Konçesioni i rrugës Thumanë-Kashar tregon se Edi Rama në vend të “ndërtimit të infrastrukturës, të rrugëve, të porteve, të linjave të energjisë Edi Rama po vjedh paratë e shqiptarëve gjoja për të bërë rrugë.”
Kështu u shpreh Kryetari i PD-së Lulzim Basha në një postim në facebook. Në video sqarues të postuar nga Zoti Basha tregohet se: “Skandali me koncesionet e rrugëve. Gjatësia e aksit 20.8 km, koncesioni i qeverisë ‘Rama’, 333 milionë euro. Studimi për vlerën 169 milionë euro. Vlera reale për 20.8 km 80 milionë euro. Shqiptarëve u grabiten 253 milionë euro.
Në vendin më të varfër të Europës një kilometër rrugë kushton dhjetë herë më shtrenjtë se në vendet më të pasura të botës, më shtrenjtë se në Amerikë, Gjermani apo Zvicër. Sepse këto janë projekte për të vjedhur”, shkruan më tej Kryetari i opozitës.
Rruga Thumanë-Kashar ishte lajmi kryesor i së mërkurës, për faktin se raporti i publikuar nga vetë Ministria e Infrastrukturës tregonte se studimi i fizibilitetit kishte nxjerrë si kosto 169,3 milionë euro ndërtimin e saj.