Teodor Laço, nëse nuk do të lirohej ai litar…

Kreu i PD, Basha: Me keqardhje mora lajmin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit, publicistit, politikanit, diplomatit dhe kineastit të mirënjohur Teodor Laço! Largimi fizik i njerëzve me përmasa të tilla, shënon edhe fillimin e përjetësisë së tyre! Ai do të kujtohet si një faktor i rëndësishëm në përhapjen dhe konsolidimin e pluralitetit të mendimit në proceset demokratike!
Ngushëllime familjes, të afërmëve dhe miqve të tij. U prehtë në paqe!

Nga Agron SEJAMINI

Do i mungonin kulturës shqiptare tre emra të shquar, Teodor, Bledar dhe Pandi Laço, nëse aty nga vitet 1900, një shpirtkeq do e lidhte atë litar, nyje dhe jo fjongo…
Se, vërtet shkrimtari ynë i shquar ka shkruar mbi 40 vepra në prozë, dramaturgji e kinematografi, por ende ka rrëfime të pathëna. Madje, tepër interesante…
Gjyshi i Teodorit, prej të cilit ka trashëguar edhe emrin, ka patur një punishte druri në malet e  Greqisë Veriore. Nga Dardha, ky vend ka qenë një ditë udhë më këmbë. Thuhet se ka patur të punësuar mbi dhjetë bullgarë që ishin emigrantë në Greqi. Dërrasat e prodhuara nga kjo punishte, shërbenin si lëndë e parë për ndërtimin e anijeve në Portin e Pireut. Mirëpo, mes pronarit shqiptar dhe emigrantëve bullgarë krejt papritur, një mosmarrëveshje mes tyre, kthehet në armiqësi. Për hakmarrje, ata i rrëmbejnë të dy djemtë, Theofanin 18 vjeç dhe Pandin 16 vjeç, duke i mbajtur peng të lidhur pas dy pemëve në thellësi të pyllit. Ndosha, ai shpirtkeq që ka fashuar me litar pas trungut Pandin, ka ndjerë keqardhje për ta shtrënguar fort trupin e atij fëmije shëndetlig. Kështu, në mesnatën e dytë, Pandi liron litarin dhe ikën me vrap për të zgjidhur edhe të vëllanë që ishte 20 metra më larg. Por, nuk mundi as ta prekte litarin e tij.
– Mos u afro se janë këtu pranë. Ik shpejt! Shpëto ti, të paktën…
Shpëtoi Pandi dhe Theofani nuk u pa më! I dëshpëruar për këtë humbje të madhe, gjyshi i Teodorit, kthehet në Dardhë vetëm me një djalë… I shpëtoi vdekjes, por jo varfërisë ky djalosh. Në dy vjet qëndrimi në fshat, nuk mundi të bëjë asnjë punë. Edhe një që e bëri me shpirt e zemër nuk mundi ta shijojë gjatë. Nuk i kishte mbushur ende të tetëmbëdhjetat, kur i pikoi në zemër ajo vajzë që pa te lumi i fshatit, duke larë qilimat. Brenda vitit, ajo 16-vjeçare lozonjare, u bë nuse. Por, vetëm një vit mundën ta shijonin atë dashuri, pasi Pandi mori udhën e kurbetit, për në Amerikë. Në 50 vjet martesë, vetëm dy vjet qëndruan me njëri-tjetrin. Nëse do të kishin lindur fëmijë që vitin e parë, në vitin 1912 kur dhe u martuan, tani shkrimtari ynë do të kishte patur një vëlla ose motër shekullore. Mirëpo, Pandi u kthye në Dardhë pas 13 vjetësh. Kjo është njëkohësisht edhe ditëlindja e vajzës së tyre, Jorgjisë. Pas, nëntë vjetësh, më 1936, vjen përsëri në Dardhë, për të shtuar familjen e tij me djalë. Nuk mundi ta shikonte beben, pasi e priste kurbeti, veçse la porosi që t’i vinin emrin e të atit. Një fëmijë i rritur me dashuri nëne, por dhe zhuritur nga malli për babanë. Shpesh herë kjo ndjesi i kthehej në ankth. Një nga përjetimet