balaj e Lahi Brahimaj, për krime lufte.
Haradinaj ishte komandant i lartë i ish-UÇK-së dhe pas luftës themelues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, një parti parlamentare të cilën ai e udhëheq edhe sot.

Edita Tahiri kërkon reciprocitet me Serbinë

Kosova duhet të aplikojë masa reciprociteti ndaj Serbisë në lidhje me fletarrestimet, të cilat po i mban në fuqi, ka deklaruar ministrja për Dialog në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri. Këto komente ajo i ka bërë gjatë një prononcimi për Radion Evropa e Lirë pas ndalimit të liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në Basel, nga policia franceze, mbi bazën e fletarrestimit të lëshuar nga Serbia përmes INTERPOL-it.
Masat e reciprocitetit, sipas Tahirit, mund të zbatohen në Kosovë për personat e kërkuar nga Serbia, të cilët dyshohen për përfshirje dhe kryerje të krimeve të luftës në Kosovë. “Ne duhet të zbatojmë masa reciprociteti. Fundja, Serbia është ajo që ka kryer gjenocid këtu dhe krimet më të rënda ndaj njerëzimit”, ka thënë Tahiri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.
“Përderisa ndaj luftëtarëve të UÇK-së, të cilët kanë luftuar për çlirimin e Kosovës, shteti serb sillet në këtë mënyrë, sigurisht që kjo sjellje e kërkon edhe një përgjigje adekuate nga ana jonë”, është shprehur Tahiri.
Ministrja për Dialog, ka pranuar se fryma e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është cenuar javët e fundit.
“Serbia i ka shpeshtuar sjelljet e saj destruktive, të cilat po e dëmtojnë procesin e dialogut, i cili si qëllim ka normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”, ka thënë ajo.
Si sjellje të tilla destruktive, Tahiri ka veçuar ndërtimin e murit në Mitrovicë, reagimet në raport me hapjen e zyrës së qeverisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut dhe së fundit edhe mbajtjen në fuqi të fletarrestimeve përmes INTERPOL-it, siç ishte rasti i ndalimit të Ramush Haradinajt në Basel nga policia franceze.
“Kemi të bëjmë me një periudhë, e cila vërtet është brengosëse dhe shqetësuese si për ne ashtu edhe për Bashkimin Evropian. Për një sjellje të tillë të Serbisë, i kam shkruar edhe Bashkimit Evropian, duke apostrofuar ndalimin e Ramush Haradinajt”, ka deklaruar Tahiri.
Për Bashkimin Evropian, dialogu, sipas Tahirit, është një mundësi e mirë për të shtuar presionet mbi Serbinë, ngase normalizimi i raporteve me Kosovën mbetet kusht për integrimin e saj në BE.
“Ne do të vazhdojmë me kërkesat tona që BE-ja të ketë qasje dhe intervenim të efektshëm në mënyrë që të bëhet lirimi i Ramush Haradinajt e në anën tjetër në instancat më të larta shtetërore, sigurisht që do të reflektojmë ndaj kësaj situate dhe shkeljes së frymës së dialogut për fqinjësi dhe paqe në rajon nga ana e Serbisë dhe më pas sigurisht se do të dalim edhe me qëndrime zyrtare”, ka deklaruar Tahiri. Por, në çdo rast, për pozicionin zyrtar të Kosovës në raport me dialogun e Brukselit, Tahiri ka thënë se vendimi duhet të merret nga instancat më të larta politike të shtetit.
“Ne kemi kërkuar qysh më 2011 futjen në axhendë të çështjes së fletarrestimeve të Serbisë, por për këtë temë nuk është pajtuar Beogradi, dhe siç e dini, një pikë nuk mund të futet në dialog nëse nuk ka pajtim të të dyja palëve”.
Pas ndalimit të Haradinajt nga policia franceze, veprim ky që nuk ishte i pari, pasi që skena të ngjashme u kanë ndodhur si Haradinajt ashtu edhe figurave të tjera të kërkuara nga Serbia përmes INTERPOL-it, në Prishtinë ishin shtuar kërkesat për ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë. Por, siç ka thënë Tahiri, një vendim të tillë, mund ta marrin vetëm instancat më të larta të shtetit të Kosovës.

Serbia nuk beson tek ekstradimi i Haradinajt

Prokuroria për Krime të Luftës në Serbi ka njoftuar se ka mbledhur prova shtesë në funksion të plotësimit të akuzave ndaj liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili të mërkurën është ndaluar në aeroportin e Baselit nga policia franceze.
Ndalimi i tij, është bërë mbi bazën e një fletarrestimi të lëshuar nga Serbia përmes INTERPOL-it, në vitin 2004.
Kreu i Prokurorisë serbe për krime lufte, Milan Petroviç u ka thënë mediave në Beograd se është i kënaqur me faktin që fletarrestimet e lëshuara nga Serbia po zbatohen në vendet e Bashkimit Evropian.
Por, ai është shprehur skeptik se kërkesa e Beogradit për ekstradimin e Haradinajt në Serbi, do të mund të zbatohet sipas procedurave të shpejta.
“Serbia nuk mund të bëjë këtu asgjë, ngase procesi i ekstradimit të shpejtë varet nga personi që është arrestuar. Pra, ekstradimi i shpejtë mund të bëhet vetëm me pëlqimin e tij, në të kundërtën, kjo zgjat mjaft kohë”, ka thënë Petroviç.
Haradinaj ishte komandant i lartë i ish-UÇK-së dhe pas luftës themelues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, një parti parlamentare të cilën ai e udhëheq edhe sot.

Exit mobile version