Juventus triumfon në “Old Trafford” me rezultatin 1-0 kundër Manchester United falë golit të realizuar në minutën e 17’ nga Paulo Dybala, pas asistit të Cristiano Ronaldo. Një ndeshje me sens unik, teksa topi ka folur vetëm përmes ngjyrave bardhezi. Ndonëse kishin udhëtuar nga Italia, bardhezinjtë u bënë zotërinj të shtëpisë në Manchester, duke dominuar vendasit e drejtuar nga Jose Mourinho, që tashmë nuk arrin dot më të administrojë tensionin e këtij momenti mjaft negativ.
Në përfundim të takimit, sikurse raportojnë mediat e huaja, skuadra e United është vërshëllyer nga publiku i saj. Nga ana tjetër, ekipi i Allegri konsolidon pozitat në krye të grupit, duke rritur epërsinë në +5 pikë ndaj anglezëve. Në minutat finale të ndeshjes, nga sektori i dedikuar tifozerisë bardhezi kanë nisur një seri koresh tallje në adresë të trajnerit Jose Mourinho. Ky i fundit nuk është kufizuar aspak në reagimin e tij, përkundrazi ka nxituar t’u përgjigjet ngacmimeve me tre gishta, që mund të nënkuptojnë shumë mirë tripletën e fituar prej tij me Inter gjatë kohës në Seria A, por gjithashtu edhe fitoren e portugezit kundër bardhezinjve.
Mourinho: Juve nuk është vetëm Ronaldo dhe Dybala
Manchester United është mposhtur nga Juventus në Old Trafford me rezultatin 1-0. Ishte një ndeshje e dobët e Djajve, sidomos në pjesën e parë, me Juve-n që dominoi plotësisht, sikur të luante brenda.
Pas ndeshjes, gjëja e parë që tha Mourinho ishte se: “Luajtëm ndaj një prej kandidatëve për të fituar titullin e Champions League.”
“Kundërshtari kishte kualitet të madh. Ndonjëherë njerëzit shohin vetëm Ronaldo dhe Dybala por në një ekip të madh ka edhe lojtarë si Chiellini dhe Bonucci.
“Mendoj se Juventus është një kundërshtar shumë i vështirë, por këtë e kupton kur e ke përballë.
“Nuk mendoj se i dhamë më shumë respekt sesa duhet. Juventus ndryshon nga Chelsea, për të qenë i sinqertë. Ata kanë kualitet, eksperiencë, qëndrueshmëri.
“Mbrojtja e mirë që ka lejojn Dybala dhe Ronaldo të luajnë të qetë përpara. Mund të kishim merituar një gol në pjesën e dytë por nuk ndodhi.
“Nuk ankohem, kam një ndjesi pozitive për atë që dhanë në fushë.
“Lukaku? Nuk është duke kaluar një moment të mirë. Jo vetëm me golat që nuk po shënon, por nuk po arrin të lidhet me ekipin. Por ai mbetet sulmuesi ynë dhe ne kemi besim tek ai”.