më dramatike të fëmijërisë, për atë dhe bashkëmoshatarët e vet, ishte kur kambana e fshatit lëshonte atë tingëllimin e përzishëm. Para se të helmonte familjen fatkeqe, lajmin e humbjes së një kurbetlliu, e jepte kisha. Qëllonte që ai tingëllim i kobshëm, të dëgjohej në Dardhë edhe tre herë në vit. Kureshtjen e tyre e shuanin vetëm nëpërmjet letrave. Nga Amerika në ato dy herë të ardhura kishte prurë edhe shumë libra. Dallonin në atë bibliotekë të pasur, historitë e shteteve më të fuqishme në botë, si ato të Francës, Anglisë, Gjermanisë etj. Kanë qenë rreth 30 vëllime. Në kujtesën e atij djaloshi, do të fiksohej edhe një ditë e trishtueshme. Më 1948, kur Teodori ishte vetëm 12 vjeç, erdhën nga Korça disa njerëz me uniformë dhe kamion, për të konfiskuar të vetmen pasuri që kishte ajo familje emigranti. Mban mend nga ajo ditë, atë çast kur shpejt e shpejt fshehu nën dyshek dy prej atyre librave të shumtë që ia grabiti komunizmi. Shkaku i kësaj bastisjeje, ishte arrestimi i kunatit të vet, shkrimtarit të njohur korçar, Sotir Andoni.
Në vitin 1958, vjen si turist nga Amerika bashkë me një grup bashkëfshatarësh, Pandi dhe për herë të parë shikon djalin e vet, Teodorin, në moshën 22-vjeçare. Katër muaj ndenji në Dardhë, por vetëm një muaj qëndruan bashkë djali me babanë. Teodori, i cili vazhdonte studimet për agronomi në Institutin e Lartë Bujqësor, në atë kohë filloi zborin ushtarak tre mujor. Kuptohej, mbrojtja e Atdheut detyrë mbi detyrat e kalonte në plan të dytë atë mall që vlonte prej vitesh. Për më tepër, i ati i vinte nga shteti më kapitalist dhe borgjez i botës. Brengë në shpirt e ka që nuk mundi ta njohë sa më shumë të atin. Një burrë i jashtëzakonshëm, që dallonte nga disa bashkëfshatarët e tij, me kulturë të kufizuar. Nuk i shkonte për shtat, Pandi Laços, shprehja përçmuese “qyngje e Bosforit”, e cila dëgjohej udhëve të fshatit dhe shqiptohej për ata njerëz që më shumë se sa e kishin parë Amerikën, i kishte parë ajo.
Në këto ditë të pakta, ai baba i dhimbshur, u ul dhe shkroi një letër, për ata lart. U lutej që djalin ta caktonin në Korçë dhe jo në Cërrik, ku i kishte dalë emërimi. Këtë herë, Dardha i pëlqeu më shumë se Amerika. Jo nga mirëqenia e pasuria, pasi si në të gjithë vendin edhe aty varfëria, ishte ulur këmbëkryq, por sepse ishte i dëshiruar për të gëzuar në shtëpinë e vet. Për më tepër, në ato katër muaj, klima ilaç e Dardhës, ndikoi për mirë edhe në ato shqetësime shëndetësore, që e kishin lodhur në Amerikë. Në fakt, iku dhe nuk u kthye më. Sëmundja e rëndoi dhe brenda vitit e largoi nga kjo jetë, duke mbetur me shpirt e trup në dhè të huaj…
Me siguri, ajo letër do të ketë prekur thellë shpirtin e atij lart që e ka lexuar. Letra dhe diplomimi me rezultate të larta bënë që Teodori të fillonte punë pranë Seksionit të Bujqësisë, në Komitetin Ekzekutiv të Korçës. Ra në sy menjëherë për korrektesën dhe përkushtimin në kryerjen e detyrave të caktuara. Në atë kohë, hartoheshin planet disavjeçare për ekonomitë bujqësore. Aftësia e këtij të riu ra në sy edhe te një ekonomist i Komisionit të Planit të Shtetit. I entuziazmuar ky specialist i ardhur nga Tirana, interesohet për ta tërhequr në institucionin qendror. Por mbeti në mes të rrugës inisiativa e tij, sepse i thanë që ka babanë në Amerikë dhe burrin e motrës në burg. Ndoshta më mirë për të, ndoshta edhe më keq që nuk mundi të hyjë në Tiranë dhjetë vjet më shpejt. Gjithsesi, në këto dy vjet, më shumë se sa bujqësia përfitoi letërsia. Duke qenë i detyruar që të ikte me shërbim në të 200 fshatrat e këtij rrethi, fitoi atë material të jashtëzakonshëm, që do e kishte lëndë të parë në “industrinë” e krijimtarisë së ardhshme letrare. Njohu nga afër, probleme, tipare, karaktere të papërsëritshme që imagjinata është e varfër për t’i përshkruar. Mirëpo, edhe pse gjithë ditën e kalonte nëpër fshatra, më shumë në sy kishte rënë në qytet. Ai djalë elegant dhe simpatik vishej po aq bukur dhe me shije, sa përngjasonte shumë me “të huajt”. Derisa një ditë me ato pantallona tub, “trëmbi” titullarin e Komitetit. Ndërsa e kishte parë nga dritarja e zyrës së tij, u ishte drejtuar atyre që kishte pranë:
-Çështë ky gagarel që doli nga Komiteti?!
Kur i kishin thënë që është agronomi ynë, menjëherë kishte dhënë urdhër që të përgatitej dokumenti i largimit nga puna. Po atë ditë, e firmosi edhe transferimin e tij. I thanë se do të shkonte agronom në kooperativën e Rëmbecit. Por nuk e pranoi. E shtynë edhe pak më tutje, në Bilisht. Atë vit u hap shkolla e mesme dhe në programin mësimor ishin planifikuar edhe lëndët bujqësore. E zbutën transferimin e tij, duke e quajtur lëvizje të zakonshme. Në fakt, ai ishte viktimë e shfaqjeve të huaja. Shfaqje nga të cilat nuk hoqi dorë asnjëherë në jetë. Veshja, mbrëmjet e vallëzimit, serenatat, kitarën që nuk e lëshonte nga dora…përbënin rrezikun e vazhdueshëm. Vetëm mosha, mundi të shpërfillë atë kanosje të ideologjisë dhe shtetit të kohës.
Ende nuk kishte shpërthyer në fushën e krijimtarisë që do i jepte emrin dhe shansin. Në një orë korigjim hartimi, e kishte zbuluar si diamant, mësuesi i letërsisë së gjimnazit “Raqi Qirinxhi”, Besim Qori. Sapo kishte hyrë në klasë, me tufën e fletoreve nën krah, kishte lëshuar sihariqin:
– Kam zbuluar dy talente. Njëri është Teodori dhe tjetra Marika.
E ndërsa për të parin, kishte qëlluar në shenjë, për të dytën ishte gabuar, sepse ajo u bë mjeke. E nxiti edhe më shumë ajo thënie që bëri aq bujë para shokëve dhe shoqeve të klasës, ndaj filloi të provonte dëshirën dhe talentin. Gjithnjë në prozë, asnjëherë në poezi. Si pa që kishte mbushur një fletore, një ditë vendosi që dy tregime t’i fuste në një zarf dhe ia adresoi gazetës “Drita” dhe revistës “Nëntori”. Jo vetëm që u mirëpritën, por redaksia e gazetës, në një letër përgëzuese dhe inkurajuese, i shfaqi dëshirën për të vazhduar bashkëpunimin. Vazhdoi nga larg ky bashkëpunim deri në vitin 1970. Nga ky vit, hynte dhe dilte çdo ditë në këtë tempull të krijuesve shqiptarë. U emërua në sektorin e letërsisë së Lidhjes së Shkrimatarëve dhe Artistëve të Shqipërisë…Kaq. Vazhdimin e këtij suplementi, e gjeni në tregimet, novelat dhe romanet e Teodor Laços.

Botuar në gazetën “RD” më 20.10.2010

Exit mobile version